Mashtruesi që hiqej si Zot dhe halla naive

0
131

–Nga Artan Fuga——

Darka po rridhte e qetë në tavolinën e ngrënies së
mikut tim të shkollës, Qenanit. Në ato kohëra nuk kishte
shumë gjëra për të gatuar, dyqanet thuajse ishin zbrazur,
ndërsa mishi kishte filluar të racionohej. Sidoqoftë, e zonja
e shtëpisë, nëna e Qenanit, kishte derdhur të gjithë artin
e vet për të na kënaqur mesa mundej. Kishim mbaruar
mezet e para që shoqëruan gotat e rakisë që ngritëm për
shëndetin e njëri-tjetrit, dhe, po prisnim që ajo të na
servirte gjellën që lëshonte avuj të këndshëm nga kusia e
vendosur në mes të tavolinës.
Nuk e di se përse isha ftuar në atë darkë krejt familjare.
Në mesditë, në mbarim të orës së fundit të mësimit,
Qenani më kishte thënë në vesh: «Hajde për darkë nga
unë sot, se do të shohësh diçka që do të të tromaksë dhe
zbavitë së tepërmi!» E pashë me dyshim. E dija se qe i zoti
për të krijuar sherret dhe dramat më të pabesueshme në
shoqërinë e tij. E dija se mendja, pa të keq, i prodhonte të
papriturat më të çuditshme që mund të rrokë mendja e
njeriut. E kuptoi me zgjuarsinë e tij të veçantë se unë doja
të dija diçka më shumë se çfarë fshihej pas fjalëve të tij,
por nuk u dha: «Po hajde aty nga ora tetë e darkës, pastaj
do të shohësh, një histori e tërë me xhinde, shtriga dhe
lugetër.» Tunda kokën dhe i thashë me zë të butë: «Ç’ke
kurdisur sonte?» Ai nuk foli, por u largua me një pamje
misterioze që ngjallte kërshëri dhe padurim bashkë.
Duke pritur se çfarë do të na hidhte në pjatë nga kusia
përvëluese e zonja e shtëpisë, vështrimin e hidhja me një
lloj ndrojtje mbi të gjithë të ulurit rreth asaj tavoline. Babai
i Qenanit ishte tashmë një burrë në njëfarë moshe. Vinte
paksa i shëndoshë, flokët i ishin rralluar shumë mbi kokë,
hante me qejf, për shtatë palë qejfe, dhe buzët i kishte të
yndyrshme, sikur tregonin se merrte nga të ngrënët një
kënaqësi që e kalonte kufirin e së zakonshmes. Hante
shumë. Nuk ia përtonte as rakisë. Kishte pamjen e një
babaxhani që të jepte përshtypjen se kurrë nuk i shkonte
mendja për keq.
Ngjitur me të rrinte e motra, më e moshuar se ai, halla
e Qenanit. Kishte tri ditë që kishte ardhur për të bujtur
te familja e vëllait të saj. Banonte në një fshat të largët
malor të Jugut. Në dallim nga i vëllai, vinte e brishtë. Mbi
kokë, flokët i kishte mbledhur me një shami të zezë. Dukej
se rrallë zbriste në qytet. Gjithmonë me ca sy të butë që
dukeshin sikur derdhnin vetëm paqe mbi atë që shikonin,
plot besim, ngjyrë hiri dhe çuditërisht shumë të hapur.
Dukej se shihte me habi gjithçka që kishte rrotull.
Veç Qenanit dhe meje, ishte edhe Afërdita, e zonja
e shtëpisë, nëna e Qenanit, e cila pothuajse nuk rrinte
aspak ulur me ne, por vetëm shërbente, e shqetësuar për
t’i kënaqur të gjithë.
Mendja më rrinte te fjalët që më kishte thënë miku
im atë çast kur sapo kishim dalë nga dera e gjimnazit.
Më kishte folur për një histori me lugetër. Çfarë pritej të
ndodhte aty? Të gjithë ishin të qetë, nuk tregonin asnjë
ndjenjë frike apo ankthi. Ishte një darkë familjare, nga
ato më të thjeshtat fare, kur secili konsumon në heshtjen
e vet të paqme dhe të rehatshme ushqimin e tij, pa bërë
kujdes për ta përdorur medoemos pirunin që qëndron si
rekrut i papunë rrëzë pjatës, pa vënë pecetën mbi pëqi, e
duke bërë thërrime pa fund mbi mushamanë paksa të dalë
boje të tavolinës.
