Pas përgjimeve të publikuara nga BILD dhe që ‘tronditën’ politikën në Shqipëri, ka reaguar edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Nishani shprehet se shkrimi i sotëm në BILD është denoncimi më i madh publik, provat dhe faktet e një platforme, modelit dhe rrjetit mafioz në marrjen e pushtetit dhe me të të kapë dhe dominojë një shtet të tërë.
Më tej ai kërkon jo vetëm dorëheqjen e Kryeministrin por edhe largimin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ndërsa shprehet se duhet të ngrihet një Task Forcë hetimore me prokurorë ndërkombëtar.
Postimi i plotë i Bujar Nishanit:
Publikimi i përgjimeve nga gazeta Bild nuk është thjesht denoncimi se si disa gangstere blejnë ca vota për pushtetin apo që kërcënojnë e shantazhojnë votuesit e opozitës. Jo !
Sot kemi denoncimin më të madh publik, provat dhe faktet e një platforme, modelit dhe rrjetit mafioz në marrjen e pushtetit dhe me të të kapë dhe dominojë një shtet të tërë.
Përgjimet e Bild janë veçse një pjesëz e batakut të madh e të qelbur të të ashtuquajturave zgjedhje të 2017 !
Klani kriminal i Shijakut është veçse maja e ajsbergut të mafies shqiptare të krijuar që prej 2013-s, rritur e forcuar në kulminacionin e saj më 2017 dhe sot në 2019 ka shtrirë metastazat e saja në çdo pjesë të shtetit tonë, duke helmuar çdo pjese të të gjitha pushteteve.
“Para-forcë-pushtet-para”, është gardhi rrethues i vathës ku janë mbledhur grabitës të lirisë dhe të drejtave më fondamentale të shqiptarëve, mashtrues e spekullantë, avoketër e maska të vetë mafias shqiptare.
Manipulatorët e zgjedhjeve, zhvatësit e pasurisë, pushtuesit e institucioneve, deformuesit e medias, asgjesuesit e drejtësisë.
Të gjithë këta bashkë si zhbërës të Shqipërisë dhe persekutorë të shqiptarëve tashmë në kohërat moderrne.
Këta, që deri dje i quanin shqiptarët çdo ditë si “dele”, sot dolën cullak të jenë këta vetë dele të vathës së mafies shqiptare.
Përgjimi i mafiozëve të Shijakut tregoi alternativën, programin, premtimet, angazhimet elektorale të “rilindjes”, tregoi vizionin e modelin e saj qeverisës.
Tregoi zgjedhjet vetë !
Përgjimi mafiozëve të Shijakut tregoi në të vërtetë standardin e reformës në administratën publike.
Përgjimi i mafizove të Shijakut në 2017, tregoi ku jemi sot në 2019 dhe se kush kërkon të na qeverisë, drejtojë, edukojë, kulturojë, prosperojë, perfaqësojë neve edhe më tej.
Partia Socialiste është një parti e madhe pa dyshim.
Ka potencialet e saja të përfaqësimit dhe vlerave për aq sa ka.
Ajo nuk duhet ngarkuar dhe profilizuar me atë çka është sot identiteti i plotë i “rilindjes”.
Por ata sot duhet të ndihen jo vetëm të mashtruar e të keqpërdorur por duhet të marrin përsipër edhe përgjegjësitë përkatëse për dëmin e shkaktuar nga vatha e “rilindjes” dhe delet e mafiozëve që kanë dominuar shtetin në emër të tyre.
Situata sot në Shqipëri është emergjencë !
Asnjë hetim normal, i pavarur dhe i plotë nuk mund të bëhet pa u larguar kjo qeveri dhe kreu i saj nga pushteti absolut që ka vendosur mbi të gjitha institucionet e vendit e specifikisht mbi prokurorinë e kapur egërsisht prej tyre.
Sot emergjente është dorëheqja e menjëherëshme e kësaj qeverie dhe kryeministrit aktual.
Emërimi i një Prokurori të ri të Përgjithshëm dhe të një Task-Force hetimore prokurorësh ndërkombëtarë me konsensusin e opozitës.
Hapja e hetimeve kombëtare antimafia për krimet elektorale në zgjedhjet e 2017 dhe atyre të parakohëshmet në bashkitë e Korçës dhe Peshkopisë.
Asnjë reformë e thellë kushtetuese dhe ligjore për ndërtimin e institucioneve të forta e të pavarura, apo zgjedhje të lira e të ndershme nuk do të mund të bëhet në këtë vend pa patur një hetim të plotë dhe përballje me ligjin të mafies së instaluar në pushtet.
Kush mendon se kjo do të kalojë pa penalizim ligjor apo do të lihet në harresë konsensuale, gabon rëndë.
Qeveria e ardhëshme do të duhet që në vendimin e saj Numër 1, ti shpallë luftë mafies! Luftë në kuptimin e plotë dhe gjithë dimensional të fjalës dhe aktit.
Kjo luftë do të shpëtonte dhe vetë delet nga vatha e mafias.
Ato mund të shpërndahen edhe nëpër pyll por të paktën do të dalin prej asaj vathe.
Ditën e sotme prestigjozja gjermane Bild ka publikuar audiopërgjime të reja lidhur me të ashtuquajturën “Dosja 339/1″një nga çështjet, hetimi i të cilës bëri që PD ta ketë si çështje kryesore në betejën për rrëzimin e qeverisë.Në përgjime dëgjohet Astrit Abdylaj, i cili përfshihet vetë në fushatën elektorale të PS.
Avdyli kërkon që miku i tij, Elton Arbana të jetë pjesë e listës së deputetëve në Durrës, dhe vë në dukje mbështetjen që familja Avdyli ka për deputetin Ilir Ndraxhi. Në bisedat e publikuara Astrit Avdyli zotohet se rezultati i Partisë Socialiste në Durrës do të jetë spektakolar.