Interpoli njoftoi të enjten se 9 persona u arrestuan në SHBA, Australi dhe Tailandë dhe 50 fëmijë u shpëtuan pasi hetuesit arritën të zbulojnë një rrjet pedofile online në internet. Arrestime të reja priten në 60 vende të tjera të botës, pasi hetimet që po avancojnë janë nisur nga Interpoli dy vjet më parë në një rrjet sekret në internet që kishte 63 mijë përdorues në mbarë botën.
50 fëmijë u shpëtuan pas arrestimeve. Policët po përpiqen të identifikojnë të tjerë në qindra imazhet që janë shpërndarë në qoshet e panjohura të internetit.
Interpoli tha se operacioni “Blackwrist” filloi pasi u gjetën materiale pas një abonimi në një rrjet të nëndheshëm ku njerëzit duhet të përdornin kode për të hyrë për të mbajtur fshehur sekretin. Këto lloj faqesh nuk mund të gjenden nga motorët e kërkimit dhe përdoruesve u nevojiten adresa specifike URL për të hyrë në to.
Interpoli u ndihmua nga agjensitë kombëtare në mbarë botën, nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA për të gjurmuar këto adresa IP në internet ku fotografi të reja dhe video të reja publikoheshin çdo javë.
Arrestimet e para në kuadrin e këtij hetimi u bënë në fillim të vitit 2018, ku administratori kryesor i rrjetit, Montri Salangam, u arrestua në Tailandë dhe një tjetër administrator, Ruecha Tokpuza, u kap në Australi.
“Makthi më i tmerrshëm i një fëmije”
Salangam, viktimë e të cilit ishte edhe një nga nipërit e tij, u dënua në qershor 2018 me 146 vjet burg nga gjykata tajlandeze, ndërsa një bashkëpunëtor i tij, mësues parashkollorësh, u dënua me 36 vjet burg. Tokpuza u dënua me 40 vjet burg në Australi të premten që kaloi, dënimi më i gjatë i dhënë për abuzim seksual me fëmijë në këtë vend.
31-vjeçari Tokpuza u shpall fajtor për 50 akuza për abuzim me 11 foshnja dhe fëmijë, njeri vetëm 15 muajsh, ndërmjet viteve 2011 dhe 2018.
“Ju jeni makthi më i tmerrshëm i një fëmije, ju jeni horrori për çdo prind, ju jeni një kërcënim për komunitetin”, tha gjykatësi Liesl Chapman në Adelaide.
Interpoli nuk i identifikoi të arrestuarit e tjerë.
Atasheu rajonal i HSI në Bangkok, Eric Mcloughlin, tha në deklaratën e tij se arrestime të shumta u bënë në SHBA. Disa persona mbanin pozicione publike tha ai dhe se njeri prej tyre abuzonte me një 2-vjeçar të familjes së tij.
“Operacioni “Blackwrist” u dërgon një mesazh të qartë atyre që abuzojnë me fëmijë, që prodhojnë dhe shpërndajnë materiale të shfrtëzimit seksual të fëmijëve: Ne ju ndjekim dhe ne do t’ju çojmë para drejtësisë!” tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Juergen Stock.