Vetëm halla dukej në një gjendje disi të eksituar. Kishte
ditë që rrinte në atë familje. I kishte treguar tashmë të
gjitha historitë e saj, të gjitha ndodhitë e fshatit ku jetonte
e vetme. Burri i kishte vdekur qysh herët dhe nuk kishin
pasur fëmijë. Pas vdekjes së të shoqit, sikurse më kishte
thënë Qenani në një çast intimiteti, kishte jetuar pothuajse
dhjetë vjet me vjehrrën e vet plakë, e cila tashmë kishte dy
a tri vjet që kishte ndërruar jetë edhe ajo. Dukej nga ato
gra të moshuara, të cilat i kanë njohur dramat e mëdha të
jetës qysh herët, dhe kur janë në një farë moshe, i tregojnë
tani ato si histori të largëta, sikur të ishin ndodhi që iu
përkisnin të tjerëve.
Asgjë nuk më bënte të besoja se në atë tavolinë do të
ndodhte diçka e çuditshme, sikurse më kishte paralajmëruar plot shpresë e besim, miku im në drekë.
Mos vallë më ka gënjyer Qenani? – mendova me vete.
Ka dashur ta gjallërojë pak tavolinën e darkës, ta shërojë
pak monotoninë që iu sjell në shtëpi halla plakë, e cila nuk
rresht së foluri, dhe më tërhoqi në këtë darkë, thjesht për
ta shtuar pak rrethin familjar e për të shkëmbyer me mua
ndonjë bisedë tjetër veç atyre që bëhen të mërzitshme në
çdo tavolinë shtëpie.
Ku janë lugetërit këtu? – pyeta veten.
Ndërkaq, i ati i Qenanit, me atë qetësinë e zanatçiut të
mësuar me klientët e vet, e pyeti hallën: «Po vjehrrën e kujton
ndonjë çikë, shkon ndonjëherë andej nga varrezat?»
Fjala «varrezat» mu duk premtuese, por ende larg
premtimit për të dëgjuar një histori rrëqethëse me xhinde
dhe lugetër.
I ati i Qenanit punonte në një dyqan të vogël riparim
pajisjesh elektrike. Në atë fillim të viteve shtatëdhjetë të
tilla kishte pak, por nuk mungonin edhe ata që sillnin për
të riparuar atje ndonjë televizor a ndonjë magnetofon të
vjetër, të cilët, për provë, babai i Qenanit, pas riparimit, i
mbante disa ditë në shtëpi.
«Eh, ç’e dua që të shkoj te varrezat?» u përgjigj me
përtesë halla. Sa jetonim bashkë, ime vjehërr s’më la rreng
pa më punuar. Grua e prapë ka qenë në rini të saj. Sa ishte
gjallë merhumi (fliste për të shoqin), nuk na la një ditë
rehat. I fuste hundën kudo. Nuk e merrte vesh se i biri
tanimë ishte martuar, kishte një grua, por e torturonte
me xhelozinë e saj.»
«Mos fol kështu, se e tepron, ji e drejtë me të tjerët.» –
foli si me qortim i ati i Qenanit.
«Po more po, kështu thua ti, flet si e ëma e Zeqos në
majë të thanës, se nuk i ke provuar mbi kurriz ato që më
ka bërë ime vjehrrë. Tridhjetë vjet ma ka nxirë jetën.»
Halla po e nxirrte të gjithë dufin e saj. Kishte pirë
edhe nja dy-tri gota raki. Faqet kishin nisur t’i skuqeshin
dhe sytë e mëdhenj që dalloheshin qartë poshtë ballit
të rrumbullakët që pritej në mes nga shamia e zezë prej
najloni kishin nisur të shkëlqenin me një dritë të hirtë dhe
të bëheshin të lëvizshëm.
«Po lëre tani, histori të vjetra ato.» ia priti i vëllai.
«Histori të vjetra, por ky shpirt ma di se çfarë kam
hequr prej saj. Edhe kanceri që iu shpif të shkretit, prej
së ëmës i erdhi, se e helmonte në çdo çast duke u grindur
me mua.»
Në atë çast, krejt në mënyrë të papritur, u hodh Qenani:
«Mos i lëndo të vdekurit hallë. Këto janë histori të shkuara.
