Juristi i njohur Jordan daci, e ka cilësuar veprim noterial konfirmimin e mandateve të kryebashkiakëve të majtë që po bëhet nga Gjykata.
Sipas Dacit Gjykatat nuk kanë të drejtë të japin asnjë vendim, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese për Dekretin e Presidentit të Republikës.
Ai thekson se zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe për këtë Gjykata nuk mund të verifikojë kushtet e një mandati, duke kujtuar edhe nenin 45 të Kushtetutës.
“Praktikisht këto zgjedhje janë të paligjshme dhe bien ndesh me Kushtetutën. Për rrjedhojë nuk mund të verifikojë kushtet e një mandati të prodhuar në këtë mënyrë. Do të vërtetojnë që mandati është jo i rregullt dhe nuk duhet ta vërtetojnë. Gjykatat duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të mos kthehen në noter të një paligjshmërie dhe antikushtetushmërie, të cilën ne e kemi prezent tashmë”, shprehet Daci.
Gjykatat sipas tij, duhet të dëgjojnë argumentet e të gjitha palëve të interesuara për këtë proces.
“Në asnjë lloj rrethane gjykatat nuk munden që të mos dëgjojnë palët e interesuara dhe të mos u japin legjitimimin e tyre në proces për të paraqitur provat për mbrojtjen e interesit të tyre2, vijon arsyetimin e tij Jordan Daci.
Juristi mendon se kryebashkiakët e opozitës kanë të drejtë të mos lirojnë zyrat, por thotë se duhet ta bëjnë këtë nëpërmjet rrugëve ligjore.
“Në këto kushte ata kanë të drejtën morale dhe ligjore që të mos e pranojnë një fakt të tillë duke pretenduar se mandati i tyre ndërpritet në mënyrë të paligjshme nga një mandat i fituar në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese”, thotë juristi.
Sipas Dacit, çështjen e fletëve të votimit në Vaun e Dejës duhet ta zgjidhë Gjykata, pasi në nisje të procesit të votimit fletët që vinin nga Sllovenia kanë qenë ende në kufirin e Hanit të Hotit.