Prej rreth 1 viti e gjysëm aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, aktorë, intelektualë dhe qytetarë I janë bashkuar për kauzës për mbrojtjes e Teatrit Kombëtar. Debatet për ndërtimin e Teatrit me partner privat nisën në fillim të vitit 2018 kur artistëve iu prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar por që pas tij do të ishin, të paktën, dhe katër kulla. Kjo do të sillte përplasje të ashpër madje edhe artistët do të ndaheshin në dy kampe ndërkohë që varianti i kullave përfundoi në shtatë. Prishja e Teatrit Kombëtar është kthyer në një nga temat më të diskutuara nga opinion publik gjatë javëve të fundit. Projekti i Teatrit të ri që po planifikohet të ndërtohet nga Qeveria Rama dhe Bashkia Tiranë parashikon një ndërtesë masive të betonit, që do të shërbejë si teatër, të rrethuar nga kulla shumëkatëshe. Projekti u bë publik muajt e fundit dhe ka shkaktuar kundërshtimin si të aktorëve, ashtu dhe të ekspertëve dhe qytetarëve. Këto kundërshtime arritën kulmin ditën e enjte kur policia rrethoi godinën e teatrit dhe hasi kundërshtimin e artistëve, aktivistëve të aleancës si dhe qytetarëve duke shkuar deri në përplasje. Ndërkohë erdhi dhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së i cili tha se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese përpara se të ndërmerret ndonjë veprim nga palët. Kjo deklaratë u mbështet nga aktivistët dhe artistët.
Mirela Karabina: Pushteti do të gllabërojë pronës publike për t’ia kaluar privatit
Për gazetën “Standar” aktivistja e Aleancës për mbrojtjen e Teatrit, pedagogia Mirela Karabina ka thënë se ligji për shembjen e teatrit është antikushtesues dhe favorizon kompani private në gllabërimin e pronës publike. Më tej ajo ka shtuaj se teatri mbart vlera të shumta kulturore, artistike, historike dhe kurrsesi nuk mund të prishet.
Si e shihni ligjin për prishjen e teatrit dhe në dijeninë tuaj a ka ndonjë plan konkret për godinën e re që pretendohet të ndërtohet?
Në lidhje me Ligjin Special për prishjen e Teatrit Kombëtar përbën rastin flagrant të shkeljes së kushtetueshmërisë, kalimi i një ligji special vetëm për një individ. Po pse është emërgjencë prishja e teatrit sa duhej të kalontë me këtë ligj ? Teatri Kombëtar që është pasuri kombëtare ndaj dhe kërkon konsensus të gjerë. Aty është kultura, trashëgimnia, historia ndaj cdo veprim ndaj tij nuk I përket pakicës. Problem themelor aty nuk është vetëm prishja e këtij monumeti kulture por është gllabërimi i pronës publike nga pushteti për t’ia kaluar privatit. Dhe, kjo ndodh në zemër të kryeqytetit në zonën më të bukur të tij. Pushteti guxon të ndërmarrë një hap të tillë, pikërisht tani që nuk e ka mbështetjen e qytetarëve, pasi zgjedhjet e 30 Qershorit treguan që populli nuk e dëshiron më këtë lloj qeverisje, 15% i votuan. Në cilin vend demokratik mund të guxojë kështu qeveria? Pra, jemi në kushtet e shkeljes së kushtetutës dhe ligjit, shpërfilljes së institucioneve dhe qytetarëve , ndaj dhe në këto rrethana mendoni që mund të jetë në të mirë të shqiptarëve ky akt siç pretendohet? Absolutisht jo!
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, i cili tha se palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ka qenë një fitore për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, për qytetarinë dhe për shqiptarët pasi ata kanë vlerësuar shtetin ligjor dhe shtetin e së drtejtës, pra kanë kërkuar që ligji të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Mos harrojmë që ky ligj është kthyer dy herë nga Presidenti i Republikës ku janë listuar argumentat ligjorë të shkejeve flagrante. Ndërkohë ne jemi në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, pra absurd pas absurdi, ligj special antikushtetues dhe mungesa e gjykatës kushtetuese. Qeveria kërkon të shfrytëzojë këto momente duke thelluar paligjshmërinë dhe duke i shkuar në fund babëzisë, vjedhjes së pronës publike.
Ka patur shumë qëndrime, madje dhe nga artistë që kanë deklaruar se janë pro shembjes së teatrit. Si i shihni këto qëndrime?
