Meta: Promovimi i nismës ligjvënëse popullore, nevojë e domosdoshme
Institucioni i Presidentit bëri sot me dije se Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka miratuar me dekret “Shpalljen e ligjit nr. 54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, bëhet e ditur se “Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të ligjeve për miratim. Ky ligj ka për qëllim të rregullojë procedurën e detajuar mbi ndërmarrjen e nismave ligjvënëse popullore nga 20 mijë shtetas me të drejtë vote, duke filluar nga momenti i regjistrimit të nismës, deri në paraqitjen e tyre në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim”, – thuhet në njoftim. Gjithashtu sqarohet se “ky rregullim me ligj është i domosdoshëm për shkak të zhvillimeve për rritjen e të drejtave të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit. Në këto kushte, promovimi i nismës ligjvënëse popullore, si pjesë e institucioneve kushtetuese të demokracisë së drejtpërdrejtë, është vlerësuar si një nevojë e domosdoshme nga Presidenti i Republikës, dhe për këtë arërsye me Dekretin nr. 11250, datë 05.08.2019, ai ka miratuar shpalljen e ligjit nr. 54/2019”, – bën me dije institucioni i Kreut të Shtetit.