Sabit Tusha dhe nëna e atij Hate u kthyen në një sensacion të vërtetë në rrjetet sociale pasi u shfaqën bashkë në mbrëmjen e maturës.
Ata folën sot për herë të parë në një emision televiziv. Të ftuar tek “Ftesë në 5”, Sabiti dhe Hatja rrëfyen parapërgatitjet për tek festa ku u bënë të famshëm, pa e parashikuar aspak diçka të tillë.
“E kam planifikuar që në fillim të vitit të 3-të. Mendoja se do dilte diçka e bukur, por nuk ma ka marrë mendja kurrë se do bëhej një bum kaq i madh.”, u shpreh 18- vjeçari.
Sabiti është më i vogli i 12 fëmijëve të zonjës Hate, e cila në moshën 67-vjeçare ka 28 nipër e mbesa!
Maturanti i pazakontë u shpreh se ka një lidhje të veçantë me mamanë e tij, të cilën e konsideron njeriun më të shtrenjtë të jetës.
Zonja Hate nga ana e vet, nuk ishte fort entuziaste fillimisht, kur mori ftesën e papritur nga i biri.
“I thashë: ‘Mos po bën ndonjë gabim që po më merr? Të gjithë shkojnë me shoqet!’ Por ai më tha: “Jo, dua të shkoj me zemrën teme.”‘
“Me partneren e jetës seme”, e korrigjoi Sabiti gjatë intervistës bashkë tek “Ftesë në 5”, “Nuk mendoj se ka partnere më të bukur se ajo që të ka bo kokën, apo jo?”