Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se kryeministri Edi Rama nuk është pronari i Shqipërisë dhe nuk mund të zgjedhë se kur do të ikë, por duhët të dëgjojë zërin e qytetarëve.
Intervista e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, për ‘Ora News’
Një tjetër letër i është drejtuar z.Lulzim Basha. Është një korrespondencë aktive kjo e fundit mes kreut të opozitës dhe kreut të mazhorancës dhe Ju besoni se jemi larg kësaj tryeze ndoshta të përbashkët që mund t’ju ul të dyja palët?
Unë nuk kam parë korrespondencë, kam parë monolog. Është një njeri që nuk ka punë e shkruan letra. Ka marrë përsipër përfundimisht të largohet nga drejtimi i vendit, nuk ka asnjë aksion të madh, as qeveritar asnjë aksion të karakterit të fortë politik, pasi jemi në një krizë politike më të thellë dhe të përjetuar në pluralizëm. Kemi vetëm një përçartje psikologjike të një njeriu në hall, i cili shikon fundin e vetes si fundin e botës dhe shkruan pa pushim. Në psikiatri kjo njihet nuk është ndonjë fenomen i ri, që kushdo që merret me atë shkencë e di shumë mirë që këtu kemi të bëjmë më një njeri me probleme të mëdha psikike. Sepse nuk janë probleme politike, një njeri që shkruan e shkruan dhe konsumon monologje, ju mbani mend ka pasur traditë përpara ka shtruar kurbanin, tani nuk është çështja më për tu marr me sëmundjen e këtij njeriu. Këtu problemi është që sëmundja e këtij njeriu po dëmton vendin. Unë i kam sugjeruar pak çaste më parë që ai sa i lodh shqiptarët me letra meqë iu fut të merret me letra tani, mirë do bënte ti përmblidhte ndonjë ditë se ai vetëkënaqet ne ato që shkruan, i shkruan dhe adhuron ato të vetat.
Të shkruante një letër të shtatë, kam propozuar ta shkruajë nesër, të thotë si arriti ky duke drejtuar listën e deputetëve të Vlorës, duke shkuar në Vlorë, duke folur për transformimin e Vlorës, ku sot Arta Marku që është Prokurore e propozuar nga ky nuk është Prokurore e të gjitha palëve, raportoi publikisht që qyteti i Vlorës, zona, qarku me krimin më të lartë në vend është Vlora. Ky ka kryesuar listën e deputetëve, është Kryeministër, ka mbajtur anti-mitingun e parë të përgjigjes së opozitës në Vlorë, le të shkruajë një letër të thotë si e arriti këtë sukses në thonjëza kaq të madh, që e bëri Vlorën, zonën më të kriminalizuar. Kjo zonë super e kriminalizuar si do ta arrijë turizmin për të cilin ky pretendon dhe qan e lan gjithë ditën apo tërheqjen e biznesit sepse Vlora është pikë strategjik, duhet të ishte një pikë atraktive për të tërhequr bizneset etj. Duhet të shkruaj një letër ti kthejë përgjigje Financial Times, ju e lexuat artikullin shumë të rëndësishëm. Financial Time është një media, nuk jam unë që mund ti bëj komente, ku flet qartë që krimi dhe korrupsioni pengojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Ka disa letra të dobishme që mund të shkruajë, ti kthejë përgjigje, gjithmonë si sukses, suksesin që arriti në Vlorë që e kriminalizoi, si e kriminalizoi vendin, suksesin sesi Integrimin Evropian, nga 5 kushte e coi në 13 kushte. Ka një sesi “suksesesh”.
Letrat duket se po iu vjen fundi ka thënë dhe vetë Kryeministri…
Nuk e dini ju se ku e ka fundin një anormal. Mos jini kaq e sigurtë.
Është Kryeministri i vendit…
Një kryeministër duhet të sillet si kryeministër nuk merret me dëngla dhe me letra kryeministri ndërkohë që Kriminaliteti po pengon integrimin e vendit. Nuk e them unë, e thotë Financial Time. Keni parë se ç’qëndrime vijnë nga Gjermania, Franca, Holanda, nga të gjitha vendet që do marrim vlerësim. Ky zotëri ka vendosur të mos sillet si kryeministër, sepse nuk e ndjen veten si kryeministër i këtij vendi dhe unë nuk mund të flas në emër të tij kur ai nuk e konsideron veten të tillë. Këto çështje kërkojnë të adresohen, kurse ky shkruan letra.
