Nga Belind Këlliçi.
Mbrëmë ishte nata e fundit e Destilit, godinë plotësisht e restauruar, funksionale dhe plot jetë, që deri dje, në kuptimin e parë të fjalës, mirëpriste qindra të huaj, studentë dhe aktivitete kulturore.
Mesa duket, Erion Veliajn i cili nuk ka asnjë lidhje biologjike apo shpirtërore me kryeqytetin, e motivon dhe inspiron më së shumti shkatërrimi dhe asgjesimi i vlerave arkitekturore të qytetit dhe lagjeve historike të Tiranës.
Gjatë mandatit të tij në drejtim të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka dhënë 800 e kusur leje ndërtimi duke rrafshuar e betonizuar përditë e më shumë Tiranën historike, ndonëse një nga premtimet e tij kryesore në fushatë ishte “0 beton në qytet”.
Kaq mjafton për të kuptuar sa respekt ka ky njeri jo vetëm për banorët e Tiranës, por dhe për trashëgiminë historike të kryeqytetit tonë.
Ai po na vjedh përditë jo vetëm të kaluarën e përbashkët, por dhe të ardhmen urbanistike të një qyteti që lehtësisht mund të ishte i jetueshëm në përmasa njerëzore, me parqe, pedonale, kënde lojrash dhe hapësira historike të ripropozuara, të cilat nuk duhet të jenë ishuj në qytete betoni.
Refuzimi masiv i qytetarëve të Tiranës për tu bërë pjesë e farsës tënde të rradhës më 30 qershor, ishte përgjigja më e mirë ndaj modelit tënd destruktiv dhe fasadës tënde të rreme Erion Veliaj!