Analisti serb dhe drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, Dushan Janjiq, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka folur rreth mesazheve që dha presidenti i Francës, Emanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Beograd për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Janjiq ka dhënë parashikimet e tij se kur do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Paris, dhe ka treguar se kur do të ketë një vendim të mundshëm për suspendim të taksës.
Njohësi i rrethanave të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka saktësuar edhe hapat që duhet ndërmarrë nga dy palët për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale.
Ndër të tjera në këtë intervistë, Janjiq, ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të Kosovës, rolin e SHBA-së dhe mundësinë që Rusia të shkatërrojë procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Intervistoi Besnik VELIU
Gazeta Express: Si e shihni vizitën e Macron-it në Serbi?
Janjiq: Ishte një vizitë e rëndësishme për raportet bilterale ndërmjet Serbisë dhe Francës. Gjithashtu është e rëndësishme për Vuçiqin dhe njerëzit e tjerë, pasi që ata e interpretojnë si një pranim të qeverisjes së tyre të mirë. Megjithatë në përgjithësi raportet ndërmjet Francës dhe Serbisë nuk janë aq të mira sa njerëzit dëshirojnë t’i prezantojnë ato.
Gazeta Express: Si i komentoni deklarimet e presidentit të Francës për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Janjiq: Ishin shumë pozitive. Më në fund vizita e tij është shumë e rëndësishme. Ishte një lloj manipulimi mes emocioneve dhe një të kaluare të përbashkët ndërmjet Serbisë dhe Francës. Por, në thelb ai ka thënë shumë që Vuçiqi dhe lidershipi serb të përgatitin opinionin publik për bashkëpunim dhe për të siguruar një vend special për veten e tij dhe Francën në vazhdimin e dialogut.
Ai e kishte vendosur dialogun në një kontekst më të gjerë, në atë të së ardhmes evropiane të Serbisë dhe Kosovës, që ishte harruar tri vitet e fundit, kur filluan diskutimet për ndarje dhe shkëmbime territoresh.
Në një mënyrë ai tregoi se përgatitjet për takimin e Parisit janë në përfundim. Dhe unë pres që një takim në Paris të jetë në fund të shtatorit, apo fillim të tetorit. Kemi parë së fundi edhe deklarimet e Philip Reeker, ai (Macron) është i koordinuar sigurisht me Ëashingtonin, sido që të jetë takimi do të ndodhë.
Gazeta Express: A shihni ndonjë mundësi që të rifillojë dialogu, nëse Kosova dhe Serbia nuk i ndryshojnë qëndrimet rreth taksës?
Janjiq: Taksa dhe shkëmbimi i territoreve janë diçka plotësisht jashtë dhe kundër kornizës së dialogut. Ato janë dy lëvizje që e kanë shkatërruar dialogun. Unë e di që taksa është një instrument i fortë për politikën e Kosovës dhe sigurisht për kryeministrin Haradinaj për të forcuar pozicionin në dialog dhe para opinionit publik të Kosovës. Është edhe një lloj mbulimi për Kosovën, që dëshmon se Kosova kontrollon të gjithë territorin e saj në sensin e kontrolleve doganore dhe policore.
Gjithashtu ka treguar që Kosova jo vetëm që ka kapacitete për t’u kundërvënë, por edhe për të menaxhuar kushtet në ekonomi dhe tregti.
Në anën tjetër taksa nuk mund të jetë një politikë afatgjate. Nëse taksa përdoret si politikë afatgjate nënkupton që ju po e mbyllni ekonominë tuaj dhe po punoni që të mbyllni shoqërinë tuaj. I fundit, nëse mund ta them ishte, Enver Hoxha i Shqipërisë, dhe për këtë (taksa) nuk është një mënyrë e duhur.
Është momenti që të dy palët janë të gatshme të bëjnë disa hapa. Nuk është aq e lehtë që të hiqet taksa. Por, unë mendoj që në Paris apo para Parisit, do të bëhet suspendimi i taksës.
Kjo është një çështje. Por, çështja tjetër është ajo e sigurisë. Rasti i vrasjes së politikanit serb, Oliver Invaoviq, sepse nuk ka komunikim zyrtar ndërmjet dy vendeve dhe kemi ndikim shumë të fortë të grupeve të krimit të organizuar në politikë në të dy anët dhe në destabilizimin e veriut të Kosovës.
Dhe për këtë mendoj që çështja e dytë që duhet diskutuar dhe do të diskutohet në Paris, apo para Parisit, me përfshirjen e NATO’së.
Dhe në fund për të rifilluar dialogun, mendoj që nuk do të jetë i mjaftueshëm takimi në Paris. Maksimumi i takimit në Paris është që të ripërsëritet gatishmëria për dialog dhe ndoshta për të treguar gatishmëri për suspendimin e taksës.
Gazeta Express: Si e shihni rolin e SHBA-së në dialog, a mendoni që është e nevojshme që administrata amerikane të përfshihet?
Janjiq: Ata kanë qenë të involvuar gjithmonë. Por, më në fund ata kanë vendosur që të përfshihen në mënyrë direkte dhe është një gjë e mirë.
