Trishtimi në sytë e nënë Mrijes, rrëfen për vrasjen e të birit: Më tha se do shkonte te dajat

0
124

Afër mesnatës, 16 qershorin e 1990-ës, dy të rinj, ishin nisur për ta kaluar kufirin në postën kufitare të Hotit në Shkodër. Djemtë Marjan Zef Ndoja dhe Pëllumb Nikoll Pëllumbi ishin afruar brezit të butë pranë klonit dhe kishin nisur të hapnin një gropë, për të kaluar përmes saj në anën tjetër të kufirit… Por fati nuk ishte me ta atë natë.

Studiuesi Pjerin Mirdita duke iu referuar dokumenteve mbi këtë ngjarje, thotë se dy të rinjtë, ishin nisur që në mëngjes herët, për të kaluar kufirin. Ishin nisur me autobus drejt qytetit të Koplikut dhe pastaj nga qyteti i Koplikut në Hot, në këmbë, për të bërë më tej kalimin e paligjshëm të kufirit. Kanë arritur rreth orës 23:00 në kufi, aty ku ishte edhe kloni. Kanë hapur një gropë nën klon, e cila do t’u shërbente atyre për të kaluar nga ana tjetër. Në ato momente, ata vënë re se një ushtar, roje i kufirit, po afrohej. Fshihen pas disa shkurreve që ishin aty afër. Ushtari e sheh gropën e hapur dhe jep alarmin për tentativë të paligjshme të kalimit të kufirit.

Në raport thuhet që në atë kohë, Pllumbi ngrihet nga vendi ku ishte i fshehur, dhe në tentativë për t’i afruar asaj grope, rrëshqet në një kanal vaditës aty afër. Rrjedha e ujit e merr me vete dhe ushtari kur e shikon, e qëllon duke i shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme.

Në gjithë këtë ngjarje, njeriu më fatkeq është nëna e Pëllumbit, Mrija, e cila jeton sot e vetme në Shkodër, duke qarë çdo ditë humbjen e djalit të vetëm.

E gjithë jeta e saj është një vuajtje që s’mbaron. Që kur u martua nuse e re në shtëpinë e Nikoll Pllumbit, në një shtëpi e cilësuar “armike e regjimit komunist”, vuajtjet e saj do të vijonin njëra pas tjetrës. Me vjehrrin në burg, dhe pak më vonë edhe të shoqin prapa hekurave, Mrija, me dy fëmijë të vegjël, do të përjetonte persekutim të egër e varfëri  ekstreme. Ishte krejt e vetme, me dy fëmijët që i linte vetëm çdo natë, ndërsa fshinte rrugët e qytetit deri në të gdhirë. E vetmja punë që regjimi i kishte dhënë ishte kjo. Jetonin si mos më keq, në një kabinë elektrike. Por mesnatën e 16 qershorit 1990, do të shënohej akti më i rëndë i kësaj jete dramatike. Atë natë, do të humbte dritën e syve, djalin e saj të vetëm, Pllumbin, 17 vjeç.

Mrija e kujton kështu vrasjen e të birit

Atë ditë ai më tha se do të shkonte te dajat në Malësinë e Madhe. E pyeta sesa ditë do të rrinte, por më tha që të nesërmen do të kthehej. Ishte e premte atë ditë kur u kthye. Rreth orës 11, në oborr bërtasin disa fëmijë, moshatarët e tij. I thashë vetes dhe fqinjës se ishte ora 11 dhe ai nuk kishte ardhur. Unë nuk kisha orë në shtëpi. Kam jetuar në një kabinë elektrike. Në atë kohë, erdhi i plotfuqishmi bashkë me kryetarin e lagjes. Te i plotfuqishmi shkoja shpesh me djalin, për të kërkuar punë, se në shkollë nuk kisha kushte që ta çoja. Si vajza, si djali, ishin tepër të vetmuar. I plotfuqishmi u ul dhe u habit se unë nuk kisha divane e asgjë tjetër për t’u ulur, veç një krevat. Ishte hera e parë që futej në shtëpinë time, sepse sa herë që vinte, rrinte te dera. Thoshte që nuk hynte në shtëpitë e njerëzve. Quhej Gjergj. 

