Nga Gentian Gaba
Edhe njëherë, për të cituar shkrimtarin rumun Constantin Virgil Gheorghiu, jemi në orën e 25-të. Një kohë pa kohë nga e cila shqiptarët presin, in extremis, zgjidhjen e një krize që prej shumë gjatë ka kapur vendin.
Nën presionin e protestave, zgjedhjeve vendore moniste që po trokasin dhe rolit të ri të Gjermanisë në këtë krizë, Rama ka nisur një seri letrash në të cilat kërkon dialog me kreun e opozitës. Një ftesë që me sa duket nuk po merret në konsideratë nga pala tjetër, si për shkak të sinqeritetit të munguar në ato radhë të hedhura në Facebook, si për nga koha në të cilën kjo ftesë po hidhet në tryezë.
Nëse dialogu do të ishte një prerogativë e kryeministrit, ai do të duhej të diskutonte me opozitën përpara se të vendoste ne krye të Prokurorisë së Përgjithshme, me 69 vota, Arta Markun. Duhej të dialogonte me opozitën kur kjo e fundit kërkonte largimin e Ministrit Xhafaj, minimalisht për shkak të konfliktit të interesit që situata në të cilën ai ndodhej dhe në të cilën vendoste qeverinë shqiptare. Duhej të dialogonte me opozitën kur ajo propozoi ‘Vettingun në politikë’. Duhej të dialogonte me opozitën kur dolën përgjimet e dosjes 339, të cilat faktojnë krimin elektoral. Duhej të dialogonte me opozitën kur, pas 16 Shkurtit, u paralajmërua djegia e mandateve. Nuk e bëri në asnjë moment, dhe çdo gjë që fshihet pas dialogut që Rama kërkon, nuk është as në dobi të opozitës dhe më e rëndësishme, as në dobi të interesit publik.
Në këtë kontekst, me zgjedhjet e 25 qershorit të rëna, me Gjykatën Kushtetuese të rënë, me Gjykatën e Lartë të rënë, zgjedhjet e parakohshme duken i vetmi instrument për të dalë nga kriza.
Sigurisht nuk mund të presim që shkaktari i krizës të frymëzohet nga qëndrimet e liderëve europianë si Kurz, May apo Tsipras, dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme. Por nisur nga shterimi i listave vijuese të partive që lanë mandatet, në pamundësi për të respektuar nenin 64 të Kushtetutës, sipas të cilit Parlamenti përbëhet nga 140 deputetë, dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar legjitimitetin, i takon Presidentit të Republikës të thotë fjalën e tij mbi këtë çështje.
Sipas Seymour Martin Lipset: “Legjitimiteti nënkupton aftësinë e një sistemi për të krijuar dhe ruajtur besimin e qytetarëve se institucionet politike ekzistuese janë më të përshtatshmet për shoqërinë”. Do të thotë se legjitimiteti i një sistemi politik, i një parlamenti apo i një qeverie, qoftë edhe të ardhur në pushtet me anë të zgjedhjeve të lira (edhe pse në rastin e tonë përgjimet vërtetojnë të kundërtën), nuk mund të merret i mirëqenë, tërësisht dhe përfundimisht vetëm nga rezultatet e votimeve.
Pra, një qeveri humbet legjitimitetin kur vërteton se nuk është në gjendje të qeverisë në mënyrë efektive (pa harruar se qeveria aktuale prej kohësh qeveris vetëm krizat që shkakton); kur në politikën e brendshme vepron në kundërshtim me programin elektoral që mundësoi marrjen në dorë të pushtetit (premtoi se duke marrë ‘timonin’ do të çonte ‘tepsinë’ për skrap, por, sipas KLSH-së, për parregullsi financiare dhe dëm ekonomik, vetëm në vitin 2018, fatura shkoi 1.7 miliard euro). Kur në politikën e jashtme rrezikon për herë të tretë çeljen e negociatave (sikurse konfirmon ‘Financial Times’, jo për shkak të opozitës, por të shqetësimeve ‘rreth sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar’); ose tund flamurin e ‘Shqipërisë së Madhe’, kur procesi negociatave ngec në moçalin që vetë qeveria krijon.
Ky ekzekutiv me legjitimitet të humbur, është produkt i një Parlamenti që ka vetëm 122 deputetë, pra jo legjitim. Ndoshta, pa zgjatur agoninë e kësaj asambleje, ka ardhur koha që Presidenti ta shpërndajë atë, ose, të paktën, të nxisë një debat kombëtar mbi legjitimitetin e tij.