Po në këto kushte kur vijon korrespondenca e letrave, çfarë do të ndodhë z. Vasili?
Monolog, sepse përgjigjet e Bashës kanë qenë një formë prononcimi e largët politik, nuk kanë qenë as letra, e asgjë fare, ka qenë për të shkëmbyer një batutë dhe për të poshtëruar ato letra.
Si do ti gjendet një zgjidhje z. Vasili, në këtë situatë kur ju kërkoni largimin e kryeministrit dhe ai nuk e negocion këtë kusht?
Problemi qëndron këtu, një kryeministër kur merr detyrën, e merr të qeverisi vendin, nuk pronëson një qeveri, nuk ka marrë pronë 2.5 milionë shqiptar, nuk e kanë votuar 2.5 milionë shqiptar, e kanë votuar 700 mijë shqiptar dhe ka marrë përgjegjësi të qeverisi 2 milionë e gjysmë, të qeverisi si duhet, të krijojë paqe sociale edhe politike sepse është ai që ka pushtetin në dorë, të krijojë kushte që biznesi të shkojë përpara, integrimi të shkojë përpara, të minimizohet kriminaliteti dhe të mos kemi trafiqe. I mungon të gjitha këtyre detyrave dhe për shkak të këtij kemi të gjitha gjërat që i mbyllin rrugët Shqipërisë, të cilat e dekurajojnë biznesin, e bëjnë të iki dhe të largohet nga Shqipëria, ta përballojnë varfërinë ekstreme, të gjitha këtyre detyrave, ky kryeministër jo vetëm që i ka munguar, por ka bërë të kundërtën, ka thelluar në mënyrë ekstreme fenomene të cilat gërryejnë shtetin. Një njeri që i mungon detyrës largohet sepse nuk është pronar i qeverisë. Nuk do të thotë që dua të iki apo nuk dua të iki. Dua apo nuk dua të iki ka të drejtë të thotë vetëm një njeri, ai që është pronari i një biznesi të vet. Pronari i biznesit të Ora News, Ylli Ndroqi i merr vetë vendimet e tija sepse është ai që ka ndërtuar një biznes me duart e tij. Ky nuk është atje se ka një biznes të cilin e ka në dorë dhe e lë apo se lë si të dojë. Ky njeri është votuar nga një numër i caktuar njerëzish për të qeverisur vendin dhe ku u krijon një shqetësim madhor 3 milion shqiptarëve, ky largohet dhe nuk është dëshirë e tij dhe prandaj protestat janë masive popullore për t’i tërhequr vëmendjen, deri në momentin kur protestat do ta marrin një vendim, i cili do të jetë shumë i rreptë. Vendimi mund të jetë gjithfarësh, në përgjithësi i papajtueshëm. S’mund të pranojnë shqiptarët që të pranojnë që të shkruajë ky letra dhe shqiptarët të rrinë në fukarallëk.
Ajo që u duk në protestën e së shtunës, është që u duk një protestë paqësore, nuk pati të lënduar nga asnjëra nga palët, erdhi kjo për shkak të një presioni ndërkombëtar ndoshta në të dyja anët, qoftë për opozitën dhe qoftë për mazhorancën?
Në protestën e së shtunës ju patë një gjë shumë interesante. Ky kryeministër i cili i ka sjelljet ordinere në të gjitha pikëpamjet edhe atë ditë, për të provokuar protestuesit kordoni i policisë që qëndronte për të siguruar Parlamentin e Shqipërisë u hap në mënyrë të çuditshme që protestuesit e zemëruar të hynin dhe të provokoheshin. Pra, u krijuan premisat për ta provokuar, është një qeverisje, ky grup që ka rrëmbyer qeverinë dhe ecin mbi strategjinë e provokimit, të provokojmë dhe mbi të provokojmë dhe mbi provokimin dhe ngjarjen që ndodh të shtyjmë disa ditë pushtet. Problemi është se çfarë përgjigjesh kanë për këto çështje të mëdha, në të cilat ka hyrë vendi. Edi Rama është i detyruar sepse nuk ka asnjë investim të huaj dhe gënjen për investime, të cilat kanë ndodhur 7-8 vjet më parë kur nuk qeveristë ky. Këtu nuk ka asgjë themelore në ekonominë shqiptarë që ekonomia shqiptare të marrë frymë dhe nëse ekonomia ndodhet në këtë krizë të tmerrshme dhe varfëria është ekstreme është cënuar paqja sociale e këtij vendi, pra ky vend nuk ka një qetësia, por ka një shqetësim që vjen nga një varfëri e madhe dhe një korrupsion ekstremal. Çfarë të bëjnë njerëzit? Të bashkëjetojnë me ata që vjedhin në Unazën e Re? Tani heqin nga dhjetra drejtorë hipotekash çdo ditë dhe inspektorë, por këto morën tepsinë dhe timon që nuk do të kishte më korrupsion dhe njerëzve u tha se mjafto të shkruajnë atje tek portali i kryeministrit të zgjidhin problemet. Ky është një vend ku shteti ka rënë, dhe çfarë po bëjmë ne? Kujt i hyn në punë ky Kryeministër?