Atë ditë, hyri dhe u ul mbi krevat. Hoqi kapelen nga koka dhe e lëshoi përtokë. Kryetari i lagjes qëndroi te dera, nuk hyri brenda. E pyeta të plotfuqishmin se çfarë kishte ndodhur. Më tha që duhej të shkoja njëherë në spital, sepse një natë më parë, ishin kapur dy djem të rinj në kufi dhe njëri kishte shpëtuar e njëri kishte vdekur. Kështu i kishin thënë, sepse ai vetë nuk kishte parë gjë me sy. Dhe më tha që do të bëja mirë që të shkoja një herë atje. Më tha që duhej të shkoja sa më shpejt….”

Zef Kolombi, kryetari i shoqatës së të vrarëve në kufi, Shkodër, kujton se lajmin e vrasjes së fqinjit të tij 17 vjeçar e kishte mësuar nga britmat që vinin prej shtëpisë së tij.

“Pllumin e kam pasur komshi. Ishte një djalë shumë simpatik, i bukur, me një familje tepër të varfër, pothuajse në ekstrem të asaj kohe. Isha duke shkuar në mëngjes në punë, rreth orës 7 e gjysmë. Ndjeva një britmë te shtëpia e Pllumit, sepse e kanë pasur në katin e parë të pallatit. Ishte një britmë që nuk e harroj. Ishte e motra e Pllumit që sapo kishte marrë vesh lajmin nga polici i lagjes. Edhe policin e lagjes, kur e kam parë duke dalë nga shtëpia, e kam parë me lot në sy. Një djalë i ri, nuk e harroj kollaj, rreth 26-27 vjeç, nuk ishte më shumë. Ai kishte ardhur t’i jepte lajmin. U ndala nga kurioziteti dhe pyeta. Më tha që e kanë vrarë Pllumin”.

Mrija kujton me dhimbje përballjen me të vërtetën në spital

Shkova në spital dhe më futën në dhomën ku ishte. E kishin mbuluar dhe nuk e njihnim se ishte i dërrmuar me plumba. Një grua aty më tha që t’i shihja rrobat se ishin aty, por unë i thashë që doja të shihja djalin. Me thënë të drejtën nuk kam parë gjë, nuk di gjë. Vetëm se rrobat e tij i gjeta të gjitha të copëtuara nga plumbat. Nuk më lanë ta prekja dhe nuk kam ditur më gjë se ku isha. Më kanë bërë disa gjilpëra për forcim, dola te dera, rrobat nuk i mora. Roja më tha që të bëhesha e fortë se Pllumbin ma kishin vrarë. Aty m’u duk sikur më goditi diçka dhe m’u fiksua që ishte Pllumbi im, se nuk e besoja që ishte Pllumbi edhe pse e zbulova vetë me duart e mia. Kam shkuar në shtëpi e nuk kam ditur më gjë se ku isha. Vajza më pyeti se ku ishte Pllumbi. I thashë që do të vinte shpejt. Ajo nuk më besoi se të gjithë shokët e tij në oborr po qanin e po bërtisnin për të dhe insistoi që t’i tregoja se ku ishte Pllumbi. Erdhi ambulanca e doktori dhe i bënë edhe asaj disa gjilpëra.”.

Por edhe në dhimbjen e saj ekstreme, regjimi dhe shërbëtorët e verbër të tij nuk do ta linin të qetë gruan fatkeqe…

Pastaj erdhën tre policë nga Dega e Brendshme. Një grua polici më kapi nga krahu. I thashë: “Çfarë ke?”. Më tha: “More kriminela”. I thashë: “Kush është kriminel? Hajde shih se ku ka jetuar djali im. Djalin e vajzën m’i kanë mbajtur me bukë komshinjtë se nuk kam qenë në gjendje t’ua mbush barkun me bukë. Gjithë natën kam fshirë rrugët. As vëllezërit e asnjë nuk m’u gjendën. Rrobat e vdekjes i blenë komshinjtë, e veshën, e rregulluan. Ata policët më thanë që në orën 1 do ta çonin atje ku kishin çuar ata të tjerët dhe filluan t’i shanin. U thashë që të gjithë ishin djem nënash. Ikën policët. Ajo gruaja më tha që, nëse nuk do ta merrja djalin në orën 1, nuk do ta shihja më me sy. Në orën 1 më erdhën vëllezërit dhe djemtë. I lajmëruam me telefon nga ambulanca që ishte në Dergut. Atje u tronditën të gjithë kur e morën vesh se më kishin vrarë Pllumbin dhe lajmëruam njerëzit se nuk dinin gjë. Erdhën të gjithë. Unë nuk kisha asnjë lek, por gjithçka e morën përsipër shokët. U mblodhën shumë njerëz. Shkuan e morën dhe ma sollën djalin. Nuk di ç’të them më tepër, por atë që kanë bërë njerëzit për djalin tim, ka mbetur në histori…”

