KASTRIOT ISLAMI
Dy pyetje shtrohen këto ditë në tavolinat e bisedave mes shqiptarëve: i) kush e mbështet Ramën; dhe ii) përse mbështetet Rama kur trazirat po përfshijnë vendin. Realisht, Rama mbështetet vetëm nga disa pak “ndërkombëtarë”, shumica janë për largimin e tij, kurse një pjesë tjetër po vështrojnë me indiferentizëm fundin e tij të tmerrshëm. Por një përgjigje më shteruese e këtyre dy pyetjeve jepet më poshtë. Gjatë këtyre ditëve, situata politike është tensionuar në ekstrem. Qytetarët e revoltuar në shumicë janë në protesta masive, duke kërkuar që Rama të largohet dhe të hapë rrugën për zgjedhje të lira e të ndershme për të zgjidhur krizën e ilegjitimitetit të Kuvendit e të qeverisë, që ka ardhur nga blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve në zgjedhjet e vitit 2017. Revolta qytetare është rritur maksimalisht gjatë ditëve të fundit edhe për shkak se media gjermane “Bild”, me burime duket joshqiptare, ka publikuar “përgjime” ku implikohet vetë Rama, ish-ministra e zyrtarë të lartë të tij, anëtarë të bandave kriminale dhe kriminelë që janë të lidhur me Ramën apo zyrtarë të mesëm të Rilindjes në blerjen e votave e kërcënimin e votuesve. Të gjithë këta qytetarë të shqetësuar në ekstrem dhe të frikësuar nga destabilizimi i vendit apo një përplasje civile, pyesin “përse Rama nuk largohet” që të qetësohet situata e më tej të bëhen zgjedhje të lira e të ndershme dhe të “fitojë kush të fitojë”. Shumica e qytetarëve shqiptarë ndihen të shqetësuar përse ndërkombëtarët nuk po ndërhyjnë për të qetësuar situatën dhe zgjidhur ngërçin, siç kanë vepruar edhe herë të tjera më parë. Madje, jo pak shqiptarë pyesin se përse disa nga ndërkombëtarët, që nuk janë shumë, vazhdojnë të mbështesin Ramën në marrëzitë e zullumet e tij dhe nuk thonë asnjë fjalë për implikimin e Ramës në vjedhjen e votave, për lidhjet me krimin apo trafiqet e drogës. Kjo të shtyn të mendosh se “trazirat” që po i vijnë rrotull Shqipërisë nuk lidhen thjesht dhe vetëm me keqqeverisjen e Ramës, me zullumet apo “çmendurinë” e tij, marrëzitë apo perversitetin e tij, sepse të gjithë mendojnë se një “frikacak” si Rama do të ishte larguar 100 herë deri tani duke dhënë dorëheqjen. Duket se diçka tjetër fshihet pas “marrëzisë”, perversitetit dhe/ose “çmendurisë” së tij. Rama siç duket është ndër të tjera edhe peng i një misioni antishqiptar, antikombëtar e antieuropian; ky nuk është konspiracion.
1. PROJEKTI I “NDRYSHIMIT TË KUFIJVE NË BALLKAN” PËR INTERESAT E SERBISË…
Projekti i “ndryshimit të kufijve në Ballkan”, i konceptuar prej shumë kohësh nga qarqet akademike e politike të Beogradit në favor të interesave të Serbisë, është nxjerrë nga sirtarët, riaktivizuar dhe intensifikuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Projekti ka gjetur natyrshëm mbështetje të konsiderueshme nga shumë forca politike dhe politikanë serbë, por ende nuk ka mundur të ketë një mbështetje unanime brenda Serbisë sepse disa forca politike e politikanë serbë e kanë kundërshtuar atë. Vuçiç, natyrshëm, si përfaqësues i interesave serbe, drejton vënien në jetë të këtij projekti, duke pasur mbështetje të gjerë politike e publike; dhe kjo është normale nga këndvështrimi i interesave të palës serbe. Ky projekt është “maskuar” nga dy nënprojekte të tjera: i) ndarjen/copëtimin e Kosovës përmes marrëveshjes Prishtinë (Thaçi)-Beograd(Vuçiç) për ndryshimin e kufirit mes dy vendeve sipas linjave etnike dhe ii) premtimin, natyrisht shumë të “pasigurt” e gati të pamundur, për Bashkimin e Kosovës së copëtuar me Shqipërinë e keqqeverisur, të varfër dhe të boshatisur nga emigracioni masiv.
