Në një deklaratë të Partisë Demokratike pas ngjarjeve të ndodhura në Vaun e Dejës ka dënuar atë që e quan “skenar kriminal të Edi Ramës për inkriminimin e opozitës dhe identifikimin e saj me dhunën që ka planifikuar vetë”.
“Emërimi i Tom Doshit si shef i shtabit politik për Shkodrën, nga Edi Rama, është emblema e qeverisë për 30 Qershorin. Një individ, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, është garancia që Edi Rama i jep krimit për të bashkëqeverisur.
Duke qenë se e ka dërguar si përfaqësues në KZAZ për të dhënë direktiva për 30 Qershorin, për të bërë herë si politikan, herë si gangster, herë si shef policie, le ta ngarkojë edhe si prokuror që të shpallë armik atë që ka caktuar partia.
Partia Demokratike shpreh keqardhjen për policët e dëmtuar sonte, si dhe i inkurajon ata të bëjnë publik çdo informacion qe zbulon planin kriminal të Edi Ramës për përplasje civile” – thuhet në deklaratën e PD-së.