Nuk shahet i vdekuri. Të dëgjon shpirti i të vdekurve dhe
do të të ndjekë pas gjithë kohën.»
E pashë mikun tim me habi. Nuk e merrja me mend
që nga goja e tij do të dilnin ndonjëherë këto fjalë pleqsh.
Vetëm se sikur e kishte «pickuar» hallën me to.
«Rri mor çun se nuk i kupton këto gjëra ti. Shiko mësimet
e lojërat, ti, atë bëj.» – ia priti halla me të shpejtë.
Qenani u ngrit butësisht nga tavolina dhe shkoi te
lavamani për të mbushur një gotë ujë nga rubineti në
ngjyrë të verdhë. Ne të tjerët kishim nisur të hanim me
kokën ulur mbi pjatë. Gjendja ishte bërë paksa e rëndë.
Mbretëronte heshtje.
Shihja Qenanin se diçka bënte poshtë një minderi. Se
çfarë rrëmonte me duar atje, tinëz, më shkeli syrin, dhe
pastaj, duke u ruajtur që të mos e shikonte halla, e uli
mbulesën e minderit me kujdes, dhe si i lehtësuar, u ngrit
duke mbështetur gjunjët mbi qilim, dhe erdhi e ul përsëri
në tavolinë.
«Shpirti i të vdekurve të dëgjon.» – përsëriti si për vete
dhe më bëri ta shoh me habi.
«Po këtë ç’e ka gjetur kështu?» – gati sa s’thirra.
Halla aq desh dhe nisi të tirrte një ligjëratë të gjatë:
«E mor bir, ti je nxënës shkolle, e di unë se nuk mendon
ashtu, por kërkon të dish mendjen time. Po edhe neve na
e ka ndriçuar mendjen partia, shumë gjëra nuk i dimë, por
këto historitë me shpirtra nuk i besojmë më. Janë zakone
prapanike – na thotë edhe mësuesi në fshat. Janë mbyllur
ato histori.»
Dukej e qeshur dhe e sjellë në qejf halla. Rakia kishte
bërë punën e saj.
«Sa për të vajtur te varrezat nuk vete. Vjehrrën s’e
kam dashur që kur ka qenë gjallë, përse do ta dua në të
vdekur? Jo të shkoj t’i ndez qiri atje mbi varr ku i prehen
kockat, por ta mallkoj edhe sot e kësaj dite e t’i them: Në
xhehenem qëndrofsh, e zjarri të djegtë për jetë. Po, nuk
ka nga këto gjëra. Edhe neve në fshat na u hapën sytë.
Jetën e kemi vetë në duart tona, s’na gënjen më dot njeri
tani. Janë kohë të partisë këto. Ikën e nuk kthehen më
ato kohë me priftërinj dhe me hoxhallarë. Me premtime
boshe. Jeto sa më mirë këtu mbi dhè se atje lart, atje lart
s’ka asgjë.» – po çarte të fliste halla dhe qeshte nga pak.
I vëllai, me pamje prej babaxhani dhe të një njeriu që
nuk i shkon asnjëherë mendja për t’i bërë keq ndokujt,
ashtu me gojën plot me copa mishi dhe patate të pjekura,
me ca buzë të shndritshme paqësisht nga lëngu i gjellës
përzier me raki, si për të shuar sherrin, iu drejtua të dyve,
edhe hallës edhe të birit:
«E, lërini këto muhabete të sikletshme tani. Na lini të
hamë këtë copë bukë rehat.»
«Unë për të mirë të hallës e kam, – ia priti me ngulm
Qenani – se do t’i vardiset shpirti i së vjehrrës e do ta
mallkojë me vuajtje për gjithë jetën.»
Qenani u ngrit dhe vajti e u ul si i fyer pa të drejtë
atje mbi minder. Pikërisht mbi vendin ku diçka kishte
ngacmuar poshtë tij.
«Mos u bëj qeder ti. Ja po e them përsëri: Nuk kam
pasur frikë nga ajo në të gjallë, jo më tani që kockat i janë
tretur atje nën dhè. Lanet iu bëftë shpirti. E mallkoj dhe
s’më bën syri tërr. Në pastë botë të përtejme, le t’i digjet
shpirti në zjarr, po ç’e do që nuk ka! Le t’i vuajë shpirti në
xhehenem për të gjitha vuajtjet që më shkaktuar.”
