Një takim mes ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe punonjësit të Gardës së Republikës, Feim Dollapaj, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, përbën zanafillën e shkresës që sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i ka dërguar ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj duke e akuzuar për shantazh për qëllime politike ndaj kreu të opozitës.
Pas shkresës së siguruar nga ‘News24’ e ‘BalkanWeb’, gazetarja Klodiana Lala u informua rreth këtij takimi, i cili ka ndodhur tri ditë më parë, më 14 qershor. Ministri Leshaj ka pritur në zyrë shoqëruesin e Lulzim Bashës, duke e informuar këtë të fundit se ka informacione për kërcënime ndaj kreut të opozitës.
Burime të besuara thanë për gazetaren Klodiana Lala se ministri Lleshaj ka kërkuar nga punonjësi i Gardës t’i bëjë me dije nëse z.Basha kërkon masa shtesë sigurie pas informacioneve që vetë ministri disponon. Po sipas të njëjtave burime, takimi është zhvilluar në zyrën e ministrit Lleshaj, rreth orës 15:00 ditën e premte të javës që lamë pas.
Për Partinë Demokratike, mënyra e ndjekur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është e paprecedentë dhe jashtë cdo praktike ligjore.