Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 30 qershor janë betuar sot duke konstituuar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetar i tij u zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai u propozuar nga kryetari i këshilltarëve socialist, Eridian Salianji, i cili vlerësoi formimin e Toni Gogut si një jurist, besimtar dhe familjar shumë i mirë.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Aldrin Dalipi vlerësoi kandidaturën e Gogut për detyrën e kreut të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shprehu bindjen e plotë në përmbushjen me sukses të detyrës.
“Duke mbështetur maksimalisht propozimin e drejtuesit të grupit të Partisë Socialiste, për kandidaturën e zotit Toni Gogu, si kryetar i ri i këshillit të bashkisë së Tiranës, më lejoni të vlerësoj se zoti Gogu përcjell cilësi shumë të mira qytetare dhe profesionale për këtë detyrë. Me një eksperiencë shumë të vlerësueshme për nga përkushtimi dhe korrektesa, ai ka drejtuar një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare si Word Vizion për Shqipërinë dhe Kosovën. Po kaq pozitive do të vlerësoja edhe punën e tij në sistemin e drejtësisë, duke lënë gjurmë të posaçme gjatë veprimtarisë së tij deri në detyrën e zv. ministrit të drejtësisë së fundmi.” – u shpreh Dalipi.
Më pas këshilli ka vijuar me procedurën e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Këshillit Bashkiak, ku në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi
PROFIL
Toni Gogu, ose si njihej Pastor Genti, i është bashkuar Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, si përfaqësues i fesë protestante.
Toni u bë besimtar në moshën 19 vjeçare në vitin 1991. Ishte koha kur Shqipëria kishte dalë nga komunizmi, kohë kur praktikimi i fesë ishte i ndaluar.
Gogu ka rrëfyer për “Albanianbiblesociety” se ishin një grup vullnetarësh anglezë që i kishin dhuruar një bibël dhe që pas kësaj ai u përfshi shumë në fenë e krishterë