Zhapaj: Deklarata e ministres për Akademinë e Shkencave shashkë tymuese. Rritja e mesatares, antikushtetuese

0
261

Eksperti i arsimit Albano Zhapaj në një intervistë për gazetën “Standard” flet mbi situatën e arsimit në Shqipëri dhe problematikat kryesore të saj. Po ashtu ai komenton deklaratën e ministres së arsimit në lidhje me integrimin e Akademive të Shkencave, duke e cilësuar si një shakshë e hedhur në mënyrë që të spostohet vëmendja nga problemet reale që ka sot arsimi i lartë. Zhapaj ka shtuar se zëri i Bordit të Administrimet që po zgjidhet nëpër universitete nuk mund të dëgjohet pasi është në minorancë. Ndërsa rritjen e mesatares në 6.5 për pranimin në univesitete eksperti i arsimit e quajti antikushtetuese dhe antisociale.

Intervistoi: Armela Karemanaj

 

Pak ditë më parë studentët e Korçës dolën sërish në protestë dhe bojkotuan orët e mësimit pasi pretendonin që Pakti për Universitetin i propozuar nga qeveria nuk po zbatohej. Ata thanë se nuk po shohin asnjë përfitim nga ky pakt. Si e shihni ju realizimin e paktit deri tani? A mendoni se është e mundur që të realizohen të gjitha pikat e këtij pakti?

Unë e kam deklaruar që në krye të herës që kërkesat ashtu siç ishin parashtruar nga studentët nuk do të mund të realizoheshin dot, kjo edhe për arsye objektive, siç ishte përshembull pika që lidhej me përmirësimin e konvikteve. Studentët u duk qartazi që nuk dinin se ç’të kërkonin realisht dhe kush i këshilloi apo i orientoi, bëri që të çonte ujë në mullirin e qeverisë. Praktikisht ndodhi që u spostua vëmendja nga mega afera e Unazës së Re, tek protesta. Më tej natyra “jo politike” e protestës dha efektet e saj negative, qeveria mori kohë, pushimet e dimrit dhe i ftohti bënë punën e vet, aq sa qeveria mori nën kontroll protestën dhe e shoi dalëngadalë. Asnjë akademik apo ekspert arsimi nuk i besoi premtimet e qeverisë, por kjo nuk dha efekt, pasi qeveria i linçoi studentët kundër pedagogëve, për të gjetur një fajtor në sistem për gjoja mos efektshmërinë e reformave në arsim. Kjo u vërtetua me tentativën për të pushuar nga detyra rektorin e Universitetit të Tiranës, gjë e cila rezultoi një dështim për qeverinë. Sot jemi në kushtet kur studentët gjenden në pikën e fillimit të protestës së tyre.

Ministrja Shahini deklaroi një javë më parë se do të ishte pjesë e debatit ku do të paraqiste idenë e saj për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme. Si e shihni ju këtë deklaratë të ministres së arsimit?

Akedemia e Shkencave nuk luan asnjë rol në zbatimin ose jo të reformës në arsimin e lartë, me ligjin e kaluar të arsimit të lartë ajo ka pasur thjesht një rol këshillimor për ministrinë e Arsimit, dhe me ligjin e ri nuk është se ka ndonjë element të ri që i jep ndonjë hapësirë autoriale. E gjitha kjo historia e Akademisë së Shkencave synon që ti kthejë asaj ish-qendrat kërkimore të cilat me reformën e vitit 2006 i kaluan universiteteve, ashtu siç funksionon në gjithë botën perëndimore ku kërkimi shkencor kryhet në universitet. Deklarata e ministres së Arsimit është thjesht një shashkë tymuese që kërkon të çorientojë sistemin e arsimit të lartë dhe të spostojë vëmendjen nga problemet reale të arsimit tonë të lartë, të cilat kjo ministre as që i njeh, e jo më të jetë në gjendje t`i zgjidhë. Paaftësia e saj ia kalon me disa herë paraardhëses së vet.

Ditët e fundit universitetet publike të vendit tonë janë duke u marrë me fushatën për përzgjedhjen e Bordeve të Administrimit, por ajo që vihet re është pjesëmarrja e ulët e studentëve. A mendoni se kjo vjen si pasojë e mosbesimit të studentëve për këtë proces?

Kjo fushata e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Bordeve është një tjetër farsë ministrore dhe qeveritare, se problemi nuk janë thjesht emrat e anëtarëve të bordeve, por mënyra e kostituimit të tyre e parashikuar në ligjin 80/2015. Ministria mund të organizojë dhjetë palë zgjedhje për anëtarë bordesh, por kjo në thelb ska për të ndryshuar asgjë, sepse universiteti mbetet gjithmonë në minorancë për sa i përket administrimit, ndërkohë që shumicën e anëtarëve të Bordit dhe Administratorin e emëron qeveria. Kësaj në gjuhën popullore i thonë: hajde të bëjmë sikur po bëjmë diçka.

