Opozita zhvillon pasditen e sotme protestën e gjashtë kombëtare në Tiranë, duke kërkuar largimin e Edi Ramës si kryeministër.
Masat – Te Kryeministria, Parlamenti dhe Ministria e Brendshme kanë filluar të vendosen barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos te hipin në to. Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gadishmëri, dhe kamerat e sigurisë në zonat përreth janë gati, por plani që kanë për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi të mundshëm nga ana e protestuesve mbahet ende sekret. Jo zyrtarisht thuhet se rreth 1500 policisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë, shifër e cila i përafrohet protestave të tjera. Të gjitha repartet e policisë, duke filluar nga FNSH dhe RENEA, do të jenë aty. Protesta pritet të fillojë të shtunën në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë.
Strategjia – Protesta e pasdites së sotme pritet të ketë një organizim të ngjashëm me protestën e kaluar. Pritet që lideri i opozitës Lulzim Basha të mbajë një fjalim para Kryeministrisë e më pas protesta të zhvillohet në formën e një marshimi. Pasi të mblidhen të Kryeministria, protestuesit pritet të marshojnë drejt Parlamentit dhe ndërtesa të tjera qeveritare.