Futbolli shqiptar dhe veçanërisht klubi i Tiranës sot është në zi, pasi ndahet nga jeta i madhi Fatmir Frashëri.
Pati fituar shumë beteja në fushën e blertë, kombëtare e ndërkombëtare, por atë me sëmundjen, edhe pse u përpoq shumë nuk arriti që t’ia dilte.
Menjëhere pas lajmit ka reaguar edhe Presidenti Meta.
Me hidhërim të madh mësova lajmin e trishtë të ndarjes sot nga jeta të kampionit tonë të madh e të papërsëritshëm tiranas, si në fushë e në pankinë, por edhe jashtë ambienteve sportive, një prej legjendave të futbollit shqiptar, Fatmir Frashëri!
Familja Frashëri, që i dha aq shumë personalitete kombit tonë në të gjitha fushat, natyrisht që do t’i jepte një gjigand edhe në fushën e blertë por edhe si trajner.
Si lojtar, trajner e President dinjitoz i Tiranës, Fatmiri ynë i dashur do të mbahet mend përjetë për virtuozitetin dhe talentin e rrallë, aq sa me të drejtë për të thuhet se nuk ishte futbolli që e bëri të madh, por ishte pikërisht ai që i dha kuptim këtij sporti si rrallëkush, duke qenë njëherësh sportist i dalluar dhe intelektual i spikatur!
I ruaj me nostalgji emocionet e takimit tonë të fundit dhe bisedën e ngrohtë që patëm, duke uruar së bashku për rezultate më të mira e më të larta për sportin tonë! Ndaj uroj që amaneti i tij të përmbushet nga brezat e rinj të sportistëve tanë!
Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Frashëri, miqve e bashkëpunëtorëve të afërt, si edhe të gjithë sportdashësve shqiptarë.
I paharruar kujtimi yt Profesor!