Këshilltari i Presidentit të Republikës për Sigurinë, Bahri Shaqiri, sqaroi sot në një komunikim me median përmbajtje e letrës së kreut të shtetit për qeverinë lidhur me marrjen e masave për katastrofat natyrore.
Në një deklaratë për mediat, Shaqiri tha se letra e kreut të shtetit, e cila u përdor nga qeveria për të manipuluar qëndrimet e Presidentit nuk kishte asnjë element parashikues, por kërkonte marrjen e masave për ngjarje që lidhen me fenomenet natyrore.
“Mungesa e papërgjegjshmërisë institucionale për të trajtuar fatkeqësitë natyrore. Meta iu drejtua dje me letër Ramës, Braçes dhe Xhaçkës për masat për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e fatkeqësive. Qëllimi i kësaj kërkese ishte parandalimi në pasoja i jetës së qytetarëve. Presidenti, me përgjegjësi të plotë ka zgjedhur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi për të marrë masat e plota në të mirë të qytetarëve. Greqia nuk është fqinje e Zelandës së Re, por e Shqipërisë. Të marrim masa për një fatkeqësi natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti”,- tha kreu i shtetit.
Shaqiri bëri me dije se letra e kreut të shtetit ishte konfidenciale dhe i është dërguar vetëm Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit dhe ministres së mbrojtës. “Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllimsigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile. Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës, me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional”, -tha Shaqiri.
DEKLARATË E KËSHILLTARIT PËR SIGURINË KOMBËTARE TË PRESIDENTIT, Z.BAHRI SHAQIRI
Nisur nga:
- Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;
- Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;
- Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë;
- Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;
- Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare;
- Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”
Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.
Për më tepër, duke patur parasysh:
- Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës;
- Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;
Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.
Njëkohësisht, duke patur parasysh që:
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;
– Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç” sanksionon se:
- Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:
ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;
Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi të bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.
Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.
Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.
Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllim sigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.
Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës, me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.
Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.
U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve.
Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në institucionin e Presidentit.
Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar.