Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë të lirë ditën e sotme anëtarët e Partisë Demokratike që u arrestuan më 14 qershor pasi organizuar një protestë në Librazhd për t’i bllokuar rrugën eskortës së kryeministrit Edi Rama, teksa ky i fundit mbajti mitingun në këtë qytet.
Ditën e sotme Apeli ka vendosur të lërë të lirë kryetarin e Degës së PD Librazhd, Bujar Vreto, kryetarin e Degës së PD Prrenjas, Arjan Karriqi si dhe dy të arrestuarit e tjerë Bujar Kojku dhe Dash Boja.
Bashkë me anëtarët e PD-së u proceduan edhe 23 qytetarë. Në lidhje me këtë lajm Partia Demokratike është shprehur se ky lirim tregon se arrestimi I anëtarëve të Partisë Demokratike ka qenë politik.
“Të gjitha arrestimet e policisë në disa vendime të njëpasnjëshme janë cilësuar nga vendimet e gjykatave si të paligjshme. Lirimi i sotëm i drejtuesve politikë të PD në Librazhd e Prrenjas konfirmon sjelljen antiligjore të policisë së Sandër Lleshajt dhe është një tregues i nevojës urgjente për depolitizimin e institucionit të policisë nga një strukturë drejtuese e mbushur me vegla të verbra të Edi Ramës dhe me ish-eksponentë të Sigurimit të Shtetit,”- shkruan PD-ja në reagimin e saj zyrtar.