Gjatë takimit me strukturat e LSI-së në njësinë nr 8 në Tiranë, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi se edhe socialistët marrin pjesë në protestat kundër qeverisë Rama, pasi ata vuajnë njësoj tasat e ngritura, mungesën e vendeve të punës, mungesën e sigurisë dhe mungesën e barazisë në drejtësi, arsim dhe shëndetësi.
Kryetarja e LSI-së tha se është pikërisht Edi Rama kumbari i këtyre fenomeneve të cilat çdo ditë e më shumë po rëndojnë jetesën e familjeve shqiptare. “Dua të them që komunikimi ynë me njerëzit nuk është thjesht komunikim proteste dhe për të dalë e për të thënë që shqiptarët përkrahin opozitën. Jo! Komunikimi ynë është përfundimtar me shqiptarët për të thënë që të gjithë partitë politike, sepse sot me qytetarët janë të gjitha partitë politike. Është vetëm Rilindja e Edi Ramës ajo që ka kapur qeverinë, Parlamentin, Prokurorinë, gjykatat, të gjitha institucionet. Është vetëm një grup i vogël njerëzish, sepse pjesa më e madhe e socialistëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë në protestë. Diku janë në protestat e opozitës, diku janë në protestat e falimentimeve, qepenave të dyqaneve që ulen, sepse taksat nuk duan ta dinë je socialist, je demokrat, apo je lsi-st. Njerëzit i paguajnë taksat dhe taksat të cilat u kanë rënduar mbi shpatullat e tyre dhe e kanë falimentuar biznesin. Janë me qindra mijëra shqiptarë që kanë ikur për shkak të mungesës së punës në Shqipëri. Taksat e larta, mungesa e punës, ekonomia e trazuar, mungesa e sigurisë, diskriminimi, mungesa e barazisë në shërbime, në drejtësi, në arsim, në shëndetësi e kudo janë të gjitha fenomene që po shtohen çdo ditë e më shumë. Dhe në fakt këto fenomene kanë një kumbar, i cili është Edi Rama. Është ai që ka prodhuar këtë situatë ekonomike skandaloze, është ai që ka prodhuar këtë situatë në arsimin shqiptar, është ai që ka prodhuar këtë situatë në shëndetësinë që u premtoi shqiptarëve me të madhe që do bënte shëndetësinë falas, por në fakt kemi shëndetësinë më të shtrenjtë në rajon”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.