Ligji i ri për Akademinë i propozuar nga një grup deputetësh të mazhorancës bie ndesh me kuadrin ligjor në fuqi, me Kushtetutën, Kodin e Punës dhe ligjin e Arsimit të Lartë.
Profesor Artan Fuga në një forum me pedagogë e kërkues shkencorë sot argumentoi këtë kundërshti që ligji i bën kuadrit ligjor në fuqi, duke e cilësuar një ligj “nul”.
Fuga citoi kryeministrin Edi Rama, i cili ishte iniciator i reformimit të Akademisë, duke thënë se e gjithë strategjia e tij ka dalë një flluskë sapuni me këtë projekt-ligj që pret miratimin në Kuvend.
Para dy vitesh kur Rama nisi i pari sulmet ndaj akademisë ai u shpreh se “Pyetja shumë e thjeshtë që ngrihet është çfarë na duhet ne kjo Akademi?
Akademia duhet të jetë një vend që bën shkencën, por është një shërbim social me pensione për një grup njerëzish.
Ne nuk duhet të vazhdojmë të mbajmë në këmbë këtë shërbim social, duhet ta rithemelojmë”.
Por Fuga ngre sot pyetjen:
“Pse përfundoi si flluskë sapuni strategjia e Ramës?”
Sipas tij, “i gjithë procesi bie në kundërshtim me strategjinë e qeverisë”.
Sipas Fugës ky ligj: Dështoi reformimin e këtij institucioni të plakur, të mefshtë dhe pa produkt; Është në kundërshtim më Kushtetutën e Shqipërisë, Kodin e punës, Ligjin për arsimin e lartë, etj.; Degradon dhe e poshtëron tërësinë e universiteteve shqiptare dhe bjerr edhe më tepër statusin socioprofesional të pedagogut shqiptar, si dhe jep shembullin sesi dija dhe shkenca kombëtare vihen nën autoritetin autoritar të një burokracie autoritare pa asnjë lidhje me shkencën.
Ligji shkel kuadrin ligjor në fuqi
Sipas argumenteve të paraqitur sot nga profesor Fuga, një iniciator i hershëm i reformimit të akademisë, ku ai aderon, ligji së pari bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
“Shkelja e Kushtetutës është hakmarrja që ka ndërmarrë Akademia e Shkencave ndaj Presidentit të Republikës. Emërimi nga presidenti është një mbrojtje që i jepet autonomisë së universiteteve dhe akademisë.
Në Kushtetutë thuhet se emërimin e dekanëve të universiteteve dhe kryetarin e Akademisë miraton Presidenti i Republikës.
Por, sipas ligjit të ri neni 11 pika 6, thuhet se ‘presidenti mund të mos e emërojë kryetarin e Akademisë, por nëse shumica e anëtarëve të Asamblesë së Akademisë nuk është dakord me presidentin dekreti i tij bie. A ka ndonjë jurist në Shqipëri, apo kanë vdekur të gjithë? Si mundet që një asamble akademikësh të rrëzojë atributin që presidentit ia jep vetë Kushtetuta?”
Fuga e sheh këtë pikë të ligjit si një hakmarrje të dobët të deputetëve të mazhorancës ndaj kreut të shtetit, pasi presidenti Meta e rrëzoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të
Akademisë duke e argumentuar si antiligjor zgjedhjen e tij.
Shkelja e Kushtetutës sipas Fugës shihet edhe në faktin që ky ligj në mënyrë krejt paradoksale nuk shoqërohet me një faturë financiare.
“Neni 82 i Kushtetutës parashikon që ligjet të përligjin shpenzimet financiare, por ligji për Akademinë nuk ka relacion financiar”, u shpreh Fuga.
Po përveç Kushtetutës ky ligj, sipas Fugës, bie ndesh edhe me ligjin në fuqi për Arsimin e Lartë, ku shprehimisht thuhet se kuadrin ligjor në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor e inicion vetëm ministria e Arsimit. Por çfarë ndodhi me këtë ligj? Ministria e mbajti procesin e hartimit dhe konsultimit 2 vite dhe krejt papritur një grup deputetësh dërgojnë këtë draft ligjor në Kuvend duke e tejkaluar këtë kompetencë që i përket ministrisë me ligj.
Gjithashtu Fuga argumentoi dhe disa pika të këtij ligji për organizimin e akademisë që bien ndesh me ligjin e Arsimit të Lartë.
Nga ana tjetër ai tha se ky ligj bie ndesh edhe me Kodin e Punës së Shqipërisë duke krijuar diskriminim në punësimin në Akademi, në disa raste diskriminim pozitiv dhe herë të tjera negativ.
Duke sjellë argumentet ai tha se ligji i njeh të drejtën të bëhen anëtar të jashtëm të Akademisë çdo studiuesi të huaj me origjinë shqiptare që është anëtar i një akademie europiane. Pra në këtë rast i vetmi kriter është ai i origjinës dhe jo i studimeve që kanë lidhje me Shqipërinë, ndërsa nuk i njeh këtë të drejtë një albanologu të huaj që nuk e ka origjinën shqiptare dhe pse ka kontribuar me studimet e tij pikërisht për Shqipërinë.
Një tjetër diskriminim është marrja e shpërblimeve të përhershme.
Nga kjo pikëpamje akademiku nuk del kurrë në pension. Edhe kur kalon moshën 75 vjeçare ai vazhdon me të njëjtën trajnim. Ku mbështetet ky priviligjim?” -tha Fuga.
Ai preku në diskutimin e tij të detajuar edhe kriteret për t’u bërë anëtarë të Akademisë, ku u është dhënë e drejta për t’u bërë akademikë edhe atyre që nuk i kanë gradat përkatëse shkencore si doktor shkencash dhe profesorë të asociuar.
“Ky është degradim”- tha Fuga.
Profesori i gazetarisë dhe komunikimit deri më tani është zëri më i fortë kundër kësaj reforme ligjore që përkoi me zgjedhjet e reja në Akademinë e Shkencave, në krye të të cilës u zgjodh për herë të parë një njeri që vinte nga radhët e politikës, Skënder Gjinushi, që siç u konstatua dhe nga presidenti Meta figuronte ligjërisht kryetar i një partie politike në momentin e zgjedhjes.
Kjo reformë është arbitrare, sipas Fugës edhe për faktin e thjeshtë se në grupin e punës së ngritur nga ministria ishin të gjithë anëtarë të akademisë aktuale, asnjë emër tjetër me influencë nga bota akademike.
MAPO