Gazeta Express: Ju pyeta për këtë, sepse Hashim Thaçi kishte thënë se ishte i tmerruar kur e kishte marrë vesh që nuk kishte koordinim ndërmjet mes SHBA-së dhe Francës e Gjermanisë për Samitin e Berlinit?
Janjiq: Siç e di SHBA-ja e ka problem që të ketë një kompromis në mes të presidentit, Kongresit dhe State Departamentit, por në fund Kongresi dhe State Departament janë shumë të koordinuar dhe janë të mirë informuar për Berlinin. Ndoshta Hashimi nuk i ka parë, por ata ishin atje. SHBA-të janë të nevojshme që të ribashkohen në një formati të ri, kjo është ajo që dua të nënvizoj.
Qëndrimi i fundit i Reeker-it dhe Macron-it kanë treguar që QUINTI është pajtuar për një format të ri. Do të jetë një format i ri ku përfaqësues special të shteteve, Gjermanisë dhe Francës do të involvohen për të pasur ndërmjetësit kryesorë të Bashkimit Evropian, për të menaxhuar procesin e dialogut.
Gazeta Express: Kanë qenë disa raportime në mediat franceze që thonë se Macron-i është i hapur ndaj idesë së korrigjimit të kufijve, apo shkëmbimit të territoreve, ndryshe nga kancaleraj Merkel. A mendon se dialogu do të vazhdojë pa pasur një qëndrim të qartë të shteteve anëtare rreth idesë së korrigjimit të kufijve?
Janjiq: Para se gjithash Macron tha në Beograd se të gjithë opsionet mund të prezantohen. Dhe Vuçiq, siç jam i informuar unë, ka thënë se do të prezantojë idenë për ndarje. “Ok, ky është problemi yt”.
Por kur Macron ishte në takimet e nivelet e larta, ai ka thënë dy qëndrime. Njërin mendoj që e ka thënë edhe në prani të Thaçit, që nuk e është kundër të gjitha mundësive, përfshirë edhe idenë për ndarje. Por në të njëjtën kohë ai ka ndryshuar qëndrimet.
Por problemi që nga fillimi, është një pjesë e grupeve ekstremit të djathtë në ushtrinë tonë dhe në publik, janë duke e promovuar idenë e kolonializimit dhe shkëmbimit të territoreve. Dhe në thelb nëse freskoni kujtesën: si ishte krijuar zona në Veri të Kosovës? Duke iu falënderuar kontingjentit të Francës, dhe bashkëpunimit të tyre me Rusinë dhe Qeverinë e Serbisë. Franca ishte vendi që duhej të stabilizonte korridorin në lumin Ibër në Mitrovicë.
Dhe nuk është shumë larg për të parë mënyrën franceze se si të zgjidhet një problem post-kolonial.
Por tani nuk është në agjendë. Sepse Macron e ka thënë që nuk është kundër qëndrimeve të Grupit të Kontaktit për të zgjidhur problemin e Kosovës që nga 2004-a. Dhe një nga qëndrimet e tyre është që të mos ndryshohen territoret.
Por është e qartë që do të ketë diskutime për delimitim apo demarkim, por jo për të shkëmbyer territore apo për të vendosur kufij në vija etnike. Macron nuk e mbështete një ide të tillë tani, publikisht nuk e ka mbështetur asnjëherë idenë për shkëmbim të territoreve në vija etnike.
Gazeta Express: Si e shihni marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Janjiq: Bazuar në informacionet që kam deri në këto momente, dua vërtet të shoh që në muajt e ardhshëm të arrihen disa marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve.
Kur vijmë tek çështjet kryesore, unë nuk mendoj që mund të arrihet një marrëveshje finale, pasi që duhet shkuar në shumë hapa.
Hapi i parë duhet të jetë një lloj njohjeje e Republikës së Kosovës nga Serbia. Ekzistencë dhe jo pranim i kapacitetit ndërkombëtar të Kosovës, që nënkupton se nuk mund të shkëmbejnë ambasadorë.
Dhe gjithashtu nuk duhet të ketë shkëmbim të territoreve. Duhet pajtuar për disa parime për demarkim.
Dhe pyetja e vetme është Asociacioni i Komunave Serbe. Nëse palët pajtohen për mbrojtjen e të drejtave të minoriteve, gjë që është në një nivel shumë të lartë në Kosovë dhe nëse pajtohen për miratimin e vazhdimit të Kapitullit IV të Ahtisarit, që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore dhe Kishat.
Kjo nënkupton që është e nevojshme të ketë Asociacion apo ndoshta mund të jetë më shumë efektive, për 10-15 vjet që të ketë një lloj autonomie për katër komunat në Veri. Për të integruar ato plotësisht në institucionet e Kosovës, siç ka ndodhur në Slavoninë Lindore.
Kjo mund të relaksonte situatën, pas diskutimeve për shkëmbim të territoreve dhe mund të jetë kompromisi që mund ta pranojnë të gjitha palët.
Por do të shohim si do të funksionojë, pasi nuk duhet të harrojmë që kemi një partner të jashtëm, Rusinë. Që ka shumë ndikim. Dhe nëse Rusia nuk do të përfshihet në një mënyrë direkt apo indirekt, mund të shkaktojë shumë probleme, që nënkupton se mund të shkatërrojë komplet idenë e Brukselit për procesin e normalizimit, të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit./GazetaExpress/