Varrimi që u shndërrua në demonstratë

Si rrallë herë, kufoma e të ndjerit iu dha familjes. Në ceremoninë e varrimit në Shkodër, u organizua një protestë e fuqishme, në të cilën u hodhën parullat:

“Poshtë komunizmi”, “Poshtë socializmi”. Në rrugën përpara spitalit dikush thërriti “Poshtë Ramiz Alia”, “Poshtë Partia”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”, “Kjo parti është gjakpirëse”, “Shikoni ç’po bën Ramiz Alia duke vrarë njerëz përditë, poshtë partia, poshtë Ramiz Alia”.

Zef Kolombi kujton:

Nuk shkova në punë atë ditë. Bashkë me disa miq e shokë të besueshëm të lagjes dhe të lagjeve të tjera të qytetit, jemi munduar tërë ditën duke kërkuar djem dhe familje të besueshme që të merrnin pjesë në varrimin e tij, jo se e dinim çfarë do të bëhej. Thjesht të merrnin pjesë, si protestë, në varrimin e tij. Dhe të nesërmen, me të vërtetë ishte një surprizë që kishte jashtëzakonisht shumë njerëz, përgjithësisht të rinj. Shkuam dhe i morëm leje familjes së Pllumbit, që viktimën ta mbanim në krahë për një farë kohe, jo gjatë gjithë rrugës. Pllumbi, përveç plumbit që kishte marrë në brinjë, kishte edhe një vrimë mu në mes te vetullave. Ishte një djalë i ri, që nuk e njoh, që kishte një kryq dhe ia vuri në ballë”.

Mrija kujton detaje nga ai marshim me kufomën e të birit që u shndërrua në një demonstratë të mirëfilltë kundër regjimit komunist.

Varrimi ishte në orën 6. Pak më kujtohet nga ato momente, por di që më thanë se arkivolin me trupin e Pllumbit donin ta mbanin në krahë gjatë gjithë rrugës.

Shokët e djalit dhe prindët e tyre më kanë ndihmuar shumë kur djali ishte gjallë. Ai ishte mërzitur shumë se nuk kishim asgjë në shtëpi. Flinim me dyshekë prej kashte. Komshinjtë vinin dhe më sillnin shumë gjëra. Më kanë mbajtur gjallë. Vëllai im pati frikë kur e mori vesh se çfarë donin të bënin djemtë, sepse mos na e merrte trupin Dega e Brendshme. Unë u dhashë leje që ta mbanin. Dhe kështu bënë.

Nga momenti i nisjes nga shtëpia e të ndjerit, të rinj të shumtë i bashkoheshin kortezhit  përgjatë rrugës. Zef Kolombi kujton se kjo mbështetje e madhe iu dha zemër.

Sa më shumë që ecnim aq më shumë shtoheshin njerëzit. Një djalë i ri, të cilit nuk mund t’ia lë pa ia përmendur emrin, që sot nuk jeton, Gjovalin Bari, një djalë i vogël por jashtëzakonisht i guximshëm, ka bërtitur i pari: “Poshtë komunizmi! Poshtë Ramiz Alia!” dhe turma nga pas filloi t’i përgjigjej në kor. Dhe kjo vazhdoi pothuajse deri në zonën industriale të Fermentimit. Njerëzit vinin duke u shtuar dhe jo duke u pakësuar. Kur erdhëm afër Turizmit në qendër, ishte një grup turistësh malazezë, të cilët mbajtën një qëndrim gatitu. Çfarë po ndodhte? Kjo ngjarje edhe vetë Degën e Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit e gjeti të papërgatitur. Nuk e prisnin këtë. Nga Turizmi morëm rrugën drejt Piacës, pa e lëshuar arkivolin. Njerëzit ndërroheshin shpesh dhe vazhdonin ta mbanin në krahë. Gjatë gjithë rrugës dëgjoheshin britma. E para herë që në Shqipëri, besoj unë, bëhej një demonstratë ku bërtitej në kor “Poshtë komunizmi! Poshtë Nexhmije Hoxha! Poshtë Ramiz Alia!” e të tjera parulla. Kjo ishte diçka që ndoshta na bëri të harronim edhe frikën. Makinat e policisë na ishin vënë nga pas. E para herë që ndodhte në qytetin tonë, edhe në Shqipëri, pas aq shumë vitesh, një thirrje aq e hapur për përmbysjen e regjimit.”.

