Xhixho: Rama krijoi përçajen, çdo miting elektoral apo organizim i procesit zgjedhor…

0
122

Intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho: Çdo miting elektoral apo organizim i procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së, është i paligjshën dhe provokim i pastër

“Askush nga ne nuk dëshiron përplasje midis qytetarëve por kjo përçarje që po krijon ky kryeministër, do e bëjë atë përgjegjës për çdo gjë. Protesta do ketë në gjithë shqipërinë për mos lejuar në asnjë mënyrë votime moniste në 30 qershor. Kjo qeveri ilegjitime ka humbur çdo moral, besim dhe të gjithë përgjegjësit e blerjes së votave”. Këtë qëndrim ka LSI-ja për situatën në vend. Nënkryetarja e kësaj force, Erisa Xhixho në një intervistë për “Koha Jonë”, thotë se për sa kohë që dekretimi për anulimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale nuk zbatohet nga PS-ja, “çdo miting elektoral apo organizim i procesit zgjedhor nga ana e KQZ-ja, është i paligjshën dhe provokim i pastër ndaj tyre”. Për kushtin e ri të opozitës, që është dënimi i vjedhësve të votës në zgjedhjet e përgjithshme të 2017, thotë se vënia përpara drejtësisë e gjithë blerësve të votave është minimumi që sistemi funksional i drejtësisë mund të bëj ndaj krimit elektoral. A ka zgjidhje që vendi të mos shkojë në përplasje civile? Për Xhixhon, kriza në të cilën ndodhet vendi, ka vetëm një zgjidhje politike që ka propozuar opozita ,” një Pakt Kombëtar për të hapur një etap të re të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe forcimit të ekonomisë për qytetarët dhe jo për oligarkët”. E pyetur se përse ndërkombëtarët po qëndrojnë larg zgjidhjes së krizës, nënkrytearja e LSI-së pohon se: “Familja Europiane të cilës ne duam ti bashkohemi, ka në themel demokracinë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje që buron pikërisht nga vota e lirë, e ndershme dhe në këtë po kërkojmë të zbatohet dhe në vendin tonë”.

Si e shpjegoni që ende PS-ja vijon fushatën zgjedhjore, kur Presidenti i Shqpërisë, Ilir Meta i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit? Nga ana tjetër, ky vendim është botuar edhe në fletoren zyrtare.

Tashmë çdo veprim i maxhorancës është anti-ligjore, përsa kohë kemi një dekret të Presidentit të Republikës, i cili ka anuluar datën 30 qershor si datë zgjedhjesh, duke u botuar dhe në fletoren zyrtare. Ky dekret është i detyrueshëm për të gjithë. Në këto kushte çdo miting elektoral apo organizim i procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së, është i paligjshën dhe provokim i pastër ndaj tyre.

Pas protestës së 21 qershorit, Basha tha se opozita do të pamundësojë takimet e kryeministrit Rama me elektoratin. Kreu i PD tha se aksioni do të jetë si në Shkodër. A i druheni përplasjeve që mund të kthehet në luftë civile mes pushtet vendor dhe atij qeveritar? Si do të organizohen këto protesta kur po i aforhemi 30 qershorit?

Qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar kundër një qeverie të lidhur me krimin që deformon vullnetin e tyre. Padyshim që kjo arrogancë nga ana e kryeministrit Edi Rama që sot pas përgjimeve të medias gjermane “Bild”, duhet të mbante përgjegjesi politike dhe ligjore, revolton akoma më shumë qytetarët. Askush nga ne nuk dëshiron përplasje midis qytetarëve por kjo përçarje që po krijon ky kryeministër, do e bëjë atë përgjegjës për çdo gjë. Protesta do ketë në gjithë Shqipërinë për mos lejuar në asnjë mënyrë votime moniste në 30 qershor. Kjo qeveri ilegjitime ka humbur çdo moral, besim dhe të gjithë përgjegjësit e blerjes së votave në Durrës, Dibër e gjithë Shqipërinë, do përgjigjen para drejtësisë për këtë kriminalizim të organizuar në çdo qelizë që i kanë bërë vendit tonë.