2. ANGAZHIMI MISIONAR I RAMËS E THAÇIT PËR “NDRYSHIMIN E KUFIJVE NË BALLKAN”
Ajo që duket e çuditshme është se për realizimin e këtij misioni historik me origjinë serbe janë angazhuar si “misionarë” tepër aktivë Edi Rama e Hashim Thaçi! Kjo sepse, së pari, atyre me shumë gjasa iu është premtuar, por dhe ata vetë janë të bindur se projekti i “ndryshimit të kufijve në Ballkan” do të ishte e vetmja mundësi e mbetur që do të mund t’iu garantonte atyre jetëgjatësinë e pushtetit të tyre personal. Së dyti, ata janë të bindur se jetëgjatësia e qëndrimit të tyre në pushtet përmes këtij misioni do të kalonte nga projekti i realizimit të Bashkimit të Kosovës së copëtuar/ ndarë me Shqipërinë e destabilizuar, që do ta shisnin si arritjen e tyre historike????!!! Por duket se këto hesape janë bërë pa hanxhinë!!! Thënë shqip: Gjermania, lokomotiva e BE-së, është deklaruar kundër këtij projekti dhe është angazhuar që ky projekt i rrezikshëm për stabilitetin e sigurinë e Ballkanit Perëndimor e përtej tij, të frenohet e pengohet… Nga shumë analistë europianë mendohet se ky projekt, krejtësisht ndryshe nga çfarë kanë menduar Rama dhe Thaçi, jo vetëm ka dështuar, por nuk ka asnjë shans në të ardhmen të bëhet realitet, ndonëse edhe Rama edhe Thaçi e dinë këtë gjë, vazhdojnë të insistojnë në realizimin e tij!!!
3. PROJEKTI RAMA-THAÇI ËSHTË I DËSHTUAR
Ky projekt duket një “skenar”, të cilin edhe shumë nga vendet me peshë në vendimmarrjen globale dhe politikanë të rëndësishëm në nivel global, veçanërisht nga vendet e BE-së, që prej 20 vjetësh kanë kontribuar për pavarësimin e Kosovës dhe integrimin në BE e NATO të Shqipërisë e të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do ta kundërshtonin fuqimisht ose më saktë do të angazhoheshin për ta penguar me çdo mjet e mënyrë. Deri më sot, Rusia është shprehur në favor të një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë për ndryshimin e kufijve me të vetmin “kusht” që një marrëveshje e tillë të pranohet nga Serbia. Ky projekt me origjinë serbe është mbështetur qartas edhe nga disa ish-zyrtarë të lartë në Bruksel, ndërkohë që është kundërshtuar fuqimisht nga Gjermania dhe të gjithë ata politikanë që prej 20 vjetësh kanë qenë të angazhuar për pavarësinë e Kosovës, stabilitetin e Ballkanit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat europiane dhe euroatlantike. Këtë projekt me origjinë serbe kanë marrë përsipër ta drejtojnë e realizojnë së bashku Vuçië, Rama e Thaçi, duke e konsideruar misionin e tyre më të madh historik, duke u vendosur madje edhe kundër Gjermanisë e shumë vendeve të BE-së. Arsyeja është e thjeshtë: këta të tre gjykojnë se përmes kësaj karte populiste, antieuropiane e antieuroatlantike do të mund të siguronin në kontekstin e humbjes së mbështetjes qytetare për shkak të qeverisjeve të tyre të korruptuara, autoritare e klienteliste (s’janë të rastit protestat e fuqishme qytetare kundër Vuçiç në Serbi e kundër Ramës në Shqipëri dhe mosmarrëveshjet Thaçi-Haradinaj në Prishtinë) jetëgjatësinë e pushtetit të tyre personal.
