E Turpshme/ Kryebashkiaku Rilindas i ngre bust dhe nderon njeriun që internoi shqiptarët

0
171

Ditën e djeshme, në një ceremoni zyrtare, Bashkia e Maliqit përuroi bustin e Teki Kolanecit, ish zv/ministër i Punëve të Brendshme gjatë komunizmit.

Madje në komunikimet mediatike, kjo bashki e përmendte me gradën e kohës së diktaturës, duke e quajtur edhe “Hero i Popullit”.

Por lidhur me këtë ngjarje ka reaguar studiuesi dhe arkivisti Kastriot Dervishi.

Sipas këtij të fundit, Kolaneci, përveçse zv ministër i diktaturës, ka qenë edhe pjesë e komisionit të internim-dëbimeve.

Ja çfarë shkruan Kastriot Dervishi:

Bashkia e Maliqit, e molepsur deri në palcë me komunizëm, afër vendit ku janë ekzekutuar në vitin 1946 inxhinierët që po punonin për tharjen e kënetës së Maliqit, vendosi bustin e ish zëvendësministrit të Punëve të Brendshme dhe ish anëtarit të Komisionit të Internim Dëbimeve, të diktaturës komuniste, Teki Kolanecit. Madje në komunikimet mediatike, kjo bashki e përmendte me gradën e kohës së diktaturës. Le të kujtojmë diçka. Me dekretin nr.2116, datë 8.8.1955 Presidiumi i Kuvendit Popullor emëroi Komisionin e Internim Dëbimeve pranë MPB-së të përbërë nga Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçisht, Delo Balili, Teki Kolaneci, Rexhep Kolli, Nevzat Haznedari dhe Qamil Mane. (Deri tani asnjë nga anëtarët përveç Tekiut nuk ka bust). Të gjithë me grada nga gjeneralë, kolonelë, nënkolonelë e major. Në relacionin përkatës, të datës 5.8.1955, ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i propozonte Presidiumit të Kuvendit Popullor për anëtar të komisionit, gjeneral-majorin Teki Kolaneci (drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Ndjekjes në MPB), pasi përfshirja në këtë komision do ta ndihmonte shumë punën e tij.

Në të gjitha ligjet e gjenocidit në Shqipëri të viteve 1995 apo 2008, ligjet e reformës në drejtësi, cilësia anëtar i Komisionin të Internim-Dëbimeve, është përjashtuese për funksione shtetërore. Për arsye moshe, dihet që askush nga ish anëtarët e komisionit në fjalë nuk është i mundur të marrë detyra shtetërore. Shumë nga ata kanë vdekur, ndërsa të tjera janë në pension. E vetmja arsye që mund të na bëjë të ndjeshëm është ajo morale. “Mbetet i lavdishëm, gjeneral i provuar dhe hero” – thoshte në faqen e saj në fb, Bashkia e Maliqit. Ndërsa familja e të përmendurit “nderoi” me “dekoratë” kryetarin e bashkisë. Pra përtej një ceremonie qokash, hera e parë që familjet kthenin reston duke “dekoruar” kryetarin e bashkisë.

  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here