Deputetët të besuar, kryetarët e qarqeve, njerëzit e zgjedhur për të përcjellë mesazhet që ka vendosur të shpërndajë kryetari i PS.
Një aktivitet partiak që do të kalonte pa bujë, nëse nuk do të kishte dy karakteristika: e para që është darkë dhe e dyta që zhvillohet pikërisht ditën kur Edi Rama postoi në Instagram pikturën e famshme të Leo Da Vincit “Darka e Fundit”.
![](https://dosja.al/wp-content/uploads/2019/05/darja.jpg)
A ka lidhje mes postimit të Kryeministrit dhe darkës së njoftuar sot?
Këtë do ta marrim vesh në vazhdim, por disa tregues bëjnë të dyshosh.
Ashtu si tek “Darka e Fundit”, ku ishin 12 apostujt (ndjekësit më të besuar të Krishtit në atë kohë), edhe Rama ka zgjedhur të thërrasë njerëzit më të besuar të partisë, jo gjithë grupin parlamentar, jo gjithë funksionarët e partisë, jo ministrat.
Mes të ftuarve në darkë do të ketë edhe përfaqësues të të pakënaqurve. Ashtu si te “Darka e Fundit”, Krishti tha që njëri prej tyre do ta tradhëtonte dhe Juda u vetëzbulua.
Kush do të largohet sot nga darka e Ramës?
Me shumë gjasa Juda gjendet mes ish – ministrave të larguar në dhjetor 2018, pikërisht 6 muaj më parë.
Ishte darka e fundit, kur Krishti do të zgjidhte Shën Pjetrin për t’i dhënë çelësat e Parajsës përpara se të nisej vetë atje.
“Do më mohosh 3 herë përpara se të këndojë gjeli në agim”, i tha Krishti pasuesit kryesor dhe ashtu ndodhi.
A do të jetë kjo darka kur Rama do të zgjedhë edhe pasuesin, ose më mirë pasardhësin?
Për këtë duhet të presim për të parë se kush do ta mohojë 3 herë deri në zgjedhjet më të afërta.
Paralelizmi i nxitur nga vetë Kryeministri ka krijuar shumë hamëndje, që do të mbeten të tilla për disa orë ose edhe ditë, derisa të merret vesh e vërteta.
Simbolika që ai zgjodhi që në mëngjes, mund të duket si paralajmërim i dorëheqjes. Kjo do të ishte vërtet lëvizja më e papritur që mund të bënte Edi Rama./dosja.al