4. QËNDRIMET E GJERMANISË, RUSISË DHE SHBA
Pasojat e para të përpjekjeve për zbatimin e këtij projekti do të ishin i) ndarja/copëtimi i Kosovës e komprometimi i rëndë i procesit të pavarësimit të saj, ii) dështimi me shumë gjasa i projektit të Bashkimit të Kosovës së copëtuar me Shqipërinë e “trazuar” dhe iii) destabilizimi eventual i Shqipërisë deri në kufijtë e përplasjes mes regjimit policor të Rilindjes dhe qytetarëve të revoltuar në ekstrem. Këto rreziqe janë të larta për shqiptarët, edhe për faktin se ka një ndarje të fortë të qëndrimeve të vendeve me peshë në vendimmarrjen globale, por edhe për shkak të ndarjes së thellë të qëndrimeve të faktorëve të rëndësishëm politikë e institucionalë brenda Kosovës e brenda Shqipërisë. Serbinë në këtë nismë, ndër të tjera e mbështet edhe Soros, i cili është një mbështetës i hershëm, por i maskuar i këtij projekti. Në mbështetje të këtij projekti janë edhe shumë ish-zyrtarë të lartë të Brukselit, gjë që shpjegon edhe mbështetjen e tyre për misionin e Vuçiç, Thaçit dhe Ramës. Këtë projekt e kundërshton fuqimisht e ashpërsisht Gjermania dhe veçanërisht Kancelarja gjermane Merkel. Kjo shpjegon ndër të tjera edhe qëndrimin e ashpër gjerman, politik e mediatik ndaj qeverisjes Rama në Shqipëri, nisur nga fakti që Gjermania është veçanërisht kundër projektit të ndryshimit të kufijve në Ballkan. Sepse Gjermania dhe kryesisht e djathta gjermane kanë shqetësimin e arsyeshëm se zbatimi i këtij projekti jo vetëm do të stoponte procesin e pavarësimit të Kosovës, për të cilin ata kanë investuar prej disa vitesh, por do të mund të cenonte rëndë integritetin e sovranitetin e Kosovës e sigurinë e Shqipërisë, si dhe të hidhte në erë stabilitetin e rajonit, duke rrezikuar edhe sigurinë në disa nga vendet e BEsë. Administrata e re amerikane, bazuar edhe në filozofinë “Amerika e para”, duket se ka ulur vëmendjen ndaj zhvillimeve në Ballkan duke ia lënë Bashkimit Europian të gjithë peshën dhe përgjegjësitë për Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që Rama, Thaçi e Vuçiç kanë paguar shuma të majme për të krijuar perceptimin alibik se administrata Trump e mbështet projektin e “ndryshimit të kufijve në Ballkan”; gjë që nuk është aspak e vërtetë. Dhe këtë spekulim të lobistëve, Rama, Thaçi e Vuçiç përpiqen ta shesin si mbështetje të SHBA-ve për veten e tyre.
5. NDARJA E THELLË NË KOSOVË E SHQIPËRI PËR ROLIN E RAMËS E TË THAÇIT
Brenda Kosovës, projekti drejtohet nga Thaçi që është në konflikt të ashpër me Kryeministrin Haradinaj dhe me të gjithë faktorët kryesorë politikë e mbi të gjitha me opinionin politik e mediatik. Kurse në Shqipëri, Rama, ndonëse i rrethuar nga disa “argatë të ishJugosllavisë”, është i vetëm dhe i izoluar në krye të realizimit të këtij projekti, madje fshihet tinëzisht, ndërkohë që Presidenti, e gjithë opozita dhe opinioni publik, mediatik e intelektual janë kundër angazhimit “misionar” të Ramës e Thaçit në mbështetje të projektit të “ndryshimit të kufijve në Ballkan”, duke shkuar deri në ekstrem me cilësimin e tyre si “tradhtarë të kombit”.
6. SHANTAZHET NGA MEDIA SERBE PËR VERIUN E KOSOVËS..
Rama i gjendur përballë protestave të fuqishme qytetare për shkak të qeverisjes korruptive, lidhjeve me kriminelët e trafikantët dhe humbjes së sigurt të pushtetit, ka vendosur ta çojë deri në fund misionin e ndërmarrë, qoftë edhe me koston e hedhjes në erë të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës apo edhe të destabilizimit të Shqipërisë. Shqipëria e Kosova janë më të rrezikuara se kurrë në këto 28 vjet nga angazhimi i Ramës e Thaçit për zbatimin e projektit të “ndryshimit të kufijve në Ballkan”. Pa bërë asnjë ekzagjerim, shumë analistë perëndimorë, ndonëse krahasimet çalojnë, vlerësojnë se Veriu i Kosovës mund të kthehet në një zonë të ngjashme me Krimenë dhe Shqipëria të destabilizohej. Konkretisht, gjatë këtyre ditëve nga politika dhe media serbe është hedhur në treg shantazhi se nëse Thaçi nuk lejohet të nënshkruajë me Vuçiç marrëveshjen për ndryshimin e kufijve sipas linjave etnike të kufirit Serbi-Kosovë, me shumë gjasa zona veriore e Kosovës mund të kthehet në një “zonë konflikti të ngrirë”.