Nëse do të ketë një marrëveshje, sa shanse ka opozita të hyjë në zgjedhjet vendore?
Zgjedhjet vendore kanë mbaruar zonjë. Zgjedhjet vendorë kanë afate dhe nuk janë thjesht dhe vetëm një proces ku shkohet dhe votohet, duhet t’i jepet mundësia të zgjidhet. Sistemi ynë politik është një sistem pluralist. Ne kemi një kryeministër dhe një shumicë, e cila ka marrë vendim politik për shkak të frikës për të dalë nga sistemi politik. Ju keni më shumë vende nga gjysma e Shqipërisë që nuk kanë kandidatë. Do të kthehemi në kohën e Partisë së Punës ku kishte vetëm një kandidat? Problemi këtu është më i thellë, nuk është tek marrëveshja. Ka rënë sistemi politik. Parlamenti sot përfundimisht nuk bën dot 140 deputetë dhe u mbyll me 122 deputetë se listat e PD-së dhe LSI-së kanë shteruar.
–
Kjo do të thotë që nuk funksionin Parlamenti ligjërisht?
Nuk e them unë, por e thotë Kushtetuta që Parlamenti i Shqipërisë ka 140 deputetë. Me 140 deputetë ju e dini që fiton me 71 vota, që 2/3 janë 94 vota, që 3/5 janë 84 vota, sa deputetë ka Parlamenti i Shqipërisë? Deri në përfundim të legjislaturës ky Parlament me 122 deputetë do funksionojë? Këto janë turpe që ky vend nuk i ka parë dhe nuk ka për t’i parë më kurrë. Këtu i gjithë sistemi politik ka rënë se çka ndodhur? PS është shkëputur nga sistemi ka kaluar në monizëm, Parlamentin e ka kthyer në monizëm, pasi opozita nuk ekziston, sistemi e drejtësisë, faktet janë të qarta. Nëse në sistemin e drejtësisë kemi njerëz të kontestuar nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit, pavarësisht nga këto duartrokitjet e ndërkombëtare se atje janë, vetë ata i kanë kontestuar. Kemi bashkëpunëtor të sigurimit, kemi nga ata që bëjnë Vettingun që janë vetë që kanë falsifikuar dokumente, dëftesa, të ardhura etj. Pra dhe drejtësinë e kapëm. Këtu thjesht është rrëzuar sistemi politik dhe këtu nuk është çështje thjesht marrëveshje. E gjitha sipërmarrje gjigante e opozitës është për të rikthyer Shqipërinë në sistemin pluralist, për të cilin kemi vendosur në vitin 1991. Sot nuk ka pluralizëm në Shqipëri, sot ka thjesht monizëm dhe kjo është gjëja më e rëndë që mund t’i ndodhte Shqipërisë
Fjala kompromis për opozitën çfarë do të thotë? A është e mundur që të arrihet në një lloj diskursi të tillë që mund të çojë edhe më pas të dali nga ky ngërç nga kjo krizë?
Rruga e vetme në të cilin ky sistemi politik ka lindur, ne vitin 91 dhe është i pa kthyeshëm, i pa tjetërsueshëm sa të jetë jeta, është një sistem pluralist i cili ndërtohet mbi9 votën e lirë dhe të barabartë. Pra mbi mundësinë e zgjedhjes. Pra të kesh mundësi të zgjedhësh jo të votosh. Në konceptin e tyre ekziston ideja komuniste të vemi të votojmë. Hidhni votat. Ka nga këta të çmendur që mund ta dëgjoni, e dini çfarë thonë apo jo? Nuk ka problem thonë në një bashki thotë. S’ka problem. Mund të kenë edhe 70 mijë votues. Votuan 1 mije ata të tjerët nuk deshën të votojnë thonë. Nuk ka problem për ta.
Por në qoftë se do të bëhen zgjedhje dhe këta votues që ju po përmendni do të shkojnë të votojnë, çfarë do të bëjë opozita?
