Aleanca për mbrojtjen e Teatrit kërkon takim, me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE

0
139

Duke përfituar si duket nga prania në Tiranë për një vizitë zyrtare, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, që ti presë në një takim ku ai të njihet nga afër prej artistëve për çështjen e tyre.

Përmes një letre që ata i kanë dërguar zyrës së OSBE-së në Tiranë, Aleanca kërkon takim me Greminger për t’i shpjeguar nga afër se ku qëndron thelbi i problemit në lidhje me teatrin.

Në letrën e tyre adresuar Gremingerit përmes drejtuesit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ata thonë:

‘Shpronësimi i truallit publik dhe privat përreth Teatrit Kombëtar po ndodh falë një të ashtuquajturi ‘ligj special’. Ky i fundit nuk është asgjë më tepër se vjedhje me ligj, i bërë i mundur vetëm për shkak të faktit se Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese funksionale prej pothuajse dy vjetësh. Mungesa e një Gjykate Kushtetuese, rezultat i një të ashtuquajture ‘reformë të drejtësisë’, i ka lejuar qeverisë të uzurpojë çdo pushtet vendimmarrës në Shqipëri. Nuk është ekzagjerim të thuhet se ajo qeveris me dekret – çdo vendim, sado i rëndë, lejohet për sa kohë që Qeveria e miraton atë.

Komuniteti ndërkombëtar ka shpenzuar sasi të mëdha burimesh monetare dhe njerëzore për të ndërtuar një demokraci funksionale, sundim të ligjit, ndarje të pushteteve dhe kontrolle e balanca mes tyre në Shqipëri. Asnjë nga këto nuk ekziston në këtë moment dhe ekzekutivi, i kontrolluar personalisht nga kryeministri Rama, është tërësisht i pakontrolluar siç tregon çështja e Teatrit Kombëtar. Ne besojmë se do të ishte një gabim i rëndë, i cili do të zhbënte besimin e publikut shqiptar ndaj institucioneve ndërkombëtare, nëse një situatë e tillë lejohet të vazhdojë’.

Sekretari i OSBE, Tomas Greminger po viziton sot vendin për të dhënë mbështetje rreth marrjes së presidencës së OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here