“Pushteti dhe hija e tij seksuale”/ Tupja thirrje Ramës: Lexoje dhe shpëto nga…

0
196

Edmond Tupja ka komentuar shfaqen e kryeministrit Edi Rama në emisionin Opinion. Në një analizë publikuar te gazeta “Panorama”, Tupja shprehet se spektakli që Rama dha në emision “më shtyu të besoja se, deri diku, zoti Kryeministër është prekur nga kjo sindroma e hubrisit”.

Tupja shpjegon sindromën në fjalë dhe i bën thirrje kryeministrit të lexojë dy kapituj e studimit “Analizë klinike e pushtetit”, “për të shpëtuar nga vetvetja”.

ANALIZA

Të enjten e kaluar, në orën 21:00, shumëkush priste me interesim, madje ndoshta  me kureshtje, por jo me ndon- jë padurim të veçantë, të  shihte emisionin “Opinion” të  gjallëruar nga zoti Blendi Fevziu, gjatë të cilit zoti Kryeministër do të përballej, i  vetëm, por heroikisht, me  disa gazetarë të pamëshir- shëm, që sigurisht do ta bombardonin me pyetje të hidhura e do t’i ngrinin kurthe të  papara.

Por, në të mbaruar të çdo debati që ndoqi secilën prej pyetjeve të bëra nga gazetarët dhe nga vetë drejtuesi i emisionit, jo të pakta qenë momentet kur zoti Kryeministër shkëlqeu me frazeologjinë e tij të mësuar përmendsh, me retorikën e tij prej xhongleri të fjalës e prej pehlivani të mendimit.

 

Jo rrallë, falë akrobacive të tij verbale e gjestuale, falë gjithashtu pozave pompoze, falë, së fundi, edhe zërit të shtirur prej aktori pa sufler, ai u shfaq si një demagog me rrezatim të rremë teksa orvatej me një tërbim të përmbajtur ta kapte demin e debatit nga brirët, por, mjerisht, në shumicën e rasteve e kapi atë vetëm nga hija duke lënë përshtypjen se kishte dështuar deri diku në misionin e tij për t’u futur shqiptarëve të luhatur, por jo të luajtur, trutë apo drutë e gomarit, sipas rastit, natyrisht.

Para një jave, po në këtë rubrikë, kam përmendur të famshmen sindromë të hubrisit, të quajtur ndryshe sëmundja e pushtetit, për shkak të së cilës kryepushtetarët në mbarë vendet e botës, në të gjitha kohët e sistemet politike, karakterizohen herët a vonë, por pashmangësish, nga shkëputja prej realitetit, nga mospranimi kryeneç i vërejtjeve e i kritikave të të tjerëve, nga kryerja e veprimeve impulsive të paparashikueshme, nga fiksimi narcistik pas imazhit të vetvetes, nga abuzimi flagrant dhe pa kufi me pushtetin që gëzojnë, madje nga prirja për të besuar se janë të pazëvendësueshëm e ndoshta të pavdekshëm.

Fatkeqësisht, spektakli që na dha të enjten e shkuar zoti Kryeministër në emisionin “Opinion” të zotit Blendi Fevziu, më shtyu të besoja se, deri diku, zoti Kryeministër është prekur nga kjo sindromë.

Megjithatë, ende jo krejt i bindur për këtë, mbrëmë u futa në internet për të mësuar diçka më të thellë lidhur me sëmundjen e pushtetit kur, për fat, m’u kujtua se para disa vjetësh, një mik francez më kishte lavdëruar e, rrjedhimisht, dhuruar një libër ku autori analizonte fenomenin “pushtet”, por që nuk mbaja mend nëse e kisha lexuar apo jo. Pasi rrëmova në bibliotekën time për gati një gjysmë ore, më në fund “Eureka!”, mend thirra në mesnatë me zë të lartë.

Bëhej fjalë për një studim të titulluar “Clinique du pouvoir” (Analizë klinike e pushtetit) nga psivijon nga faqja 1 kosociologu francez Eugène Enriquez, të botuar në vitin 2012 në Tuluzë të Francës.

Ç’është e vërteta, nuk e kisha lexuar, dhe tek e shfletova, vura re se ishte një studim shumë serioz, me një bibliografi prej rreth 160 librash filozofësh, sociologësh, psikologësh, analistësh e shkrimtarësh të njohur botërisht, ku, në gati 250 faqe, analizohej me imtësi e në thellësi fenomeni “pushtet” dhe, natyrisht, figura fort komplekse e kryepushtetarit. I hodha një sy pasqyrës së lëndës dhe nga të dhjetë kapitujt, zgjodha të lexoja të gjashtin me titull “Le pouvoir entre paranoïa e perversion” (Pushteti midis paranojës dhe perversionit) dhe të nëntin me titull “Le pouvoir et son ombre sexuelle” (Pushteti dhe hija e tij seksuale).

Besomëni, të nderuara lexuese dhe lexues po aq të nderuar, leximi i tyre më la pa gojë. Si nuk i kisha lexuar më parë ato dy kapituj! Sa keq më vjen që nuk mund t’i përmbledh sot në këtë rubrikë modeste! Ju kërkoj ndjesë, por, ama, do t’ju lutesha, madje do t’ju përgjërohesha për diçka: Në e takofshi zotin Kryeministër, përpiquni ta bindni që ta lexojë librin në fjalë ose, të paktën, dy kapitujt e tij të lartpërmendur, sepse atje ai do të gjejë analizën klinike të pushtetit që ka dhe që e ushtron ashtu siç po shohim, por pa u besuar syve dhe veshëve!

T’i lexojë dhe të zhytet në mendime nëse dëshiron vërtet të shpëtojë jo nga armiqtë apo nga miqtë e tij të rremë, por nga VETVETJA! Së fundi, ju jap fjalën se do të bëj çmos të lidhem me autorin e librit në fjalë, pra, me zotin Eugène Enriquez, jo vetëm për ta falënderuar për atë libër, të cilin pushtetarët tanë të sotëm e të ardhshëm, të çdo krahu apo ngjyre qofshin, duhet ta lexojnë e rilexojnë sa herë që ta ndiejnë se po lajthitin; dua të lidhem me atë për t’i mësuar se, ndryshe nga ç’ndodh në anglishte, në frëngjishte e në italishte përkatësisht me fjalët “power”, “pouvoir” e “potere”, të cilat fillojnë thjesht me “p”, fjala shqipe “pushtet” dhe, rrjedhimisht, ajo “pushtetar”, fillon me “pusht”, çka konfirmon dhe, në fund të fundit, ilustron mrekullisht thelbin e analizës klinike që ai i ka bërë pushtetit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here