Praktikisht zonjë, mos më bëni pyetje të tilla. Bëni një pyetje shumë më logjike. Unë po ju shpjegoj që mbi 60 % në Shqipëri nuk kanë çfarë të votojnë sepse është vetëm një kandidat. Ju do të shkoni të votoni vetëm për një kandidat? Ku e keni mundësin e zgjedhjes ju? Unë jam qytetar Petrit Vasili, ju jeni qytetare.
Kemi të drejtë zgjedhje kur sistemi pluralist ka rënë dhe kemi vetëm një kandidat?
Si do ti pengoni zgjedhjet? Ju frikon fakti që kryeministri ka thënë se personat që do të tentojnë të pengojnë procesin zgjedhor të 30 qershorit do të penalizohen edhe me mundësin që mund të mos kalojnë në BE, në shtetet e Bashkimit Europianë dhe në SHBA?
Unë thash në krye të herës. Mendova ta zgjidhim me çfarë thotë ky se thash është njeri i tronditur psikik. Ky tani mund të flasë edhe në emër të, jo vetëm BE-së, Shteteve të Bashkuara. Mund të flasin në emër të Kinës, mund të flas në emër të Rusisë. Një mendje e çartur ku nuk shkon. E di çfarë bënë mëndja e këtij apo jo? Ky brenda natës mund të gdhihet nesër e i duket vetja sikur është mbret i Shqipërisë. Të shikojë Kështjella Pallate Mbretërore. Po ta dëgjojnë gjithë shqiptarët, nuk kanë për të zgjedhur, sepse nuk mund të shkojnë që në 70 për qind të Shqipërisë ka 1 kandidat. Ky është pluralizmi në Shqipëri? Dhe ky Parlamenti që kemi sot për faqe të zezë ka 122 deputetë. Jo po ti themi ta bëjnë me 71 deputetë ndonjë ditë, mjafton. Por nuk është ky pluralizmi. Prandaj është ndërtuar Kushtetuta që përcakton qartë gjithçka. Një qeveria e cila merr vendimin politik të dalë nga sistemi politik sigurisht që duhet të përballet patjetër me këtë qëndrim shumë të rreptë politik dhe popullor sepse ne duam pluralizëm. Nuk e mbajti dot as Ramiz Alia që vinte nga Partia e Punës për këtë punë, u shkërmoq brenda natës. Ne kemi treguar durim të madh, në dhjetëra protesta, të të gjitha dimensioneve për të sensibilizuar që katastrofa politike e këtij vendi është e pashembullt. Kjo është arsyeja dhe nuk kemi pasur arsye të imponojmë në forma të tjera. Ka qenë shumë e lehtë për ta bërë këtë punë, por ka qenë thellësia e mesazhit. Prandaj dhe ky mesazh është përcjellë në të gjitha mediat mbarëbotërore.
Çfarë do të ndodhë në protestën e 2 qershorit? Është e njëjta strategji me ato të të mëparshmëve?
Do jetë surprizë edhe ajo, sikurse ishte edhe kjo e fundit, sigurisht në të mirë të vendit.
Edhe një koment të fundit për zgjedhjet në Parlamentin Evropian. A është një lajm i mirë për Shqipërinë fakti që shumica e forcave kanë arritur të ruajnë shumicën në PE dhe për procesin e integrimit?
Këto votime siguruan një ruajtje të proevropianizmit, por të kufizuar. Nuk kemi të njëjtin parlament me gjerësi proevropiane si atë që lamë pas. Ai parlament ka mirëkuptime të mëdha, ka veto, pra siguron një balancim mendimi të jashtëzakonshëm. Por në radhë të parë Evropa ka detyrë që duke ndryshuar veten, të ndryshojë edhe raportin me të gjithë të tjerët. Pra të jetë një Evropë kritike atje ku duhet, të jetë aktive në ato norma mbi të cilat u ndërtua. Pra të mos ndodhë kurrë që Evropa të duartrokasë siç ka bërë sot për Shqipërinë dhe ne të marrim që nga 2016-a 3-4 rekomandime të njëpasnjëshme super pozitive dhe negociata që nuk hapen. Pra na duhet që ditën që ne kjo Evropë na vlerëson me objektivitet deri në fund, ajo ditë është një ditë e arritjes së një suksesi dhe jo thjesht dhe vetëm fjalë të bukura që bëjnë shtyrjen e radhës. Pra të gjithë bashkë, Evropa duhet të ndryshojë por edhe ne duhet të ndryshojmë.