Salvador Kaçaj, i cili u shfaq në listat e Partisë Bindja Demokratike, si kandidat për kryetar të Bashkisë së Lezhës, është tërhequr në momentin e fundit, duke thënë se nuk mund të shërbejë si fasadë dhe si opozitë fallco dhe se do t’i bashkohet Partisë Demokratike, sepse “beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë”
LETRA E PLOTË E KAÇAJT:
Gjatë gjithë jetës sime profesionale dhe politike kam qenë pjesë e shumë garave, shumicën e tij të cilave i kam fituar. Edhe propozimin për të përfaqësuar Bindjen Demokratike në 30 Qershor e vlerësova si një mundësi për të marrë pjesë në një garë për të mirën e Lezhës.
Disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike.
U jam mirënjohës qytetarëve dhe miqve të vërtetë që më bënë të kuptoj se ajo ku kisha pranuar të hyja nuk ishte një garë e vërtetë, por farsë në shërbim të pushtetit të Edi Ramës.
Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë në 30 Qershor do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë.
Jo gjithmonë kam përkrahur vendimet politike të Partisë Demokratike, por gjykoj se beteja e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme është e drejtë dhe duhet përkrahur pa asnjë rezervë. Kjo e bën sot Partinë Demokratike të vetmen alternativë që përfaqëson realisht vlerat europiane.
Për këto arsye, deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore.
Me respekt, Salvador KAÇAJ