Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i pranishëm në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se zgjedhjet e 30 qershorit nuk respektuan asnjë ligj.
Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit, ndërsa tha se ky i fundit vijon të manipulojë votat e shqiptarëve edhe në këtë proces ku nuk kishte garë, por vetëm votime socialiste. Gjithashtu Mediu theksoi se shifrat e pjesëmarrjes treguan se shqiptarët refuzuan kryeministrin e Edi Ramës.
“Zgjedhjet ishin pa kandidate dhe këto zgjedhje nuk respektuan asnjë ligj. Dekreti i presidentit është në fuqi për aq kohë sa nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese. Bazuar në këtë unë mendoj se opozita duhet të denoncojë sjelljet e kësaj qeverie. Rama ka qenë pjesë dhe protagonist i vjedhjeve dhe manipulimit të zgjedhjeve. Edhe në këto zgjedhje, që ishte vetëm ai vijon të vjedhë votat. Ka një raport të ODIHR, që flet për parregullsi zgjedhore. Këto zgjedhje janë braktisur nga elektorati i majtë dhe nga të gjithë shqiptarët”-tha ai.
Ai shtoi se zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti i Republikës në 13 tetor do shërbejnë për zgjidhjen e krizës politike.
“Opozita ka ruajtur një raport të drejtë me qytetarët. Shqiptarët kanë mbrojtur standardet e zgjedhjeve. Pas 30 vitesh patëm zgjedhje me një kandidat. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme me 13 tetor janë zgjidhja e kësaj situate”-u shpreh Mediu.
Aleati i Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, theksoi se drejtuesit e bashkive të djathta nuk duhet të dalin nga zyrat.
“Dekreti i presidentit iu ka dhënë të drejtën dhe raporti i OSBE/ODIHR ka certifikuar qëndrimin e tyre. Krerët e bashkive të djathta nuk duhet të dalin nga zyrat. Ata kanë respektuar dekretin e Presidentit të Republikës”-theksoi ai.