Si ambasadorët gënjyen vazhdimisht për krijimin e SPAK-ut

0
131

Një nga refrenet më të përsëritura pas miratimit të reformës në drejtësi është ai i krijimit “së shpejti” të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK)—njesisë të pavarur të prokurorisë, e cila do të hetojë korrupsionin e politikanëve dhe drejtuesve të lartë të vendit.

Në bazë të Kushtetutës, SPAK duhet të ishte krijuar që në prill 2017, dhe prej asaj kohe mos krijimi i tij është gjendje antikushtetuese e sistemit të prokurorisë.

Në kapitullin e dispozitave kalimtare, Kushtetuta përcakton qartë (Nenin 179, pika 6) se “Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi” e reformës, dhe SPAK duhet të krijohej brenda dy muajve nga krijimi i KLP-së.

Reforma në drejtësi hyri në fyqi më 11 gusht 2016, dhe për rrjedhojë KLP duhet të ishte krijuar brenda 11 shkurtit 2017. Në të vërtetë, KLP u krijua, një vit e gjysmë më vonë, në dhjetor 2018.

SPAK duhet të ishte krijuar brenda 11 prillit 2017, por nuk ka ende gjasa të krijohet për muaj të tërë, edhe pse kanë kaluar tre vjet nga miratimi i reformës në drejtësi dhe më shumë se dy vjet pas mbarimit të afatit Kushtetues për krijimin e tij.

Është histori e dështimit spektakolar të një reforme, e cila ndonëse ishte e domosdoshme dhe kishte qëllime të mira, u shkatërrua në procesin e zbatimit nga paaftësia në planifikimin e saj, por edhe përpjekjet e qeverisë për kapjen e sistemit të drejtësisë.

Pasi u bë e qatë se reforma ishte planifikuar dhe projektuar keq, në vend që të reflektonin dhe ndryshonin përmbajtjen e saj, diplomatët perëndimorë në Tiranë të përfshirë në hartimin e saj, vendosën të fshehin dështimin duke bërë premtime të herëpashershme për sukseset e pritshme dhe të shpejta të saj.

Rasti më ilustrues i kësaj qasje të padobishme janë, pikërisht, deklarimet disa vjeçare të tyre për krjimin “së shpejti” të SPAK-ut, edhe pse pothuajse në çdo rast ata e kanë ditur shumë mirë që këto premtime ishin të gënjeshtra.

Më poshtë po rikujtojmë disa nga premtimet publike për krijimin “së shpejti” të SPAK-ut.

Më 4 shtator 2017, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin deklaroi me bujë se SPAK do të krijohej deri në fund të vitit, pra deri në fund të 2017:

Do të thoja që Shqipëria po përjeton një moment të mirë. Reforma në drejtësi, e cila është në fakt reforma më impenjative dhe më komplekse nga të gjitha, është tashmë gati për t’u zbatuar me procesin e vetingut, i cili do të fillojë në më pak se dy javë. Krijimi i institucioneve të reja, si për shembull, prokuroria e posaçme për sa i përket korrupsionit apo krimit të organizuar, e cila do të fillojë [punën] me shpresë nga fundi i vitit.

Më 5 prill 2018, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, në një intervistë për emisionin Opinion, u shpreh plot besim se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të krijohen brenda verës”, pra brenda gushtit 2018.

Sikurse ne shpjeguam menjëherë pas intervistës, kjo gjë ishte thjesht e pamundur dhe pohimet e Ambasadorit Lu ishin të pavërteta.

Më 1 maj 2018, Ambasadori Lu deklaroi sërish për Top Channel se pengesat për ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKT) ishin kapërcyer dhe ato do të ngriheshin shumë shpejt.

Më 1 shtator 2018, në një intervistë për Top Channel, Ambasadorja Vlahutin deklaroi se “misioni i reformës në drejtësi ishte përmbushur” dhe se SPAK do të krijohej deri në fund të vitit 2018:

Sapo lexova disa ditë më parë të gjithë emrat e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe jam absolutisht jo vetëm shpresëplotë, por, nëse ka vullnet, vullnet politik, të gjitha institucionet mund të jenë plotësisht funksionale deri në fund të vitit, përfshi të rinjtë, mjaft të rëndësishëm për shqiptarët dhe kjo është Prokuroria e Posaçme, SPAK-u, si dhe BKH-ja. Por sikurse ne kemi zbuluar, kjo deklaratë ka qenë me vetëdije e genjeshtërt, sepse Vlahutin ishe informuar nga Euralius se KLP nuk do të mund të ngrihej para fundit të vitit 2018, dhe për rrjedhojë SPAK nuk mund të krijohej të paktën para pranverës 2019.

Më 13 shtator 2018, në daljen e fundit publike para largimit nga Shqipëria, Ambasadori Lu deklaroi edhe një herë, këtë herë për emisionin True Story se “SPAK dhe BKH do të krijohen në pak javët e ardhshme”, pra, afërsisht në tetor-nëntor 2018.

Natyrisht, edhe kjo deklaratë ishte e gënjeshtërt dhe Ambasadori ishte në pozitën që ta dinte se premtimi i tij ishte i pamundur. Donald Lu dhe Romana Vlahutin u larguan, respektivisht, në shtator dhe tetor 2018, duke lënë pas një reformë në drejtësi në krizë të plotë.

Pasardhësit e tyre vazhduan të njejtën qasje jo transparente dhe jo të sinqertë me qytetarët shqiptarët në lidhje me përparimin dhe vështirësitë e reformës në drejtësi.

Edhe ata nuk morën kurrë ndonjë përgjegjësi për dështimin spektakolar të reformës në drejtësi, por vazhduan të bënin deklarata të vetësigurta por të pavërteta për publikun shqiptar.

Në shkurt 2019, Ambasadori Soreca i mbrojti dështimet dhe vonesat e reformës në drejtësi dhe veçanërisht mos krijimin e SPAK me një metaforë pa lidhje, në mos banale:

Reforma në drejtësi është një çështje e ndërlikuar dhe komplekse. […] Është si puna e karburantit, që është dashur pak kohë që karburanti të shkojë tek motori, tani që motori do të ndizet, do të kemi të gjitha SPAK, BKH dhe natyrisht edhe Gjykatën Kushtetuese. Ne po ndjekim strategjinë 2019-2023. Në fakt karburanti ka qenë naftë, sepse karburanti naftë është më i mirë dhe zgjat më shumë.

Më 7 maj 2019, në një intervistë për Deutsche welle, Ambasadori Soreca pohoi: Në muajt e ardhshëm, SPAK do të filloj punën, do të vendoset Gjykata Kushtetuese, dhe ndoshta edhe zbatimi i plotë. Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

Pas zgjedhjeve të debatueshme të 30 qershorit, duke u përpjekur të krijojë një ide normaliteti të vendit pavarësisht krizës politike, në disa postime në Twitter, sërish Ambasadori Soreca u shpreh se SPAK do të krijohet së shpejti: Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe sjellja e Gjykatës Kushtetuese përsëri në funksionalitetin e saj. Pasi të përfundojë rigorozisht verifikimi i kandidatëve, SPAK do të lejojë të përmirësojë më tej luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të jetë në gjendje të sqarojë të gjitha çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me të drejtat kushtetuese, duke përfshirë çështjet e zgjedhjeve.

Sikurse ne kemi shpjeguar, SPAK nuk mund të krijohet dot deri më fund të vitit 2019. Por nuk është çudi që deri atëherë të dëgjojmë deklarata të reja ambasadorësh se krijimi i SPAK është çështje ditësh

Exit.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here