Votimet e 30 Qershorit po lënë gjurmë të thella në jetën politike shqiptare. Mesa duket do të përflitet gjatë për to e ndërsa së fundmi opozita i ka kërkuar Komisionit Qendror Zgjedhor kopje të materialeve të procesit të votimeve duke dashur kështu të vertëtojë më së mirë manipulimet e bëra, megjithëse ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete për këtë kërkesë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Standard” kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka folur për këtë çështje si dhe shumë tema të tjera të krizës politike, duke u ndalur edhe tek protestat e ardhshme të opozitës si edhe tek reforma në drejtësi.
Intervistoi: Albina Elezi
Cili është komenti juaj për votimet e 30 qershorit dhe për gjithçka që u publikua rreth tyre?
Kjo është një fitore e opozitës sigurisht që do të dëshironim një fitore te një natyre tjetër në kushtet e dhunimit kushtetues që bëri partia Socialiste. Sidoqoftë është një fitore sepse votoi rreth 15 % e shqiptarëve. Vetë shifrat e tregojnë raportin qesharak të njerëzve të votuar të partisë Socialiste. Me popullin nuk asnjë lloj morali që me 15 % të votuesve të pretendosh që administrosh të gjitha bashkitë e Shqipërisë kështu gjykoj që është një fitore e opozitës. Opozita nuk pretendon që ato 85% të jenë të gjithë aleatë të saj sepse aty ka elektorat gri , ka njerëz të pavendosur , po kështu mund të këtë njerëz të cilët votojnë për forma të tjera por ama ky ishte më shumë një sinjal për Edi Ramën që më shumë se 85% e njerëzve nuk të duan atë. Pastaj duan opozitën apo jo, ky fakt do të çertifikohet në një votim ku do të votohet dhe votat do të numërohen me kushte normale.
A mendoni se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të jetë i gatshëm t’i dorëzojë opozitës kopje të materialeve të procesit të votimeve të 30 Qershorit?
Unë mendoj që KQZ-ja ka detyrim ti dorëzoje ato materiale si dhe të bëjë shumë gjëra të tjera. Ajo çka më frikëson mua është se KQZ-ja e Shqipërisë dhe më saktë e partisë Socialiste nuk ka për të bërë asgjë nga ato çfarë i është kërkuar, do të vazhdojë të bëjë sabotime ato që bëri, si p.sh për vëzhguesit të opozitës për të drejtën për të qënë atje. Opozita vërtetë i ka braktisur zgjedhjet, po ky është një pozicion politik, është praktikisht një formë votimi që ne nuk shkuam të votonim në ato situata që ishin, por kjo nuk na heq të drejtën që të kishim vëzhguesit tanë në ato zgjedhje të mbajtura më 30 Qershor . Pasi këtu jo vetëm që zgjedhjet u mbajtën në mënyrën moniste më një kandidat por dhe numërimi u zhvillua në mënyrë staliniste që do të thotë vetëm me komisionerë socialistë. Kush na garanton neve që kanë qënë rreth 15% të votuesve. Unë mendoj që nuk mund të jenë aq, përkundrazi mund të jenë më pak, vetëm 10% e tyre. Kemi shumë që të na dorëzohen materialet që të hapen kutitë, sepse atëherë do ta vërejnë të gjithë shqiptarët se çfarë teatri absurd është luajtur në vendin tonë. Gjithsesi përsëri unë kam frikë se këta persona nën presionin e Kryeministrit Edi Rama do ta vazhdojnë akoma të shkelin ligjin pasi këtu po e shkel vetë ligjin ai i pari duke e ndjekur nga pas ministri i brendshëm Lleshaj, po kështu dhe kryetari i parlamentit. Sigurisht që në këtë mënyrë mund të veprojnë dhe anëtarët e komisionit qendror zgjedhor.
Cili do të jetë aksioni i opozitës në vazhdimës. A do të ketë radikalizim, do të vazhdojnë protestat?
Patjetër që do të kemi një aksion i cili do të jetë i strukturuar në 2-3 drejtime. Së pari do të jetë një tur kombëtar që Lulzim Basha po bën për të takuar të gjithë simpatizantët e opozitës ato të cilët me koston e një sakrifice shumë të madhe ushqyen protestën popullore të mbajtur 10 herë radhazi , gjë e pa precedentë në Shqipëri. Së dyti në mbledhjen e të gjithë dokumentacioni të nevojshëm për krijimin e dosjeve për çdo kancelari ndërkombëtare për ODHIR dhe OSBE do të jenë në rradhë të parë të cilët janë përgjegjës për çertifikimin zgjedhor atëherë kur të dali raporti përfundimtar. Po do ti shpërndajmë në të gjithë diplomacinë ndërkombëtare. Sigurisht që protestat do të vazhdojnë edhe pse nuk kemi përcaktuar ende një datë konkrete për protestën e rradhës . Opozita ka zgjedhur sheshin si fushë beteje sepse parlamentin dhe zgjedhjet i kemi braktisur, tashmë protestat janë arma jonë më e fuqishme dhe do ti realizojmë vazhdimisht.
A e shihni si një akt proteste dhe idenë e qarkulluar në media për mospagesë taksash për qytetarët derisa kryeministri të dorëzohet dhe të vendosë për qeveri tranzitore ?
Sigurisht që këto janë forma të rezistencës demokratike civile dhe ne mendojmë siç ishin,protestat e mëdha popullore edhe kjo do të jetë nje e tillë. Praktikisht do të vazhdojmë të përdorim të gjitha format dhe mënyrat e mundshme.
Përsa i përket reformës në drejtësi, si e shihni ecurinë e saj?
Deri tani nuk kemi asnjë lloj ecurie, do të ishte me e mira që të kishim diçka të tillë që të kishim të drejtë ta gjykonim . Ajo çka ne gjykojmë është fakti se reforma në drejtësi është kompromentuar falë ndërhyrjeve të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste gjithashtu dhe nga mos koherenca e ndërkombëtarve. Megjithatë opozita e ka bërë pjesën e saj, i kemi votuar para 3 vjetëve me shpresën që brenda këtij 3-vjeçari mund të kishte lëvizur ndonjë gjë për mirë por ka ndodhur komplet e kundërta pasi nuk kemi ende një gjykatë kushtetuese, gjykatë të lartë, pasi mblidhen dosjen në mënyrë jo korrektë, përpjetë . Gjithë kësaj kohë Shqipëria ka pasur një drejtësi të cunguar, jo se në etapat e mëparshme ka pasur drejtësi të mrekullueshme. Reforma në drejtësi ka qenë e dëshiruar prej të gjithëve ne, por deri tani fatkeqësisht ka dështuar. Është premtuar se do ti shohim “peshqit e mëdhenj” prapa hekurave deri tani nuk kemi shikuar jo e jo të mëdhenj por as ndonjë “cironkë” nuk është kapur nga kjo drejtësi. Përsëri jemi të duruar dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me shpresën që reforma do të përmirësohet nga ndërkombëtarët duke besuar se ata vete do ti shohin gabimet ku janë , dhe do ta riformojnë sistemin në drejtësi ç’ka është mëse e dështuar. Opozita ndodhet në gatitshmëri për të dhënë të gjithë kontributin e saj duke rindërtuar sistemin në të gjitha hallkat e saj.