Personalisht më dhëmb kjo pjesë. Është e rëndë që artisti të firmosë për prishjen e teatrit, aq më tepër një teatër kombëtar. Kjo, përbën një akt jo moral, është shkelje e dinjitetit të tyre.Të gjithë ne duam jo një, por shumë teatro dhe Tirana ka shumë vende ku mund të ndërtohen. Por, kurrësesi ne nuk mund të shëmbin të shkuarën sepse e kemi të vështirë të ndërtojmë të ardhmen, të ruajmë identitetin. Kjo zonë këtu është zonë muzeale, historike dhe ky pushtet e ka nxjerrë nga lista e monumenteve të kulturës, pikërisht, për të ndërmarrë këtë akt, pikërisht për ta kthyer në shesh ndërtimi kullash shumëkatëshe. Ndaj dhe artistët nuk duhej t’u ishin bashkuar këtij plani shkatërrues ogurëzi, ndaj dhe ata nuk duhen të identifikohen si njerëzit që firmosën dhënien e pronës publike privatit sepse ky nuk është plani i tyre, por është plani i babëzizë së pushtetit. Kemi një pjesë artistësh që kanë firmosur shembjen e teatrit por kemi një pjesë tjetër luftëtarësh dhe qendrestarësh që me integritetin e tyre moral, porfesionalizmin dhe dashurinë për artin dhe vendin janë të palëkundur në zgjedhjen e tyre për ta mbrojtur deri në fund këtë kauzë. Teatri Kombëttar është shtëpia e gjithë shqiptarëve.
Pse duhet ruajtur godina e Teatrit Kombëtar, çfarë përfaqëson ajo për kulturën e kombit tonë?
Ne këtu nuk ruajmë një godinë, por kulturën, traditën, artin, historinë. Kjo është një ndërtesë që daton më 1940 e quajtur Kompleksi “Skandërbeg” dhe ka funksionuar si qendër kulturore , artstike dhe shpesh dhe politike e kryeqytetit shqiptar (Mitrush Kuteli). Ajo ka qenë kinema-teatër, institut i studimeve shqiptare, është zhvilluar gjygji special ndaj inteketualëve dhe më vonë ajo të ishte tetari kombëtar. Pra kjo ndërtesë është histori. Ndërkohë ky monument i koncetuar me dy ndërtesa paralele, një pishinë dhe palestër përfund ishte konceptuar mbi parametra bashkëkohorë të ndërtimerve të epokës së njohur “il Venttenio”. Dhe nuk bëhet fjale për një salllë, por bëhet fjalë për një kompleks të 1940-ës, i cili nuk ka të ngjashëm me Shqipërinë e 2019-ës.
Mendoni se do rikthehet sërish policia për të vijuar me planin për prishjen e godinës?
Këto ditë ka ndodhur dhe një akt që ka përforcuar qëndresën e arstistëve dhe qytetarëve, Partia Demokratike ka nënshkruar një marrëveshje me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit ku ajo angazhohet se pas marrjes së pushtetit, të rikthejë ish kompleksin “Skanderbeg” në ansambël monument kulture, të financojë rimëkëmbjen e tij dhe të çojë për ndjekje penale këdo që ka zhytur duart në këtë afire korruptive.Kështu që qëndresa ka marrë një përmasë më të gjerë. Policia e urdhëruar mund të bëjë hapa të tjerë por ne do të jemi këtu , 24 orë në mbrojtje të teatrit. Ne do ta përmbyllim me fitoren qytetare këtë qëndresë.
Si do jetë fundi i kësaj përplasjeje? A do i shkojë deri në fund Aleanca për Teatrin kësaj kauze që ka nisur?
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka rreth 1 vit e gjysëm që rri çdo natë tek shehi i teatrit, por ditën e enjte ishte përplasja ballë për ballë me pushtetin. Dhe atë mëngjes Aleanca kishte fuqinë morale, ndërsa pushteti fuqinë mekanike. Ne ishim në një raport asimetrik, megjithatë ne ia dolëm, hymë në godinë dhe kjo ishte fitore e parë e qëndresës. Pushteti nuk e ka të lehtë me Teatrin Kombëtar. Mbrëmë në sallën aq të bukur të teatrit u dha shfaqja e parë, ku aktori i mirënjohur Mehdi Malka mes emocionesh te forta i dhuroi qytetarëve artin e vërtetë. Pra, kultura dhe qytetaria triumfoi mbi dikaturën. Salla e teatrit tashmë do jetë funksionale, pra i është rikthyer publikut. Më mbetet të them që ne do të vazhdojmë të jemi këtu dhe Teatri Kombëtar NUK DO SHEMBET.
Neritan Liçaj: Do i qëndrojmë deri në fund kauzës tonë
Për Standard ka folur dhe aktori Neritan Liçaj I cili ka pohuar dhe njëherë qëndrimin e tij kundër shembjes së godinës së teatrit duke e cilësuar këtë të fundit si një pasuri kombëtare.
Pse duhet ruajtur godina e Teatrit Kombëtar, çfarë përfaqëson ajo për kulturën e kombit tonë?
Teatri eshte nje kompleks i cili ka qenë një nga fillesat e institucioneve të tjera të artit në Shqipëri. Tani dy janë dy teatro, Kombëtari dhe Eksperimentali, këtu është hapur për herë të parë ekspozita e pikturës në Shqipëri, ka qenë galeri, kanë filluar konkurset e para të Institutit të Lartë të Arteveve dhe shumë gjëra të tjera. Pra dihet që ka një vlerë të jashtëzakonshme artistike, sepse është pjesë e një kompleksi që përfaqëson kulturën e Tiranës së dikurshhme. Të gjitha këto janë arsye për mos ta prekur, por për ta rikonstruktuar.