E kuptova se ata kishin kurdisur një shakà me hallën
që kishte bujtur në shtëpinë e tyre. Brenda lojës nuk ishte
vetëm Qenani çapkën, por në atë manipulim të rëndë po
merrte pjesë edhe babai me fytyrë babaxhani që dukej
se kurrë nuk mund t’i ngrinte një rreng ndokujt, edhe
Afërdita, e zonja e shtëpisë, që shpërndante bashkë me
gjellën edhe një dashuri të ngrohtë e të pastër familjare.
Pas pak në të gjithë dhomën kumbuan fjalët e hallës:
«Nuk kam pasur frikë nga ajo në të gjallë, jo më tani që
kockat i janë tretur atje nën dhè. Lanet iu bëftë shpirti. E
mallkoj dhe s’më bën tërr syri. Në pastë botë të përtejme,
le t’i digjet shpirti në zjarr, po ç’e do që nuk ka! Le t’i vuajë
shpirti në xheheenem për të gjithë ato të këqija që ka
bërë në tokë ndaj meje. Grua e ligë ka qenë. E vdekur, e
pavdekur, mua s’më hyn hiç në punë.»
Në fillim halla s’ua vuri veshin tingujve kumbues që
vinin që poshtë minderit, ashtu sikurse qëndrojmë të
pandjeshëm ndaj ndonjë zhurme që nuk na intereson.
Pastaj, e ndjeu se ishin fjalët që sapo kishte thënë, njohu
edhe zërin e saj. Ajo që më panë sytë në atë çast ka mbetur
e papërsëritshme. Luga i mbeti në dorë midis pjatës dhe
gojës. U duk sikur koha vetë ishte ndalur. Goja i mbeti
e hapur. Sytë i ishin zmadhuar saqë dukej sikur i kishin
kërcyer mbi ballë. Një hije e rëndë e verdhë i kishte rënë
mbi fytyrë. Dukej sikur zemra do t’i pushonte nga çasti në
çast.
Nuk kaluan as disa sekonda dhe halla doli nga ajo gjendje
si prej statuje. Nisi të hedhë vështrimin me radhë nga të
gjithë ne sikur të donte të lexonte në sytë tanë kuptimin
e asaj që kishte dëgjuar. Nuk e mendonte se fjalët e thëna
para pak çastesh të mund të qëndronin në ajër, ashtu
vetiu, të përsëriteshin saktë, pa asnjë ndryshim, dhe të
rrinin mbi kokën e atij që i kishte artikuluar.
Ajo nuk e njihte fuqinë e medias.
Nuk e dinte se çfarë ishte një magnetofon.
Atë që po ndodhte, kishte fuqi ta shkaktonte vetëm
Zoti.
Zoti ishte.
Zoti nuk kishte vdekur.
Nuk kishte qenë një gënjeshtër.
Gënjeshtra kishin qenë fjalët se Zoti ishte i gënjeshtërt.
Në çast, si e telekomanduar, nën efektin e tmerrit,
habisë, nënshtrimit ndaj së madhërishmes, vuajtjes,
vetëndëshkimit, dëshirës për të shpëtuar nga zemërimi i
shpirtit të vjehrrës që kishte pas qenë zgjuar, mrekullimit,
zhgënjimit, ikjes për të shpëtuar, u ngrit, dora lëshoi lugën
që ra mbi pjatë me një kërcitje të thatë duke ngritur cërka
lëngu mishi me patate e duke i hedhur ato mbi mushama,
i ra mbrapsht me këmbë karriges prej druri duke e rrëzuar
mbi dysheme, ngriti sytë përpjetë drejt tavani dhe filloi të
pëshpëritë fjala të shkëputura.
Kërkonte ndjesë.
Kthehej në të kaluarën.
E tashmja e kishte zhgënjyer.
Qenani i pashpirt buzëqeshte atje tej dhe më shihte
me triumf. E riktheu shiritin e magnetofonit. Tanimë pa
e fshehur fare dorën. Nuk ndruhej se mos e shihte halla,
e cila, nën efektin e manipulimit mashtrues dhe djallëzor,
kishte humbur çdo lidhje me realitetin.
Shihte, por nuk vërente, ndjente, por nuk dëgjonte.
Përsëritja prej një fuqie anonime e fjalëve të thëna
prej saj për shpirtin e vjehrrës së vet e nxori të shkretën
tërësisht nga kontrolli i vetes.
