Presidenti Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.
Duke bërë me dije arsyet ligjore që e detyruan të rrëzojë këtë koncension, Meta ka zbuluar ndër të tjera dhe skandalin që ky projekt nuk është miratuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Konkretisht Kreu i Shtetit bën me dije se “Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces. Në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë, si dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi.
Nga shqyrtimi tërësor i praktiktës së ndjekur për këtë koncesion, rezulton se përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë,nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Edhe pas kërkesës së paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në dokumentaionin e përcjellë nga Kuvendi, nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që të vërtetojë faktin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ketë dhënë miratim financiar për këtë projekt.
Mungesa e këtij akti dhe e informacionit mbi të, cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e FinancaveEkonomisë, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo është shkelje e rëndë e procedurës ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimarrja e Këshillit të Ministrave, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë prej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, – sqaron ndër të tjera Presidenti Meta.