Raporti i paraprak i OSBE/ODIHR për situatën në Shqipëri, veç problemeve politike dhe ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitë dhe pa datë të dekretuar, jep të dhëna alarmante për rolin e medias.
OSBE vren se televizionet janë burimi kryesor i informimit të qytetarëve për zhvillimet politike, por nga ana tjetër, thekson se mediat e mëdha u shërbejnë interesave të pronarëve oligarkë të lidhur fort me qeverinë.
Sipas OSBE, pavarësia e këtyre mediave është në pikëpyetje, ndërsa gazetarët pranojnë se përdorin autocesurën.
“Mjedisi mediatik është i larmishëm dhe karakterizohet nga një numër i lartë mediash që operojnë në një treg të kufizuar reklamash. Shumica e bashkëbiseduesve të MVZ-së së ODIHR-it kanë shprehur shqetësimin se media të mëdha u shërbejnë si platformave lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën. Televizioni mbetet burimi kryesor i informimit politik. Procesi i përfunduar së fundmi i dixhitalizimit ka rezultuar në kontrollin nga një familje të tre prej pesë frekuencave televizive kombëtare private”,- thuhet në raportin e OSBE të publikuar dje.
Ky raport i OSBE/ODIHR mund të cilësohet si më i rëndi për situatën e mediave në Shqipëri. Në vitet e kaluara ka pasur kritika për cilësinë e raportimit në mediave kryesore gjatë fushatave, por asnjëherë nuk është përmendur në mënyrë të qartë se mediat kryesore në vend janë rreshtuar me një kamp politikë. “Mjedisi mediatik është i larmishëm, por mediat kryesore perceptohen si të pozicionuara politikisht”,- thuhet në raport.
Dokumenti i vëzhguesve të huaj, për etikë raportimi, nuk e përcakton se në cilin kamp janë rreshtuar mediat kryesore në vend, por mjafton të shihet se shumica mediave kryesore, jo vetëm në qëndrimet editoriale, por edhe në raportimin e fakteve janë vënë në rresht pranë qeverisë.