Komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, në një intervistë për gazetën asutriake ‘Der Standard’, ka folur për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në intervistën e tij të gjatë ai flet me lëvdata për qeverisjen në Shkup, por e pranon se kur bie fjala për nisjen e negociatave, Shqipëria është pas Maqedonisë së Veriut.
“Ne ende po punojmë që të dy shtetet të mund të nisin negociatat. Por nuk është sekret se vlerësimi për Maqedoninë e Veriut mes vendeve anëtare është më i mirë. Të dy vendet kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga shtetet anëtare të BE si një kusht. Kjo është arsyeja se përse kemi bërë një rekomandim pozitiv. Por Maqedonia e Veriut jo vetëm ka arritur reformat e kërkuara, por ka nënshkruar edhe marrëveshjen historike të Prespës dhe gjithashtu një traktat miqësie me Bullgarinë.
Për Shqipërinë tani për fat të keq në plan të parë janë problemet, kjo pasi opozita nuk është në parlament, qeveria ka vshtirësi për të udhëhequr dialogun dhe se ka një procedurë për shkarkimin e persidentit. Natyrisht vendet anëtare të BE gjithashtu vlersojnë situatën e përgjithshme politike në një shtet”.
Hahn tha se reforma në drejtësi ishte një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit të Shqipërisë.
“Po, ky ishte një nga kriteret. Dhe Shqipëria ka bërë përparim të mirë këtu. Të akuzosh për shembull shqiptarët se nuk po punon Gjykata Kushtetuese, është e padrejtë, sepse kjo tregon vetëm sesa e suksesshme ka qenë puna e komisionit të ngritur për të larguar prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar nga sistemi”.
Ndërsa pyetjes se a janë shanset 50 me 50 që Shqipëria të marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave, Hahn i përgjigjet duke thënë se nuk është i sigurt.
“Nuk mund ta them këtu. Ka kaq shumë dinamikë këtu brenda. Shpresa ime është që të gjitha forcat politike në Shqipëri ta kuptojnë seriozitetin e situatës dhe atë që po bëjnë me sjelljen e tyre. Kjo për shkak se 80 përqind e populsisë e dëshiron nisjen e negociatave për anëtarësim, votuesit e të gjithë partive e mbështesin këtë”.
Në intervistë, Hahn thotë se një ndër kundërshtarët e zgjerimit, Franca, ka nisur të ndryshojë retorikën e saj. Megjithatë ai thotë se shpreson që Franca të ndryshojë edhe qëndrimin, përveç retorikës.