Gjatë gjithë kortezhit, arkivoli ishte i hapur dhe mbahej mbi supe nga të rinjtë e qytetit të Shkodrës. Pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj të moshës 17-25 vjeç.

Mrija, nëna e Pllumbit thotë se arkivolin e të birit e mbajtën në krarë njëri pas tjetrit gjithë djemtë e rinj deri te varrezat.

Kur kemi shkuar te Turizmi janë afruar disa gazetarë gjermanë. Erdhi edhe një makinë me policë dhe i ndaloi djemtë që mbanin arkivolin. Nuk i njoha se kush ishte prej tyre sepse isha e turbulluar. Djemtë i thanë policëve se nuk do ta preknin atë kufomë me dorë, pa prekur ata më parë. Ata gazetarët gjermanë filmuan me kamera.

Nga ora 4 deri në orën 6 njerëzit kanë vazhduar të ecin dalëngadalë. Kanë kaluar edhe para spitalit. Nuk i ngacmoi më askush. Ajo u kthye në një demonstratë ku të gjithë bërtisnin: “Poshtë Partia e Punës! Poshtë Enver Hoxha! Poshtë komunizmi!” e shumë të tjera që nuk i mbaj mend. Dhe mua më thoshin që të mos mërzitesha se djalit po i bënin një përcjellje madhështore. Policët rrinin larg dhe nuk guxonin më të afroheshin sepse në rrugë kishte dalë e gjithë rinia e Shkodrës”.

Zef Kolombi kujton se kjo ngjarje e pazakontë, u shndërrua në simbolikën e lëvizjeve të mëpasshme, që ndodhën gjatë vitit 1990 në Shkodër njëra pas tjetrës. Ishte kjo, hera e parë që thirrej në kor prej rreth 200 vetave njëherësh…

Gjatë rrugës kur ecnim, shihnim qytetarë që dilnin nëpër ballkone dhe na inkurajonin. Dikush bërtiste, dikush i kishte sytë me lot. Dhe kjo vazhdoi deri afër zonës industriale. Pastaj aty u panë makinat e policisë që po ndiqnin kortezhin. Dikush edhe u largua pak më përpara, por ne e çuam Pllumin derisa i bëmë edhe ceremoninë e fundit, pastaj ecëm me radhë nëpër fshatra për të shkuar në shtëpi”

Zef Kolombi kjujton se pas atij marshimi demonstrativ dhe me thirrjet sfiduese kundër regjimit komunist, Shkodra nuk mund të ishte më ajo e para. Por edhe regjimi do të krhyente hakmarrjen e tij, duke dhënë nëj kundëropërgjigje të dhunshme…

