Për herë të parë në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri dhe me gjasë edhe në të gjithë botën, qytetarët do të kenë mundësinë për të votuar për partinë e drejtuar nga Kryetari i Akademisë së Shkencave.
“Panorama” publikon fletën e votimit të miratuar nga KQZ ku shqiptarët kanë mundësinë të votojnë politikisht për subjektet politike, në numrin 28 të saj është Partia Social Demokrate me kryetar, Skënder Gjinushin.
Një precedent i tillë do të çudiste këdo në botë, por sa i takon procesit zgjedhor në Shqipëri është vetëm çudia e radhës. 24 orë përpara se PS të nis fushatën elektorale ku në 35 qytete është de facto fituese pasi nuk ka rivalë përballë, zgjedhjeve i shtohet edhe kryetari i Akademisë së Shkencave.
Ndonëse përpara se të merrte votëbesimin e anëtarëve të Akademisë së Shkencave, Gjinushi deklaroi se kishte dhënë dorëheqjen nga funksionet e tij në parti, në fletën e votimit subjekti politik PSD njeh atë për kryetar.