Kryemadhi takon shqiptarët e Bolzanos: Për LSI-në është shumë e rëndësishme dëgjimi i njerëzve…

0
147

Me ftesë të komunitetit shqiptar që jeton e punon në rajonin e Alto Adige të Italisë ku jetojnë rreth 4000 shqiptarë, Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjendet prej dy ditësh në komunën e Bolzanos.  Kryemadhi shoqërohet në këtë vizitë nga ish-deputetët e LSI-së, Përparim Spahiu e Viktor Tusha si dhe nga Artan Mullaymeri, Anëtar i Këshillit Territorial për emigracionin të Alto Adige pranë prefektit.

Ditën e parë të vizitës së saj në Itali, Kryemadhi ka zhvilluar një takim bashkëbisedues ku morën pjesë mbi 400 shqiptarë, me të cilët ndau shqetësimet lidhur me situatën në Shqipëri, këndvështrimin e LSI-së për daljen nga kriza dhe çuarjen përpara të axhendës integruese evropiane të vendit, duke vlerësuar me një rol të veçantë përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë në emigracion për të ndërtuar Shqipërinë si shtëpi për të gjithë shqiptarët.

 

“Bashkë me Përparimin, Viktorin dhe me shumë ish-deputetë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Po flas për zonën e Dibrës, ishim në zonën e Kalasë së Dodës, ishim në shumë fshatra të braktisura, kishin vetëm pleq dhe plaka dhe nuk gjeje dot një djalë apo një vajzë të re. Mos flasim më për shërbimet e tjera, mungesa e infermierëve dhe mjekeve që të gjithë po na ikin në Gjermani. 82% e gjimnazistëve të Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria. 70% e fëmijëve në shkollat fillore nuk duan të jetojnë në Shqipëri.

Që do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë më mësues, nuk do të ketë më mjek, inxhinier, hidraulik, elektriçist, nuk do të ketë më shofer taksish, nuk do të ketë më njerëz që do të punojnë në administratë. Flisni çdo ditë me familjarët tuaj në Shqipëri, por asnjëri nga ju nuk dëshiron të kthehet. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë. Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij. Përderisa ne të gjithë paguajmë taksa, si nga i pari deri tek i fundit, nuk ka përse sistemi të mos u përgjigjet qytetarëve të tij ”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së theksoi se ajo ka nisur një tur takimesh për të dëgjuar qytetarët, sepse për LSI-në ka një rëndësi shumë të madhe dëgjimi i zërit të tyre. “Prandaj ne kemi nisur një tur, jo për të dhënë mendimet tona, po më shumë për të dëgjuar. Sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme për t’i dëgjuar njerëzit”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu në ditën e dytë të vizitës, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi një takim kortezie me Kryetarin e Bashkisë së Bolzanos, Dott. Renzo Caramaschi.

Z. Caramachi shprehu vlerësimet më të larta për komunitetin shqiptar në Bolzano dhe kontributin e tyre në jetën e qytetit. Kryetarja e LSI-së Kryemadhi shprehu mirënjohjen për mbështetjen ndaj shqiptarëve për të përballuar vështirësitë e jetës në emigracion si dhe e ftoi kryetarin Caramachi  për të vizituar Shqipërinë, për të synuar edhe mundësinë e binjakëzimeve e bashkëpunimit të bashkive shqiptare me bashkinë e Bolzanos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here