Të dashur bashkëqytetarë,
Sot, Shqipërisë iu mohua për të tretën herë, nën qeverisjen Rama,hapja e negociatave për anëtarësim me BE. Edhe pse i pritshëm,është një lajm i hidhur për ne shqiptarët,që,edhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, vazhdojmë të mbetemi vendi më i izoluar nga Europa.
Edhe më i rëndë është fakti se, më shumëse një refuzim i përkohshëm i negociatave, sot, ne shqiptarëve,po na vihet në dyshim aftësia për të përqafuar dhe jetuar sipas standardeve dhe vlerave europiane.
Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin.
Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve.
Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat.
Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij.
Do të fajësojë gjysmën e botës.
Do të fajësojë edhe popullin e vet.
Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën.
Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama.
Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës: korrupsioni dhe krimi.
Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit
Të dashur qytetarë,
Vjet në verë kaloi pa shumë vëmendje një ngjarje në dukje banale.
‘Lulzim Basha ta provojë në zgjedhje’ -kërcënoi papritur një delinkuent i panjohur, si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarë vepër përdhunimin që i kishte bërë një vajze jetime.
Rexhep Rraja është një i fortë rruge, i cili nuk e ka sofistikimin artistik të Edi Ramës, që vjedh, por bën rolin e të ndershmit. Rraja nuk e fshehu dot krenarinë se ndihej i fortë dhe i paprekshëm, sepse ishte kriminel zgjedhor. Ndaj, në vend të revoles, Rraja u skërmiti armiqve dhëmbët prej krimineli zgjedhor.
Si Rraja, edhe habilajt ishin të stërvitur në punë fushatash dhe dinin fare mirë sa kushtonte një fushatë dhe çfarë u kërkohej të bënin në fushatë.
Njësoj si ta, Avdylajt ishin punëtorë të palodhur dhe të stërvitur fushatash politike. Të tillë janë sot shumë kriminelë, kudo në Shqipëri.
E vërteta është se nën regjimin e Edi Ramës,manipulimi i zgjedhjeve, përmes blerjes, vjedhjes, kërcënimit dhe dhunimit është bërë një nga aktivitetet kryesore të bandave kriminale, krahas trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore. Madje këto aktivitete janë bërë pjesë e njëra-tjetrës.
Bota e krimit është e specializuar në vjedhje zgjedhjesh, si mënyra për të marrë license për trafiqe dhe pastrim parash.
Të dashur bashkëqytetarë,
Zbulimet e javëve të fundit të gazetës gjermane BILD kanë nxjerrë në pah një realitet të errët kriminal të konspiracionit midis botës së krimit dhe Partisë Socialiste kundër demokracisë, lirisë dhe rendit kushtetues në Shqipëri.
Ky bashkëpunim kriminal e ka shkrirë krimin, qeverinë, administratën dhe Partinë Socialiste në një të vetme. Kjo aleancë është një rrezik i qartë jo vetëm për demokracinë, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë publike dhe kombëtare të vendit.
Po në vend që ky realitet të alarmonte çdo shqiptar, përtej preferencave politike dhe interesave të tjera, ka një përpjekje të koordinuar, sistematike dhe të gjithanshme për ta kaluar atë pa reaguar. Thjesht, si edhe një skandal më shumë në vazhdën e skandaleve që jemi mësuar, si një gjë që nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, ndaj duhet ta lëmë të kalojë.
Fatkeqësisht, si shoqëri, ne riciklojmë shpesh të keqen dhe nuk arrijmë dot të bëjmë hapa të sigurtë përpara.
Kushdo ka shpjegimin e vet pse sillemi kështu, por një nga arsyet pse e keqja tek ne përsëritet është sepse ne nuk reflektojmë mbi të, nuk përpiqemi të kuptojmë së çfarë bëmë keq dhe të mësojmë nga gabimet për të mos e përsëritur më.
Mungesa e reflektimit dhe humbja e busullës morale e ka normalizuar të keqen mes nesh dhe vrarë reagimin tonë ndaj saj.
Qeverisja e Edi Ramës ka qenë një seri pa fund skandalesh dhe krimesh, por ne i kemi lënë ato të kalojnë pa reaguar.
Edhe përpjekjet e opozitës, e vetmja që nuk ka heshtur, shpesh janë përqeshur dhe janë shpërfillur. Kjo ka thelluar të keqen dhe, siç treguan skandalet e fundit, duket se kemi prekur fundin.
Nëse nuk do të reagojmë tani, e keqja do të sundojë mbi këdo, në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Nuk duhet dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë. Këtë herë nuk do të kalojë si më parë. Kjo gjendje nuk duhet të kalojë pa sjellë ndryshim të thellë.
Shumë njerëz pyesin: Po cila është zgjidhja?
Përgjigja e vetme është:drejtësia. Ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë bashkëpunuar në mënyrë kriminale për vjedhjen e votës. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të manipulimit të zgjedhjeve.
