Nga Andreas Ernst, Neue Zuercher Zeitung
Si ish-udhëheqës guerilesh, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e njeh mirë taktikën e gjilpërave. Javën e fundit ai goditi dy herë. Së pari, tha se Beogradi duhet ta harrojë shoqatën e pajtimit të bashkësisë serbe në Kosovë, nga ajo nuk del gjë. Bashkëpunimi i komunave me popullsi serbe është pranuar në një kontratë nën mbikëqyrjen e Brukselit në vitin 2013. Ajo do shërbente për të hapur derën e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Pak më vonë pasoi goditja e dytë e Thaçit: Në Krumë, një qytet në veri të Shqipërisë, ai bëri thirrje përpara audiencës që duartrokiste: Miq, së shpejti do të jetojmë në një shtet të përbërë nga Kosova dhe Shqipëria! Më vonë sqaroi se përballë dështimit të integrimit në BE, bashkimi i dy vendeve është një reagim i natyrshëm.
Kë dëshiron të provokojë Thaçi me këtë? Jo serbët, të paktën jo ata në radhë të parë. Presidenti Vuçiç e ka komentuar deklaratën e Thaçit në mënyrë të rezervuar. Serbia do të dijë të reagojë, tha ai pa qartësuar gjë. Sipas leximit serb, Kosova është territori i saj dhe Deklarata e Pavarësisë e vitit 2008 është e pavlefshme. Ky provokim nuk i drejtohet Beogradit, por Brukselit dhe Berlinit.
Një sugjerim për të prekurit
Thaçi po e kundërshton marrëveshjen e normalizimit me Serbinë dhe po e vendos Shqipërinë e Madhe si projekt në axhendë. Asosacioni i Komunave Serbe ishte thelbi i një autonomie të zgjeruar për serbët e Kosovës, të cilët do i nënshtroheshin juridiksionit kosovar. Por ky asosacion mbeti për shumë vite një letër e vdekur. Gjykata Supreme e Kosovës e shpalli atë pjesërisht jokushtetues dhe u konisderua publikisht si ‘Kali i Trojës’ i Beogradit, i cili do të vazhdonte të ndërhynte. Pra, pesë vite kaluan dhe as Brukseli dhe as Berlini nuk e morën seriozisht zbatimin e marrëveshjes. Pastaj erdhi një propozim i ri dhe për herë të parë erdhi nga kosovarët dhe serbët e prekur.
Të dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiç, nisën të flasin për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë në verën e vitit 2018. Përgjatë kufirit serbo-kosovar, pesë komunitete të populluara nga serbët do i bashkëngjitetshin mëmëdheut, ndërsa tre komunitete me shumicë shqiptare do i jepeshin Kosovës. Çështja vendimtare ishte se si do bëhej një shkëmbim i tillë. Me një goditje të presidentit? Apo do legjitimohej nga një sondazh i të prekurve? Dhe, kush do llogaritej si i prekur nga kjo histori: vetëm komunat në fjalë apo edhe qytetarët e Serbisë dhe Kosovës në total? Por këto pyetje nuk u bënë. Në vend të kësaj u krijua një stuhi e vogël dhe ekspertët e Ballkanit filluan të përsërisnin fjalitë tipike të viteve ’90: Së pari, kufijtë në Ballkan nuk duhet të ndryshohen, së dyti, teoria domino vlen: kur një kufi ndryshohet, askush nuk është i sigurt. Së treti, pavarësia e Kosovës nuk ishte një ndryshim i kufijve, por një rast i veçantë pa precedent.
Pas një hezitimi të shkurtër, diplomacia gjermane u shkund dhe deklaroi se shkëmbimi i territoreve është një tabu. “Ne duhet ta përsërisim pa pushim,” tha kancelarja Merkel në gusht të vitit 2018, “ka përpjekje për të folur për kufijtë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë”. Në vend që të përcaktohen rregullat e reja për kërkimin e një kompromisi, zgjidhja më e mirë paraqitet në Berlin. Megjithatë askush nuk e di se si duket ajo. Një gjë është e qartë: as shoqata serbe e komunave dhe as shkëmbimi i territoreve nuk janë në tavolinë.
Humbësit bëhen fajkonj
Nuk është befasi që Thaçi ka nxjerrë nga mënga kartën e vjetër të Shqipërisë së Madhe. Me përpjekjen për një zgjidhje territoriale me Vuçiç, ai ka marrë përsipër një rrezik të madh. Refuzimi në Berlin dhe mbështetja e vakët nga Brukseli, por edhe rezistenca e Kishës Ortodokse Serbe dhe shumë pre kundërshtarëve të tij të brendshëm, e kanë bërë atë të duket si humbës. Nga ana tjetër, një gjë mund ta ndihmojë në këtë situatë: që pëllumbi të bëhet fajkua. Ose më mirë akoma, një shqiponjë me dy krena që ngrihet nga fusha e Kosovës dhe fluturon mbi brigjet e Adriatikut.
Ky nuk është një zhvillim i mirë. Ai vjen për shkak të paqëndrueshmërisë së menaxherëve të konfliktit në Perëndim. Por a është ky një rrezik real? Kjo varet shumë nga integrimi evropian në Ballkanin Perëndimor, nëse ai do të vazhdojë në të ardhmen. Nëse është kështu, BE mund të imponojë rregulla të detyrueshme si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin për të bashkëpunuar për çështjet e kufijve. Kur është fjala për dhënien e pëlqimit jo vetëm të atyre që preken direkt, por edhe të shteteve në tërësi, kufijtë e Maqedonisë Veriore dhe Bosnje-Hercegovinës janë të sigurta. Por nëse procesi i integrimit ndalon, nuk do jenë traktatet e BE që i bëjnë kufijtë ekzistues të diskutueshëm. Këtë do e bënte nacionalizmi etnik. Si një ‘reagim natyror’ ndaj mungesës së interesit të Europës, për ta thënë me fjalët e Thaçit.