Në datën 17 kanë filluar arrestimet e njerëzve sepse i kishin filmuar dhe fotografuar në demonstratë. Këtë e pohon vetë ish-kryetari i Degës Çapajev Taçi, që i çon fonogram Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ku i thotë: “Ne, pasi kemi filmuar dhe fotografuar demonstratën, po bëjmë identifikimin e personave organizatorë dhe pastaj do të veprojmë sipas ligjit” etj., etj. Të parin kanë arrestuar vëllanë tim në ndërmarrjen ku punonte. Më kishin kërkuar edhe mua te puna ime. Unë në fakt atë ditë nuk kam shkuar në punë. Në atë kohë unë flija në një dhomë me vëllanë, dhe i thashë që “nesër do të na kapin. Çfarë do bëjmë? A të ikim?”. Ai më tha: “Po ku t’i lëmë prindët?”. I thashë: “Do të na kapin”. Dhe ashtu ndodhi. Kur vij në shtëpi, gjej nënën e babanë të mërzitur, kuptohet. Nënës i kishte rënë të fikët se i ishin kapur djalin dhe kërkonin edhe tjetrin. Unë i thashë babait: “Babë, unë nuk shkoj në dorën e atyre”. Babai më th: “Shko atje dhe mos e le vëllanë vetëm”. Dhe kështu erdha me këmbët e mia deri te Dega e Brendshme, ku pastaj filluan procesin e tyre. Gjatë kohës që unë isha në birucë bashkë me vëllanë, sipas verifikimeve që kemi bërë më pas me dosjet, kanë thirrur mbi 80 dëshmitarë okularë që kanë marrë pjesë në demonstratë. Ne qëndruam në birucë për një periudhë jo të gjatë sepse siç dukej, ata nuk donin ta reklamonin atë situatë, atë çfarë kishte ndodhur. 14 janari kishte ndodhur më përpara. Pra ishte një situatë që ata donin t’i mbyllnin punët. Unë qëndrova në birucë për disa javë, ndërsa im vëlla edhe pak më tepër dhe pastaj kemi dalë prej andej…

Në vend të epilogut…

Kjo është vetëm njëra prej ngjarjeve tragjike të vrasjeve në kufi.  Vetëm në Shkodër janë vrarë në kufi 13 të rinj, duke shënuar edhe numrin më të lartë në të gjithë zonat kufitare të Shqipërisë. Por ajo që duhet të shërbejë si kambanë alarmi, 30 vjet më vonë është drejtësia e munguar për këta familje zemërthyera.

Zef Kolombit, kryetari i shoqatës së të vrarëve në kufi, thotë se shpesh edhe em familjarët e viktimave i bëjnë njeri tjetrit vetëm nëj pyetje: mirë që fatin e tyre ata e morën me vete, nga dita që u vranë të afërmit, u ikën në kufi, u përdhunuan kufomat, por çfarë u bë me persekutuesit e tyre, me vrasësit e tyre?

Zef Kolombi thotë me dhimbje se “Askush nuk u mor me persekutuesit, me kriminelët, me vrasësit, të cilët vazhduan jetën në hierarkinë e administratës më të lartë të pushtetit. Disa prej tyre, që unë i kam njohur nëpërmjet interesimit që kemi pasur si shoqatë, kanë arritur të marrin strehim politik në shtetet e botës perëndimore, tek ajo botë perëndimore ku donin të shkonin ato viktima, ata të shkretët që u vranë. Ky është një përdhunim i dytë, një vrasje e dytë, që tashmë u bëhet atyre që vdiqën, por edhe familjarëve të tyre.

Komisari i pikës ku është vrarë Pllumb Pllumbi, ishte njëri ndër rojet kryesore që hapte derën te Partia Demokratike, pra që të lejonte të hyje brenda ose nuk të lejonte. Më vonë arriti që të bëhet shef i komisariatit, nën pushtetin e të djathtës, dhe më vonë i ktheu shpinën edhe të djathtës dhe vazhdoi karrierën e tij edhe me pushtetin e të majtës. Gjithmonë në majat më të larta të Ministrisë së Rendit.

Ish-hetuesi im dhe i tim vëllai, që ka vdekur dhe nuk kam dëshirë ta përmend emrin e tij, për çudi, bëhet prokuror në Malësinë e Madhe. Nga një hetues, nga më të tmerrshmit që kishte Dega e Brendshme e Shkodrës, vazhdon karrierën e tij si prokuror, jo prokuror i thjeshtë, por prokurori nr. 1 i Prokurorisë në Malësinë e Madhe, në atë kohë.

Unë nuk e di, sepse personalisht mund të flas vetëm për atë që ndiej unë, por çfarë ndjen një prind, të cilit i kanë vrarë djalin ose vajzën në atë moshë, kur t’i shohë këta njerëz po në komandën e shtetit. Dhe asnjë iniciativë nga institucionet përkatëse shtetërore nuk është marrë për të nxjerrë në dritë këto krime, për dënimin e këtyre kriminelëve, brenda ligjeve të kohës, brenda atyre çfarë ata kanë shkelur…Marrë nga Kujto.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here