Opozita ka shtuar një kusht të ri, përveç largimit të Ramës. Burgosja e vjedhësve të votave por si do ta arrijë opozita që të dërgojë mbrapa hekurave këta persona? Pse deri më sot nga ana e opozitës, nuk ka pasur asnjë padi për pushtetarët e PS-së që dalin në përgjimet e “Bild”?

Ne kërkojmë të ndërtojmë një shtet të së drejtës dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Kjo mund të arrihet duke kthyer në shinat ligjor e kushtetues Reformën në Drejtësi që ajo të jetë e pavarur, profesionale dhe e drejtë për të gjithë. Nëse do e kishim Prokurorinë sot të pavaruar, padyshim që gjithë zyrtarët nga kryeministri Edi Rama, deputetët, ish-ministrat e deri tek punonjësi i administratës publike, do të ishin thirrur nga Prokuroria për tu marrë në pyetje e më tej do kishin filluar procedurat për ndjekjen penale. Po kjo gjë nuk ndodh sot. Prandaj padyshim që vënia përpara drejtësisë e gjithë blerësve të votave është minimumi që sistemi funksional i drejtësisë mund të bëj ndaj krimit elektoral. Nuk mund të vazhdojmë më me pandshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë të kthyer në normë tashmë.

Audio-përgjimet e “Bild”, nxorrën në pah përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që në 2016 me një denoncim të Partisë Demokratike dhe si dosja 339,184 kanë vite që nuk zbardhen me vendim politik të Prokurorisë.  Aty janë dosjet, ti zbardhin pasi është një çështje që ka interes kombëtar si dhunimi që i është kryer vlerës nga buron demokracia dhe pluralizmi politik pikërisht Vota. Kjo Prokurori e kapur tashmë nga maxhoranca shqetësohet për daljen e sekretit hetimor dhe imazhin e saj, sesa për hetimin e plotë të çështjeve dhe vënien përpara drejtësisë të çdo zyrtari të përfshirë në këtë masakër elektorale.

Absurdi arrin kulmin kur vetë Kreu i Komisioneve të Ligjeve, Ulsi Manja është i përfshirë në këtë skemë mafioze, të blerjes së votave dhe në vend që të shkojë të përgjigjet përpara drejtësisë, propozon ligje për t’iu hequr të drejtën shqiptarëve për të lëvizur jashte vendit nga 5-10 vjet për ata që dhunojnë procesin zgjedhor. Këtu nuk ka më as moral dhe as përgjegjshmëri. Pasi e vetmja gjë që duhet të bëjë është të japë urgjent shpjegime dhe të mbajë përgjegjësi për këtë vepër të rëndë penale që ka kryer para organëve të  drejtësisë.

Si e shihni faktin që ndërkombëtarët, ndryshe nga herët e tjera, kanë qëndruar larg nismave serioze për zgjidhjen e kësaj krize? Shumica e tyre kanë qënndruar të heshtur edhe për përgjimet. E shihni si mbështetje të pushtetit qeveritar? Në kuvend, Rama tha se ndërkombëtarët janë kundër opozitës.

Mendoj që mbas 30 viteteve nga rënia e kominizmit, shqiptarët duhet të tregojnë maturi dhe përgjegjshmëri që krizat e tyre ti zgjidhin vetë. Qeveritë e vendeve europiane flasin me raportet periodike që bëjne për vendin tonë.

Raporti i DASH, flet qartë që Shqipëria është kthyer në qendër operacionale të krimit të organizuar për Europën e më gjerë, për korrupsion në të gjitha nivelet dhe fenomenin në rritje të pastrimit të parave. Ndërkohë fatkeqësisht, Parlamenti holandës pak kohë më parë i kërkoi Komisionit Europian vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe gjithashtu mos hapjen e negociatave me vendin tonë për dy arsye: Mungesa e luftës kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar. Gjermania, Franca po ashtu për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesëve nga Shqipëria, vlerësuan se Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat.

Kriza në të cilën ndodhet vendi, ka vetëm një zgjidhje politike që ka propozuar opozita, një Pakt Kombëtar për të hapur një etap të re të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe forcimit të ekonomisë për qytetarët dhe jo për oligarkët. Familja Europiane të cilës ne duam ti bashkohemi, ka në themel demokracinë dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje që buron pikërisht nga vota e lirë, e ndershme dhe në këtë po kërkojmë të zbatohet dhe në vendin tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here