Zgjidhja e vetme është:ndëshkim përmes drejtësisë.
Kur miratuam reformën në drejtësi, ne e kishim seriozisht dhe ishim të bindur se një drejtësi e pastër dhe e pavarur është zgjidhja që na duhet, sepse thelbi i problemeve tona si shoqëri është pandëshkueshmëri, është fakti që politikanët, të pasurit dhe të fortit janë mbi ligjin, janë vetë ligji, kurse njerëzit e thjeshtë janë viktimat, që nuk i mbron as ligji dhe asgjë.
Pandëshkueshmëria e politikanëve dhe e kriminelëve duhet të mbarojë dhe do të mbarojë tani.
Fatkeqësisht, drejtësia po mungon në Shqipëri. Fatkeqësisht, ajo që prisnim nga reforma në drejtësi, është rrënuar nga kapja e drejtësisë nga Edi Rama. Por kjo nuk mund të zgjasë më, sepse nga kjo krizë nuk mund të dilet duke ruajtur pandëshkueshmërinë.
Këtë herë kthimi në normalitetin politik, kalon nga dhomat e burgut për politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar.
Këto ditë po dëgjoj histori dhe propozime nga më të çuditshmet për daljen nga kriza. Po dëgjoj të riciklohen teori dhe slogane që në Shqipëri kanë dështuar plot herë për të kuruar dhe parandaluar krizat, sepse ato kanë vënë pazarin mbi parimin, sepse ato kanë devijuar nga rruga e ligjit, nga rruga e drejtësisë.
Shteti i së drejtës, barazia para ligjit, është e vetmja garanci për lirinë, demokracinë dhe mirëqeverisjen.
Parlament ka edhe Berdimuhamedovi i Turkmenistanit.
Votime zhvillon edhe Kim Jong-uni i Koresë së Veriut
Për demokraci dhe institucione betohet edhe Maduro i Venezuelës.
Sot diktatorët dhe autokratët kudo në botë nuk sundojnë më me dhunë ushtarake, por duke manipuluar zgjedhjet për të mbajtur dhe kontrolluar të gjitha pushtetet.
Parlament dhe zgjedhje kanë edhe autokracitë, por ajo që i dallon këto vende nga demokracitë perëndimore, është shteti i së drejtës
Nuk ka liri, demokraci, parlamentarizëm veçse nën ligj dhe barazi para ligjit.
Kjo është zgjedhja që shtrohet para nesh sot: Do të zgjedhim rrugën e autokracisë apo të vlerave perëndimore.
E gjithë qeveria, me në krye Edi Ramën ka vepruar si një bandë kriminale për të vjedhur votat në bashkëpunim me krimin, për të mbajtur dhe abuzuar pushtetin.
Një qeveri e tillë nuk mund të vazhdojë të qeverisë në asnjë vend europian.
Nuk duhet të qeverisë më as në Shqipëri!
Këta qeveritarë do të dilnin menjëherë para drejtësisë në çdo vend europian. Duhet të dalin para drejtësisë edhe në Shqipëri!
Që Shqipëria të bëhet Europë, duhet të sillemi ne si europianë!
Le të bëhemi bashkë për këtë qëllim!
Aleanca politikë-krim siguron vota për politikanët dhe fitime përrallore për kriminelët,por viktima kryesore janë njerëzit që kanë mbetur të braktisur dhe të shpërfillur, jeni ju.
Shqipëria sot është vendi i dy ekstremeve, i varfërisë dhe pamundësisë për njerëzit e thjeshtë dhe pasurive marramendëse dhe pushtetit të plotfuqishëm të elitës së kriminalizuar të politikës, biznesit dhe krimit
Do të doja të shikoja në sy secilin prej jush dhe ta pyesja:
Doni që fëmijët tanë të edukohen nga mësues që detyrohen të vjedhin vota?
Doni që jeta juaj të mbrohet nga policë që mbrojnë kriminelët?
Doni që fëmijët tuaj të jetojnë nën qeverisjen e Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Saimir Tahiri, Elvsi Roshit, Pjerin Ndreut?
Doni që fëmijët tuaj të kenë mundësi të punojnë vetëm, në bizneset e avdylajve, shullazëve, bajrëve?
Nëse doni që fëmijët tuaj të edukohen, punojnë dhe jetojnë si europianë, duhet t’i japim fund pandëshkueshmërisë dhe pushtetit të paligjshëm të politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar.
Duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku ju, me vullnet të lirë dhe të pacenuar, jo bandat dhe kriminelët, të zgjidhni dhe të kontrolloni parlamentin dhe qeverinë.
Për këtë ju ftoj të protestojmë së bashku si njerëz të lirë, si qytetarë europianë të premten në ora 20.00 në Tiranë.
Zoti ju bekoftë ju dhe Zoti e bekoftë Shqipërinë!
*Fjala e mbajtur në konferencën e djeshme, 18 qershor 2019