Kuvendi i Pavend që po gajas çdokënd!

0
205

 

Shqipëria në këto 30 vite demokraci ka treguar se ka mbajtur me vendosmëri primatin në Evropë për shumëçka, nga shifrat drastike të emigrimit, i cili mori dhenë në vitet ’90 dhe u rikthye “bindshëm” në 4 vitet e fundit (aq sa parakaluam edhe vendet në luftë)  e deri tek niveli i varfërisë, korrupsionit, krimit të organizuar etj. E megjithatë Parlamenti i Shqipërisë i këtyre 6 viteve ka thyer çdo parashikim nga sa më sipër. Ishim të parët dhe me siguri këtë rekord do e mbajmë gjatë, që njerëzit me rekorde kriminale i përfshimë në grup në Kuvend, duke i paraqitur para shqiptarëve si figura që kanë mbështetjen e qytetarëve. Po i njejti Parlament është unik në llojin e tij në Evropë, pasi për paketën me ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi në verën e 2016-ës votuan edhe deputetë me precedentë penalë e ish-ministra që sot hetohen për lidhje me krimin e organizuar. E ku ka më ironi të madhe për demokracinë funksionale se sa disa individë të proceduar më parë për vepra të rënda penale të votojë me kartonin jeshil për reformën në drejtësi!

Por siç deklaron Kryeministri me shprehjen e tij të famshme, duket se “nuk kishim parë asgjë akoma”. Në fakt u bë sebep djegia e mandateve të opozitës për të “shijuar” sot atë që mund të cilësohet se Parlamenti i gajasjes dhe fasadës. Në parantezë vlen të theksojmë se në këto 6 vite nuk është se Kuvendi ishte aula ku debatohej me standarde për nisma e projektligje, pasi në të shumtën e rasteve debati përqëndrohej tek akuzat personale, fyerjet mes palëve, batutave deri në banale e ndonjëheri nuk ka munguar as sherri me grushta. Përpos këtij fakti, nuk mund të mohohet se mazhoranca përballej me iniciative ligjore e denoncime të forta nga opozita, aq sa një pjesë e mirë e atyre që sot cilësohen si skandale të qeverisjes “Rama”, janë bërë publike në sallën e Parlamentit ( kujtojmë denoncimet për avionët me drogë).  Mund të numërohen me qindra në këto vite, iniciativat ligjore të ndërmarra nga opozita ( fillimisht për 4 vite PD e më pas PD+LSI për dy vite), por që në të shumtën e rasteve kanë marrë një “jo” arrogante nga mazhoranca që avantazh të fortë ka pas numrat në Kuvend.

Dhe nëse për një moment opozitën reale të votuar nga qytetarët në 2017-ën do ta krahasonim me opozitën e re në Parlament lehtësisht do të vinim re se qëndrojnë me vite dritë larg njëra-tjetrës. Padyshim edhe në këtë pikë pa faj nuk mbeten kryetarët respektivë të partive opozitare, që për të mbushur listat e kandidatëve përfshinë aty për hir të aleancave, miqësisë apo për disa vota më shumë, emra që i shërbejnë më së shumti një spektakli humori.

Në këtë Parlament unik në përbërjen e tij, Kryeministri del e flet në foltoren e Parlamentit vetëm sa për të përmbushur adetin e së enjtes, duke mos llogaritur as për një sekondë të vetme se mund të hasë në oponencnën e opozitës së re. Madje as nuk i llogarit, por shpeshherë hedh batuta dhe mundohet t’i kthejë në faktor brenda sallës sa për të vërtetuar se në Parlament ka edhe opozitë!

Nga njëra anë kemi Kujtim Gjuzin, fenomenin e ri të rrjeteve sociale, që me orën e tij “atlantic” dhe telefonin e tij ka thyer çdo rekord shikueshmërie, duke parakaluar edhe emisionet humoristike të së fundjavës në televizionet kombëtare. E në gjithë këtë situatë, ska se si Kryeminsitri mos kënaqet e ta kthejë sallën e Parlamentit në një studio emisioni humoristic. “Kam nderin e madh të ndërpritem nga naltmadhnia e tij, Kujtim Gjuzi i Parë”, tha Rama sot. E ndërkohë si për të pltësouar skeçin, Gjuzi ju përgjigj: “Zoti kryeministër kjo është një letër nga administrata juaj ku shkruhet zoti Gjuzi ose zoti Kujtim. Nuk mund të më thoni mua kurrë naltmadhëni”…

Nga ana tjetër kemi Rudina Hajdarin, që duket se e ka të pamundur të mbyllë një fjalim nga fillimi në fund pa një gafë. Dhe më e goditura ishte deklarata gjatë ditës së sotme, kur i kërkonte llogari Ramës se pse opozita jahstë Parlamentit e akuzonte atë si palë me qeverinë!! “Çfarë kusuri kam unë që opozita jashtë parlamentare të më akuzojë se jam palë me ju? Pse nuk mund të kem bindjet e mia për këtë vend?”, ju drejtua Hajdari, Ramës e ndërsa ky i fundit nuk e kurseu ironinë. “Është e drejta dhe puna juaj, nuk mund ti ankoheni askujt sepse atë kusur e keni për vete siç secili ka për vete kusurin e vet”

 

Por mos harrojmë Myslim Murrizin, antikomunistin e madh! Njeriun që kërkon të njihet si demokrati me vena blu që nga ‘90, por që nuk nguron të ndërrojë vendin e kryeparlamentarit me Gramoz Ruçin, njeriun që akuzohet si përgjegjës për ngjarje tragjike në Shkodër në prill të vitit 1992.

Pas kësaj tresheje, vjen Ralf Gjoni që për hir të së vërtetës bagazhin intelektual e ka shumë herë më të mbushur se sa të sipërpërmendurit. Por Gjoni këto kohë në Parlament është kthyer në një personazh qesharak me opozitarizmin e tij, duke u kthyer në një lolo të pushtetit. Me rolin e njeriut që qëndron pranë eurodeputetëve ( ku thuajse shumicën e atyre që Gjoni i kishte njohur për shkak të detyrës që mbante më parë në LSI, humbën në zgjedhjet e fundit në PE), Ralfi është munduar pa rezultat të kthehet në faktor brenda Parlamentit si njeriu-integrim. Por më kot, askush deri më tani nga mazhoranca nuk e ka marrë seriozisht. Çuditshëm në fakt kjo sjellje  e PS, se Gjoni akuzat ndaj PD e LSI i ka shtuar mjaft kohët e fundit duke i cilësuar si parti kundër integrimit. Tani Gjoni mbron Parlamentin duke  folur për parti anti rregulave, por Ralfi ka harruar në fakt se në si urim për Parlamentin në fillim të vitit 2019 dha këtë:  “I dashur Parlament, mos e gëzofsh 2019! Qoftë ky një vit ters e plot telashe për ty.”

E çmund të thuash më tepër për këtë derexhe ku ka përfunduar ky Parlament. Ndoshta fraza më e paërshtatshme mund të ishte: Kuvendi i Pavend që po gajas çdokënd!

*STANDARD.AL

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here