Tani donte vetëm të shpëtonte. Të ikte. Ashtu siç ishte,
në atë natë dimri, pa këpucë, vetëm në çorape, vrapoi në
drejtim të derës dhe pasi e hapi me vërtik doli në oborrin
e vogël të shtëpisë përdhese tiranase.
Bërtiste në oborr: «Më fal zonja vjehërr. Kam gabuar.
Të lutem më fal. Po kthehem përsëri në gjirin tënd. Do të
të respektoj gjithë jetën. Më prit se po vij te ty.»
Fjalitë që bërtiste ishin fare pa lidhje.
Qenani po mbante barkun me dorë duke shkundur të
gjithë minderin nga të qeshurat. I ati i tij babaxhan dukej
shumë i zbavitur nga rrengu që i kishin punuar hallës
plakë thjesht për ta gjallëruar sadopak atë natë monotone
me shi. Afërdita i shihte pak me qortim, por edhe me një
pamje të qeshur në fytyrë. Kishin menduar të bënin një
shaka të vogël, pa qeder, me hallën plakë, për ta gjallëruar
atë natë dimri me shi tiranas, por gjithçka kishte ikur tejet
larg asaj që kishin menduar.
I ati i Qenanit, gjithmonë me atë pamjen mashtruese
të një njeriu babaxhan doli te dera dhe nisi ta marrë hallën
me të mirë. «Hajde, mjaft tani, do të ftohesh, shpirti të
ndjek edhe atje ku je në errësirë. Hajde se trembe edhe
komshinjtë. Mend për herë tjetër.»
Halla hezitonte të hynte brenda. Shamia e zezë i kishte
rënë nga koka. Flokë të thinjur e të rrallë i zbrisnin mbi
supe duke i dhënë pamjen e një të ikure nga fiqiri. Sytë
e mëdhenj lëviznin në faj duke kërkuar mbrojtje. Duart i
mbante lart mbi kokë sikur të mbrohej nga ndonjë goditje
që mund t’i vinte nga lart.
Një shkreptimë rrufeje e bëri të dridhej dhe e shtyu që
me vrap të vinte brenda në dhomë.
Babaxhani i dha një gotë ujë çezme. E rrëkëlleu me një
frymë. U ul në një karrige që ishte vendosur shtrembër,
siç kishte mundur, ashtu rrëmujshëm, në mes të dhomës.
Nga kusia nuk dilte më avull. Gjella me patate po ftohej
trishtueshëm në pjatat tona. Tavolina ishte e braktisur.
Qenani seç rrëmonte përsëri poshtë minderit. Papritur
një zë kumbues, ai i babait babaxhan të Qenanit, oshtiu
në të gjithë dhomën duke dalë qartazi nga altoparlantët
e magnetofonit të vjetër me shirita, fshehur poshtë
minderit.
«Rabijeeeeeee! Ke bërë mëkateeeeeeeeee të mëdhaaaaaaaaaa. Ke sharëëëëëëëëë të vdekuuuuuuurit. S’ke
besuuuuuaaaaar te Zooooootiiiiiiii. Ke humbur nënshtriiiiiimiiiin ndaaaaj fuqiiiiiisëëëëë së maaaaaaadheeeeeeee. Pendohuuuuuuuu dhe fuuuuuttttuuuuuuuu
në rradhëëëëën e tufëëëëëës sëëëëë deeeleeeveeeee të binduuraaaaaaaaa të Perëndisëëëëëëëë. »
Ishte një regjistrim që e kishin bërë më parë.
Vetë Zoti po fliste me zërin e tij.
Halla u ngrit sërish nga karrigia. Ia shkrepi të qarit.
Nuk dinte ku të mbështetej. E gjithë bota i ishte rrokullisur
brenda disa çastesh. U shkëput nga vendi ku ishte murosur
dhe iu derdh në krah, në gjoks, vëllait të vet, babaxhanit,
duke i thënë: «Më mbro o vëlla nga lugati. Zoti të më
falë.»
I vëllai e shtrëngoi fort në krahët e tij dhe i thoshte fjalë
ngushëlluese: «Iku, kaq qe, je tek unë tani, çdo gjë do të
rregullohet. Zoti do të të falë. Mos ki gajle.»
Të qarat e hallës vinin gjithnjë e më të mbytura nga
kraharori i të vëllait.
Qenani zgërdhihej triumfator atje mbi minder.
Gjellët në pjatat tona mbi tavolinë ishin ftohur fare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here