7. RAMA KA MBËSHTETJEN E “NDËRKOMBËTARËVE”, QË JANË NË FAVOR TË “NDRYSHIMIT TË KUFIJVE?”
Pyetja që shtrohet me çudi nga të gjithë është: Si ka mundësi që Rama, autoritar, i korruptuar, i inkriminuar dhe dështak në çdo aspekt të qeverisjes së tij ka mbështetje nga disa faktorë “ndërkombëtarë”, ndonëse qytetarët shqiptarë kanë shpërthyer në revolta dhe po emigrojnë masivisht në vendet e BEsë për shkak të gjendjes së tyre katastrofike, varfërisë ekstreme, vjedhjes së pasurisë kombëtare dhe manipulimit të votave? Në realitet, Rama nuk ka mbështetjen e gjithë faktorit ndërkombëtar, por vetëm të asaj pjese të “ndërkombëtarëve” që mbështesin projektin e “ndryshimit të kufijve në Ballkan”, apo që shprehen në mbështetje të marrëveshjes ThaçiVuçiç për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi sipas linjave etnike. Konkretisht, Rama mbështetet fuqimisht nga Serbia (ndonëse Rama është kujdesur që kjo mbështetje të mos shfaqet në publik), por edhe nga Soros (që ka angazhuar intensivisht djalin e tij Alex Soros që të kryejë misionin e tij përmes lëvizjeve mes Tiranës, Prishtinës e Beogradit) si dhe nga media e qarqe të vëna në lëvizje nga lobistë të paguar majmërish me paratë e korrupsionit, të kultivimit të kanabisit e të trafiqeve të drogës (përmes së ashtuquajturës Diplomaci e Kanabisit dhe Kokainës), si dhe nga disa zyrtarë të rëndësishëm në Bruksel, që për arsye të ndryshme apo për interesa të ngushta personale janë në favor apo mbështesin fuqimisht e haptas projektin e ndryshimit të kufijve në Ballkan sipas linjave etnike.
8. “TRAZIRAT” SE RAMA ËSHTË PENG I PROJEKTIT TË “NDRYSHIMIT TË KUFIJVE?!”
Nuk ka më asnjë dyshim se Rama është njëkohësisht misionar dhe peng i projektit të “ndryshimit të kufijve në Ballkan”, prandaj është i angazhuar fuqimisht dhe njëkohësisht i detyruar për ta çuar deri në fund këtë mision të rrezikshëm për rajonin, i bindur se realizimi i këtij projekti do t’i zgjaste qëndrimin e tij në pushtet. Prandaj, ai është i vendosur të bëjë gjithçka, të godasë e burgosë opozitën, të gjakosë qytetarët e revoltuar, të “varrosë” pluralizmin dhe të “vrasë” demokracinë, të hedhë në erë gjithçka e të kërcënojë gjithkënd. Në këtë betejë “misionare” Rama duket i vendosur të çojë deri në përplasje regjimin e tij korruptiv, të inkriminuar e policor me qytetarët e revoltuar dhe të varfëruar në ekstrem, duke përdorur ushtarë e shërbëtorë të neveritshëm. Për realizimin e këtij misioni, Rama madje ka mbështetjen e fuqishme të disa lobeve dhe qarqeve që punojnë për projektin e “ndryshimit të kufijve në Ballkan” në favor të Serbisë, ndërkohë që ai kundërshtohet fuqimisht nga Gjermania e disa vende të rëndësishme europiane, që edhe për këto arsye mbështesin qytetarët e revoltuar shqiptarë të udhëhequr nga opozita dhe të gjithë ata intelektualë shqiptarë që kanë besim te demokratizimi e integrimi europian dhe euroatlantik i Shqipërisë.
9. MESAZHI EUROPIAN PËR SHQIPTARËT: KOSTOJA E MOSREAGIMIT DO TË JETË E LARTË
Ndërkohë, disa vende të BE-së që zotërojnë të gjitha informacionet e analizat për sjelljet dhe misionin diabolik të Ramës e Thaçit për të hedhur në erë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, u kanë bërë të qartë shqiptarëve se nëse Rama qëndron në pushtet, apo thënë ndryshe nëse Rama do të vazhdojë të tentojë të çojë deri në fund zbatimin e projektit të ndryshimit të kufijve në Ballkan, atëherë ata duhet të paguajnë koston e lartë të heqjes së mundësisë për lëvizjen e lirë në Europë. Ose thënë akoma më shkoqur, disa vende të BE-së që janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan sepse gjykojnë se kjo do të ishte “hapje e Kutisë së Pandorës”, me pasojë destabilizimin e Ballkanit, u kanë dërguar qytetarëve shqiptarë mesazhin: Qëndrimi në pushtet i Ramës për shkak të indiferencës dhe mosreagimit të tyre të fuqishëm e masiv për largimin e tij nga pushteti do të kishte koston e lartë të humbjes së lirisë të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen…