Tkurrja e popullsisë shqiptare, drama që po konsumohet përpara…

0
166

Ervis Iljazaj

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nxjerrë raportin e saj të përvitshëm për projeksionin e popullsisë në botë. Sipas këtij projeksioni, Shqipëria do të ketë rënien më të madhe të popullsisë deri në fund të këtij shekulli, ku do të pësojë një rënie të saj deri në një milion banor në rastin më të mirë.

Po sipas parashikimit dramatik të këtij raporti, dy janë arsyet kryesore të rënies drastike të popullsisë shqiptare. E para, emigracioni dhe e dyta, rënia e lindjeve. Që të dyja, edhe pse duken si arsye të ndryshme, në fakt kanë një shkak. Është pasiguria ekonomike dhe mungesa e shpresës për të ardhmen, që është kthyer në një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare.

Një vit më parë, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar publikuan një studim mbi lëvizjet migratore të shqiptarëve, nga doli se afro 40 për qind e popullsisë së Shqipërisë jetojnë jashtë vendit.

Me këto shifra, Shqipëria renditet midis vendeve europiane e botërore me emigrimin më të lartë për frymë të popullsisë. Kryesisht emigrantë pune, studentë, azilkërkues e refugjatë, si dhe minorenë të pashoqëruar. Nga ky studim del se vendet me më shumë emigrantë shqiptarë janë Italia me 450 mijë dhe Greqia me 430 mijë vetë deri në 2017.

Sigurisht që shifra të tilla tregojnë për një dramë njerëzore të konsumuar përpara syve tanë dhe që askush nga ata që patën mundësinë, nuk bëri asgjë për ta ndaluar.

Pothuajse gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo është një shifër alarmante, e cila nëse vazhdon me këto trende do të ketë pasoja të parikuperueshme për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Emigracioni, përderisa do të kemi të bëjmë me një botë të globalizuar dhe një të hapur, do të vazhdojë të jetë një fenomen që s’ka për t’u ndalur asnjëherë. Në këtë kuptim, shqiptarët nuk janë i vetmi popull që emigrojnë. Mjafton të përmendim rastin e Italisë, e cila është një nga vendet më të zhvilluara të botës dhe po njësoj emigrojnë.

Por shifrat që tregon studimi për rastin e Shqipërisë, janë shifra të cilat na bëjnë të reflektojmë dhe të shqetësohemi për këtë gjendje pothuajse të pashpresë.

Njerëzit emigrojnë për arsye të ndryshme, për arsye studimi, për arsye politike ekonomike, apo edhe për thjesht për një jetë më të mirë.

 

Në këtë kuptim, emigrimi i një personi apo një familjeje nuk tregon gjithmonë varfërinë e tyre, pasi ka nga ata që emigrojnë, edhe pse kanë të ardhura të mjaftueshme për të bërë një jetë dinjitoze. Kështu që arsyet e emigracionit duhet t’i gjejmë përtej arsyes ekonomike.

Më shumë sesa varfëria, ajo që bën një popull të emigrojë është pikërisht shpresa se në vendin e tyre nuk ka një të ardhme. E me sa duket, shqiptarët, edhe pas 27 viteve pluralizëm, ende nuk besojnë tek e ardhmja e Shqipërisë. Kjo është fatkeqësia më e madhe që mund të ketë një vend, mungesa e shpresës, e qytetarëve të tij.

Në fillimet e tij pas rënies së komunizmit, emigracioni shqiptar ndoshta ishte një element pozitiv për ekonominë shqiptare, edhe pse emigracioni është një plagë shoqërore e madhe.

Askush nuk mund ta mohojë se, ekonomia shqiptare ka rezistuar falë parave të emigracionit, në një kohë kur në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë mundësi zhvillimi ekonomik. Jo vetëm në aspektin financiar, por emigrantët shqiptarë kanë luajtur një rol të madh edhe në zhvillimin e kulturës së ekonomisë, shoqërisë, apo kulturës qytetare në përgjithësi, duke përcjellë në atdhe shpeshherë eksperiencat e tyre perëndimore.

Mirëpo, pas shumë vitesh të kaluara jashtë Shqipërisë, lidhjet e tyre njerëzore dhe si pasojë financiare me të, janë shkëputur. Kështu që, emigracioni shqiptar, në këto shifra, në këto momente, përbën dramë të madhe për Shqipërinë, që nëse nuk bëhet asgjë për ta ndaluar, pasojat janë të paimagjinueshme.

Dihet fare mirë që grupmosha që kërkon të emigrojë, është grupmosha e fuqisë punëtore. Në këtë mënyrë, ekonomisë shqiptare do t’i mungojë fuqia punëtore, do t’i mungojë kontributi i tyre në zhvillimin e ekonomisë, sepse kapitali human është i pazëvendësueshëm. Dhe kjo, do të ketë një efekt zinxhir në të ardhmen, që ende nuk dihet se si do të përballohet

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here