Alarmi!!! Stoku i dosjeve, 31 mijë/ Nga sot Shqipëria edhe pa Gjykatë të Lartë

0
130

Shkarkimi i gjyqtarit Edmond Islamaj e la Gjykatën e Lartë me vetëm dy anëtarë, duke e nxjerrë jashtë funksionit.

Ashtu si Gjykata Kushtetuese, edhe ajo e Lartë, tashmë është futur në ngërç në një kohë që numri i dosjeve që presin të shqyrtohen, ka shkuar rreth 31 mijë. Deri tani, Gjykata e Lartë ishte duke punuar me ritme të shpejta dhe kishte dhënë disa vendime urgjente, që mund të zgjidheshin me anëtarët e mbetur.

Tashmë, kësaj Gjykate i kanë mbetur kreu, Xhezair Zaganjori, dhe Ardian Dvorani. Ky i fundit është edhe drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, Xhezair Zaganjori pritet që shumë shpejt të fillojë “betejën” në Shkallën e Dytë të vetingut, pas ankimit të Komisionerit Publik, bërë vendimit të konfirmimit në Shkallë të Parë.

Në lidhje me këtë situatë të gjyqësorit në vend ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili tha se pasojat e kësaj gjendjeje do t’i vuajnë vetëm qytetarët dhe biznesi.

“Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj (të cilin e njohin të gjithë si një gjyqtar korrekt), ka si qëllim të vetëm mbylljen përfundimtare të Gjykatës së Lartë.

Nga sot, Shqipëria është jo vetëm pa Gjykatë Kushtetuese, por dhe pa Gjykatë të Lartë.

Nga sot nuk mund të shqyrtohet asnjë nga 40.000 dosjet që prisnin në radhë dhe drejtësia përfundimisht është futur në kolaps total.

Dhe në këtë pikë, ata që vuajnë nga mungesa e ekzistencës së një sistemi gjyqësor normal hierarkik, janë pa dyshim qytetarët e thjeshtë dhe po aq shumë biznesi. Sikur Gjykata e Lartë të krijohet në fund të vitit kur të jenë më shumë se 60.000 dosje, çdo qytetari dhe çdo kompanie do t’i duhej të paktën 7-8 vjet pritje për t’i ardhur radha”, shkruan Halimi ndër të tjera.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamajn, pasi nga shqyrtimi ka rezultuar se ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe pamjaftueshëm të pasurisë dhe për këtë nuk arrinte nivelin e besueshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here