Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili po hetohej në lidhje me kërcënimet ndaj oficerit të Policisë së Fushë-Krujës, Emilano Nuhu.
Organi i akuzës ka arsyetuar se nuk provohet që Nuhu të jetë kërcënuar nga pjesëtarë të fisit Rraja nga Fushë-Kruja, ndaj për këtë shkak pak javë më parë, dosja është vendosur të arkivohet, duke rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga denoncuesi.
Në muajin korrik të vitit 2018, oficeri i Policisë Emiljano Nuhu denoncoi në komisariatin nr 6 në Tiranë, se ishte kërcënuar nga Redjan e Ramazan Rraja, në një lokal në zonën e Unazës së Re.
Ata i kishin kërkuar Nuhut që të hiqte dorë nga çështja ku Rexhep Rraja akuzohej se kishte dhunuar të dashurën Xhisiela Maloku.
Sipas policisë nga verifikimi i kamerave të sigurisë të një lokali takimi mes Nuhut dhe personave të akuzuar ishte miqësor dhe nuk provohej që Emiljano Nuhu të ishte kërcënuar.
Oficeri u largua jashtë Shqipërisë, dhe tashmë ka fitur azil politik në Hollandë, ndërsa çështja nuk do të mbyllet këtu.