A është plani i ri i teatrit përfitim i kompanive private dhe a po përfiton qeveria nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese për prishjen e godinës?
Sigurisht që ligji i cili është krijuar për prishjen e teatrit është përfitim i kompanive private; kjo është evidente. Do i jepet një kompanie të caktuar për përfitime personale!
Cili është qëndrimi juaj në lidhje me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, i cili tha se palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së nga ne është pritur me shumë entuziazëm pasi është e njëjta gjë që dhe ne i kemi kërkuar qeverisë; që të presim Gjykatën Kushtetuese dhe le të vendosë ajo pasi ne jemi të bindur që Gjykata kushtetuese do e hedhë poshtë këtë ligj pasi shkel 6 nene të kushtetutës, por qeverisë mesa duket nuk i mjafton koha dhe kërkon që ta prishë për pazaret personale, pastrim të parave të pista dhe trafiqeve të drogës. Jemi në një pikë ku institucionet që janë krijuar për të mbrojtur të drejtat e vetë institucioneve dhe qytetarëve nuk respektohen.
Do vazhdojë qëndresa juaj?
Besoj se këtë e kemi vërtetuar pasi kemi 1 vit e gjysëm që qëndrojmë dhe sido që të vazhdojë ne do i qëndrojmë deri në fund kësaj kauze!
Aktivistja Kalami: Arsyet pse duhet ruajtur Teatri Kombëtar
Një tjetër aktiviste e Aleancës për Teatrin, Orialda Kalami ka folur për “Standard” duke theksuar se teatri mbart vlera të mëdha kulturore dhe kjo është një arsye madhore që ajo godinë të mos shembet.
Pse duhet ruajtur godina aktuale e teatrit?
Ka shumë arsye pse duhet ta ruajmë këtë godinë; së pari mund të themi për vlerat arkitekturore , teatri është shumë i vjetër më tej dhe për vlerat historike , por dhe vetë si strukturë është e ndërtuar mirë pasi specialistët që e kanë ndërtuar e kanë parë me detaje. Gjithashtu dhe në aspektin urbanistik, është në qendër të qytetit, janë dy godina nuk është vetëm një dhe të dyja këto godina duke qenë se janë qendra e qytetit janë bërthama e tij. Ndërkohë dhe plani që është për teatrin e ri është bashkë me kullat gjë që ne nuk e pranojmë, s’mund të ketë teatër me kulla sipër. Ne jemi këtu për çdo gjë dhe do vazhdojmë qëndresën 24 orë.
Ka patur shumë qëndrime, madje dhe nga artistë që kanë deklaruar se janë pro shembjes së teatrit. Si i shihni këto qëndrime?
Ne jemi dakord për një godinë të re nuk themi që nuk duhet një teatër i ri . Jemi dakord që të ndërtohet jo një por 10 teatro të rinj në zona të ndryshme të Tiranës. Fakti që jemi këtu nuk do të thotë që jemi kundër ndërtimeve të reja, godina e re duhet, por ky teatër është historik; mund të ketë problem në infrastukturën e vet por janë probleme që rregullohen. Kjo godinë mund të restaurohet dhe ngelet jo vetëm muze historik por dhe teatër funksional.
Studentja Çupa: Ata që duan prishjen e godinës, janë në luftë të hapur me qytetarët
Gjithashtu dhe studentët janë pjesë e protestës për mbrojtjen e teatrit. Studentja e Shkencave Politike, Irisa Çupa tha se do ta vazhdojë qëndresën deri në fund.
Pse e mbështesni këtë kauzë?
Me informacionin që kemi bëhet fjalë për një hapësirë shumë të madhe të pronë publike e cila do të merret dhe një pjesë shumë e vogël do mbetet për teatrin. Për këtë arsye, për faktin që është pronë publike dhe është Teatri Kombëtar unë jam këtu dhe protestoj pasi nuk është e drejta e askujt që rë marrë dhe të prishë këtë simbol kombëtar të kulturës dhe vendin e lindjes së artit. Kam qenë gjatë gjithë kohës në mbështetje të kësaj kauze pasi nëse i prish kulturën një populli i ke marrë shpirtin!
A do e vazhdoni qëndresën?
Është diçka që nuk pret dhe na kërkon që të jemi këtu. Jemi qytetarë të Republikës së Shqipërise, jemi student, jemi njerëz dhe unë nuk dua që më vonë të them u prish kultura dhe u ndërtuan kullat. Unë do vazhdoj të qëndroj këtu deri në momentin e fundit dhe shpresoj shumë që ata njerëz që e kanë në dorë prishjen e godinës do jenë në luftë të hapur me qytetarët.