Besimet fetare në vend janë karakterizuar nga një harmoni e vazhdueshme me tyre, një cilësi e veçantë kjo, të cilën e kanë vlerësuar edhe të huajt. Megjithatë, ka pasur raste sporadike të individëve radikalë, të cilat kanë prekur pothuajse të gjitha fetë. Përgjegjësi i zyrës së katekizmit në kishën Ortodokse, Miron Çako, thotë se individët të cilët dalin me qëndrime radikale, nuk përfaqësojnë komunitetet fetare.
“Këta individë nuk përfaqësojnë komunitetet fetare. Ata madje i dëmtojnë fetë e tyre me këto lloj qëndrimesh”, thotë ai. Çako po ashtu, shpjegon edhe mënyrën sesi komunitetet fetare mund të ndikojnë në parandalimin e këtij fenomeni. “Duhet që komunitete fetare të flasin me këta individë. Njeriu është një qenie e arsyeshme dhe duhet të punohet me arsyen”, thotë Çako më tej.
Për sociologun Gëzim Tushe, feja ka një rëndësi të veçantë shpirtërore për njeriun. Ai thotë se ky besim, në dorë të gabuar mund të kishte pasoja për shoqërinë. “Feja ka një rëndësi të veçantë për njeriun. Por feja, në dorë të një injorati, dikujt që abuzon me të do të kishte pasoja sociale’, thotë Tushe.
Sociologu Tushe, thotë se rrjetet sociale e kanë bërë më të dukshëm këtë rivalitet fetar. “Rrjetet sociale nuk e kanë shtuar radikalizmin. Këtë fenomen teknologjia e ka bërë më të dukshëm. Rastet sporadike që kanë qenë latante, të fjetura, tashmë kanë dal në pah”, u shpreh ai.