Studentët pohojnë se përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të Administrimit është një farsë  Ministrisë së Arsimit, ata gjithashtu pohojnë se nuk janë të mirëinformuar për këtë proces. A mendoni se anëtarët e Bordit të Administrimit do jenë zëri i studentëve ashtu si pretendon Ministria e Arsimit?

Anëtarët e bordit që përzgjidhen nga universiteti mund edhe të bëhen zëdhënësa të zërit të studentëve dhe të universitetit, por sa vlerë ka kur ata janë në minorancë? Kështu që perceptimi i studentëve që ky proces është një farsë, është perceptim i drejtë. Ministria do të vazhdojë të luajë farsën me studentët, derisa të vijnë edhe pranimet për vitn akademik 2019-2020, ku rritja e pragut të notës mesatare për t`u regjistruar në universitetet publike do sjellë pasojë regjistrimin e studentëve tek privati për një pjesë, dhe largimin nga vendi për një pjesë tjetër.

Para pak ditësh qeveria qeveria miratoi vendimin mbi mesataren që duhet të kenë nxënësit për tu pranuar në universitet, e cila duhet të ishte mbi 6.5, ndërsa për ata që duan të ndjekin studimet për mësuesi nga 7 që ishte mesatarja kaloi në 7.5. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë vendim të qeverisë? A mendoni se me rritjen e mesatares do rritet dhe cilësia e studentëve që vazhdojnë studimet e larta?

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë përcakton qartë se “shteti ka për detyrë shkollimin e qytetarëve të tij” dhe kjo klausolë qeveritare është antikushtetuese dhe antisociale. Këto politika arsimore nuk përmirësojnë kurrsesi cilësinë në arsimin e lartë, por e dobësojnë dhe e zvogëlojnë deri në shkatërrim. Për më tepër kjo klausolë bën që të rriten fiktivisht notat në arsimin e mesëm privat dhe që në vitin e tretë gjimnaz shumë familje të detyrohen të heqin fëmijët nga shkolla shtetërore për t`i çuar drejt privatit për përmirësimin e mesatares. Në këtë mënyrë ndërtohet një e ardhme me ekselentë fiktiv, me mjekë fiktiv, me juristë e ekonomistë fiktiv dhe me mësues fiktiv.

Këtë javë INSTAT publikoi disa shifra në lidhje me nivelin e papunësisë në vend, prej nga doli se ishin rreth 346 doktorantë të papunë. Pse mendoni që është kaq i vështirë punësimi për ata që janë të mirëarsimuar në vendin tonë?

INSTAT është sot padyshim një institucion i kapur nga qeveria dhe në shërbim të saj si çdo institucion tjetër shtetëror, kështu që unë nuk do të besoja në vërtetësinë e të dhënave të saj. Këto janë tymogjene që i lëshon vetë qeveria për të justifikuar mos hapjen prej 6 vjetësh të programeve doktorate, ndërkohë që doktorantët e privatit të cilët doktorohen përditë vijojnë e okupojnë pozicionet e lira për pedagogë në universitet. Doktoranti nuk është një person që shkon e zë derën e zyrave të punës së qeverisë, por punon edhe në projekte kërkimore, që s`kanë asnjë lloj lidhjeje me vendet fikse të punës, siç i imagjinon apo pretendon qeveria.

Statistikat arsimore tregojnë tendencën e studentëve për t’u orientuar drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Si duhet të orientohen politikat arsimore në mënyrë që studentët mos të shkojnë drejt degëve që tashmë ka mbingopje, por drejt atyre që ka nevojë tregu i punës?

Këto teoritë e mbingopjeje janë në gjykimin tim teori sistemesh totalitare e komuniste, pasi studimet universitare formojnë jo vetëm profesionalisht, por edhe personalisht, çka do të thotë që zgjerojnë hapësirat njerëzore dhe aftësitë personale të çdo studenti për t`u pregatitur për jetën jo vetëm në aspektin e të priturit të një posti shtetëror, por të aftësisë sipërmarrëse në drejtimet përkatëse dhe jo vetëm. Efikasiteti profesional dhe cilësia në profesione e në fusha të caktuara nuk vjen duke reduktuar kuotat në to, por duke i zgjeruar, sepse sa më i lartë numri i kandidatëve konkurrues në dalje aq më i lartë shansi i suksesit dhe zhvillimit të shoqërisë. Prandaj mendoj se ulja e kuotave është vizion prej mediokrish e jo politikbërësish në arsim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here