Prej ditësh, media raporton për humbjen e shtetit shqiptar në Arbitrazhin ndërkombëtar përballë biznesmenit italian, Francesko Beketi, të cilit tashmë i duhen paguar 110 milionë euro.
Në fakt, situata është edhe më e rëndë. Nuk bëhet fjalë thjesht për “humbje”. Qeveria shqiptare e Edi Ramës ka miratuar Marrëveshjen e ofruar nga Beketi, duke pranuar në këtë mënyrë se ka gabuar në veprimet e saj përballë kompanive të tij në Shqipëri.
Burime konfidenciale qeveritare deklaruan për “Boldneës.al” se Avokatura e Shtetit dhe arbitri i pajtuar nga pala shqiptare për procesin në Arbitrazhin Ndërkombëtar, janë orientuar drejt një Marrëveshjeje me biznesmenin kontrovers.
Në bazë të rregullave Arbitrazhit Ndërkombëtar, palët në proces mund të gjejnë një akord mes tyre, para se çështja të mbyllet. Në përgjithësi, pala paditëse (Beketi në rastin konkret) mund t’i afrojë një Marrëveshje palës së paditur (qeverisë shqiptare).
Edi Rama dhe qeveria e tij, nëse do të ishin të bindur në veprimet që kanë ndërmarrë ndaj Beketit, nuk do të pranonin Marrëveshjen. Por, fakti që është pranuar Pakti i ofruar nga biznesmeni italian, dëshmon që qeveria shqiptare ka pranuar se ka vepruar në mënyrë abuzive ndaj tij.
Po ashtu, edhe fakti që Rama fshihet pas “konfidencialitetit” për të mos bërë transparent këtë rast, është një dëshmi më shumë se shteti shqiptar dhe Beketi kanë arritur Marrëveshje. Vendimet e Arbitrazhit ndërkombëtar janë të ngjashëm me ato të gjykatave, të cilat bëhen publike.
Ndërkohë që Marrëveshjet përfshijnë terma konfidencialë, publikimi i të cilave kërkon miratimin e palëve. Fakti që Rama e konsideron çështjen “konfidenciale”, krijon idenë e qartë se Gjykata e Arbitrazhit nuk ka marrë një vendim në themel, por e ka mbyllur çështjen pasi palët kanë miratuar Marrëveshjen mes tyre.
Por, a është e vërtetë që autoritetet shqiptare kanë vepruar në mënyrë abuzive, në dëm të Francesko Beketit?
Disa dokumenta hetimore, të siguruar nga “Boldneës.al” dëshmojnë se Francesko Beketi është përfshirë në një skemë mashtruese me koncensionarin e Kalivaçit, “KGE”.
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë së Tiranës, nisur nga referimi i Anti-krimit ekonomik në Policinë e Shtetit dhe Drejtorisë së Tatimeve, në qershor 2015, gjykata vendosi masën e arrest për Francesko Beketin, nënën e tij, Liljana Condomiti, si edhe për bashkëpunëtorin e tyre Mauro de Renzi.
Sipas hetimeve, disa kompani, të gjitha nën emrin e Beketit dhe njerëzve të tij të afërt, kanë kryer faturime fiktive për njëra-tjetrën, duke përfituar rreth 40 milionë euro.
Më konkretisht, kompania “Energji”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liljana Condomiti, kishte bërë fatura fiktive për punime të parealizuara në hidrocentralin e Kalivaçit, i cili ishte marrë me koncension nga kompania “KGE” e djalit të saj, Francesko Beketi.
Prokurorët arritën të siguronin qindra materiale dokumentare e fatura fiktive, nëpërmjet të cilave arritën të provonin skemën e ngritur nga Francesko Beketi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Beketi dhe njerëzit e tij të afërt nuk u arrestuan asnjëherë, pasi ata ishin larguar nga Shqipëria. Nga Anglia, ku qëndronte rezident, biznesmeni italian iu drejtua Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku i kërkonte penalizimin e shtetit shqiptar, për shkak të atyre që ai e konsideronte si “veprime abuzive kundër biznesit” të tij.
Në gjykimin në Arbitrazhin Ndërkombëtar, shteti shqiptar ka pasur të gjithë mundësinë për të dalë fitues përballë Francesko Beketit. Dokumentat e siguruar gjatë hetimit penal të Prokurorisë dukeshin të mjaftueshëm për të bindur arbitrat ndërkombëtarë se padia e Beketit ishte e pabazuar.
Por, kryeministri Rama dhe përfaqësuesit e tij kanë zgjedhur që të luajë rolin e “humbësit” dhe të pranojë Marrëveshjen 110 milionë euro, të prezantuar nga Francesko Beketi.
Arsyet se përse Rama ka zgjedhur këtë rol, ndërkohë që mund t’i shpëtonte qytetarëve shqiptarë 110 milionë euro nga taksat e tyre, ndoshta do të duhet kohë që të dalin në dritë.
“Boldnews.al”