Është vetëdorëzuar në polici punonjësi që plagosi një person në Sauk gjatë mengjesit të sotëm.
Përplasje me armë zjarri ndodhi mëngjesin e sotëm në parkingun e një hoteli në Sauk, përballë Akademisë së Sigurisë.
Mësohet se autori i plagosjes është Ndue Ndoj 25-vjeç, nën-ispektor i cili po ndiqte studimet pranë Akademisë së sigurisë.
Ai pretendon, shpjegojnë burime policore, se është sulmuar nga tre persona të cilët janë përpjekur ta rrëmbejnë. Fillimisht ai është thirrur nga agresorët të cilët kanë qenë brenda një automjeti të parkuar përpara hotelit ku ndodhi ngjarja.
Mësohet se autori i plagosjes dhe tre personat që e kanë sulmuar njiheshin më herët me njëri-tjetin.
Njëri prej agresorëve ka qenë i armatosur dhe i ka vënë armën në kokë 25-vjeçarit, por në momentin kur ata kanë tentuar ta marrin me forcë, Ndoj ka bërë rezistencë duke i marrë edhe armën nga dora.Pas konfrontimit, ai ka plagosur Ervis Muratin 27-vjeç, një prej personave i cili po përpiqej ta rrëmbente.
Mësohet se Murati është qëlluar në pjesën e barkut dhe është dërguar në spitalin e Traumës.Policia ka shpallur në kërkim dy agresorët e tjerë të cilët janë larguar nga vendngjarja.