Ramës nuk ka kush ti shkruajë…

0
168

Në dy ditë rresht kryeministri Edi Rama i thirri arsyes së paarsyeshme të tij për të shkruar letra publike në adresë të kundërshtarit politik Lulzim Basha. Pas letrës së djeshme që më shumë se për dialog bënte analizë psiko-politike sipas botës së tij, ndaj opozitës, edhe sot nuk ndryshoi teksti.

“Duke Ju garantuar se jam në dispozicionin Tuaj, në çdo moment dhe pa kushte për një Dialog për Shqipërinë, si edhe duke Ju siguruar se sikur të tërë të dëshpëruarit nga Reforma në Drejtësi të hidhen përpjetë, nuk kanë për të ndalur dot as zbatimin e Reformës në Drejtësi, as zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, uroj rikthimin Tuaj sa më të shpejtë në rrugën e arsyes”, ky është thelbi i letrës publike të Ramës drejtuar Bashës, që më shumë se kërkesë për dialog, është një shtjellim dhe sulm politik ndaj kundërshtarit, duke e etiketuar të dhunshëm dhe të dalë nga shinat ligjore.

Ndonëse thotë pa kushte, ai vendos kushte të qarta duke këmbëngulur se zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor. Një lojë taktike e kryeministrit, i cili shpreson se me letra “poshtë derës” apo në sy të publikut, do të mundë të bindë skeptikët, brenda dhe jashtë vendit.

Kryedemokrati Lulzim Basha u shpreh se kërkesa për “dialog” nga kryeministri nuk ishte gjë tjetër përveçse ftesë për “kapitullim të opozitës”. Basha vijon të jetë i qëndrueshëm në kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kalimtare dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme.

Edi Rama tashmë e ka kuptuar se duke i marrë të gjitha, po humbet gjithçka. Institucionet e pavarura në vend nuk ekzistojnë më, që të gjitha ngjajnë zgjatime të zyrës kryeministrore. Ky qe qëllimi i kryeministrit që mbajti i vetëm qeverinë, kontrollin Parlamentin në çdo qelizë të saj, ministrat i ka si kukulla në duart e tij, drejtësinë tashmë e ka zaptuar dhe opinionit ndërkombëtar i ulëret se jemi në sistem demokratik.

Tentoi të krijojë një opozitë në Parlament pas largimit të opozitës së vërtetë, por edhe kjo nuk i eci, për shkak të nivelit skandaloz të deputetëve të rinj, e mbi të gjitha po kthehen qesharak në sytë e publikut.

Zgjedhjet lokale janë “vdekja politike” e Edi Ramës, nëse ata zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës zyrtare. Në kushtet e një depresioni mental e politik, kryeministri po çapitet në tentativat e fundit për të krijuar një panoramë të re, në një të shtëquajtur dialog pa kushte.

Është gati në lutje që nga opozita ti shkruajnë Atij, qoftë edhe duke e kundërshtuar në çdo frymë e thelb të dy letrave, por kjo nuk po i vjen. Humbja për Ramën është injorimi dhe aspak kundërshtimi. Gjeneralit të Rilindjes nuk ka kush ti shruajë…!

Boldnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here