Vendi ndodhet në anarki!!! Gjosha: Ndryshimet duhet të nisin që nga Kushtetuta….

0
140

Opozita do të jetë fituese vetëm nëse do të arrij të përmbysë këtë regjim, duke sensibilizuar qytetarët se kemi nevojë për ndryshim rrënjësor të mentalitetit qeverisës. Ndryshimet duhet të nisin që nga Kushtetuta dhe ndarja e pushteteve

Asnjë vend demokratik nuk mund të pranojë autokracinë në Shqipëri

Klajda Gjosha, ish-ministrja e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se tërheqja e vëzhguesve të KiE nga 30 qershori tregon se nuk do të njihet nga palët. Zonja Gjosha shprehet se zgjedhjet i certifikojnë shqiptarët dhe jo disa ambasadorë, ndërkohë që pohon se me kryeministrin nuk ka asgjë për të diskutuar, derisa ai është i vendosur ta çojë deri në fund çmendurinë e tij, për shkeljen e Kushtetutës.

-Zonja Gjosha cila është domethënia e tërheqjes së Vëzhguesve të KiE nga zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri?

– Këshilli Evropës është një organizëm që gjithmonë ka luajtur një rol kyç në monitorimin e zgjedhjeve dhe sidomos në zgjedhjet lokale, duke prodhuar një raport në kuadrin politik dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Nga kjo pikëpamje, në këto zgjedhje është tërhequr trupa kryesore e vëzhguesve, të cilët nuk kanë pranuar të monitorojnë zgjedhje që shkelin të drejtën e votuesve për të zgjedhur! Përveç kësaj, arsyet e tërheqjes së vëzhguesve janë shumë domethënëse sepse kanë të bëjnë me paqartësitë e kuadrit ligjor në të cilat zhvillohen, pasigurinë si dhe përfaqësimin me një kandidaturë të vetme. Kjo tregon se 30 Qershori është një datë e cila në të gjitha rrethanat do të ketë kontestime dhe nuk do të njihet nga palët, por edhe nga Gjykata Kushtetuese në momentin e ngritjes së saj!

– A mendoni se ky veprim politik i KiE do të ketë ndikim në udhëheqjen e Re të Bashkimit Evropian që do të zgjidhet në shtator? Po a do të reflektojnë në qëndrimin e tyre edhe ato qeveri të BE që deri tani ose e mbështetin qeverinë e Ramës ose janë neutral?

-Të jeni të bindur që nuk ka asnjë vend demokratik që mund të pranoj autokracinë në Shqipëri. Kjo do të ketë ndikim shumë të fortë në vlerësimin që do t’i bëhet vendit tonë në tetor sa i takon mundësisë për çeljen e negociatave.

-Po OSBE/ODIHR pse ende nuk reagojnë sikurse KiE?

– Është e drejtë e tyre të vëzhgojnë zgjedhjet. Pyetja kryesore është, a do të munden dot t’i certifikojnë ato? Ky raport për zgjedhjet do të jetë thjesht një konstatim, por kurrsesi vlerësim i procesit zgjedhor!

-. Pse ambasadorë në Tiranë ditët e fundit bëjnë takime të shpeshta në selitë e PD dhe LSI e jo në PS e Kryeministri? 

– Nuk besoj se ka mbetur më diçka për të diskutuar me Kryeministrin, i cili ka vendosur ta çoj deri në fund çmendurinë e tij për shkeljen e ligjit, Kushtetutës dhe mos respektimit të institucioneve. Nuk mund të diskutohet me dikë që nuk pranon shansin që iu dha nga Presidenti i Republikës për të dialoguar dhe për të gjetur një zgjidhje.

– Thuhet se Kryeministri Rama ka mbështetjen e SHBA e BE që të bëjë zgjedhje në 30 Qershor edhe pse Presidenti i Shqipërisë i ka shfuqizuar. Ka bazë kjo?

– Unë nuk besoj se Kryeministri ka gëzuar ndonjëherë mbështetjen e cilësdo prej kancelarive partnere. Klasa politike shqiptarë sot po kalon një sprovë të rëndësishme, atë të maturisë dhe përgjegjësisë politike. Ndërkombëtarët gjithmonë kanë dashur të shohin apo të zbulojnë lidership vendas në zgjidhjen e krizave. Kjo është një sfidë që duhet ta kalojnë të gjitha vendet për të mbyllur fazën e tranzicionit dhe për të filluar një epokë të re qeverisjeje. Ndaj dhe situata sot duket sikur është lënë në rënie të lirë nga partnerët tanë. Politika jonë duhet të mësoj tē dialogojë, të qeverisë, të respektoj qytetarët dhe të jetë e aftë të vetë zgjidhë kriza të çdo lloj natyre!

– A nuk përbën precedent të rëndë Kushtetues që Kryeministri dhe institucione Kushtetuese të mos duan të zbatojnë Dekret të Presidentit të Republikës të shpallur edhe në gazetën zyrtare?

– Ky është precedenti më i rëndë i këtyre vetive sepse pas datës 30 Qershor i jep të drejtën çdo qytetari apo force politike të mos njohë asnjë ligj, institucion apo edhe vendim të Këshillit të Ministrave. Një shtet që funksionin jashtë kuadrit ligjor dhe Kushtetues rrezikon anarkinë dhe fatkeqësisht Shqipëria është shumë pranë këtij sistemi!

– Zonja Gjosha ju si e shpjegoni që SHBA dhe BE Shtetet e fuqishme të Evropës nuk kanë kaq Ndjeshmëri që në Shqipëri bëhen zgjedhje Pa Opozitën?

– Siç e thashë dhe pak më lart, nuk kemi të bëjmë me indiferencë nga ndërkombëtarët, por me një provë politike. Unë besoj edhe qëndrimi i tyre do të jetë shumë më i fortë pas datës 30 Qershor!

– Nëse zgjedhjet bëhen në 30 qershor ju si mendoni: Do të njihen nga SHBA dhe BE ndërkohë që Opozita nuk do t’i njohë?

– Pyetja nuk është a i njohin zgjedhjet ShBA dhe BE, por a i njohin zgjedhjet qytetarët shqiptarë? A do të njihen zgjedhjet nga Gjykata Kushtetuese? Ky është thelbi i një shteti të përgjegjshëm dhe demokratik!

– A mund të shkojë Opozita në zgjedhje të parakohshme parlamentare pas 30 qershorit por pa u përsëritur zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019?

– Opozita duhet t’i shkoj kauzës së saj deri në fund. Nuk bëhet më fjalë për të marrë pjesë në votime, por për të pasur standarde dhe një sistem që të jetë i barabartë për të gjithë. Opozita do të jetë fituese vetëm nëse do të arrij të përmbysë këtë regjim, duke sensibilizuar qytetarët se kemi nevojë për ndryshim rrënjësor të mentalitetit qeverisës. Ndryshimet duhet të nisin që nga Kushtetuta dhe ndarja e pushteteve dhe deri te mënyra se si cdo qytetar duhet të ushtroj të drejtën për t’i kërkuar llogari politikës!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here