Debati i panevojshëm për mercenarët e Ramës në PD dhe jashtë saj

0
141

Nga Red Varaku

Ndër dështimet e mëdha spektakolare të Edi Ramës, renditet ëndrra e tij e madhe dhe përpjekja e tij titanike, që nëpërmjet mercenarëve të tij në PD dhe jashtë saj, të drejtojë edhe opozitën. Taktika që ka përdorur për këtë ka qenë sulmi brutal , i paskrupullt mbi liderin e PD-së z Basha. Një sulm i pashembullt dhe në historinë e pluralizmit politik. Një sulm i pamoralshëm, ku u përqendruan të gjitha bateritë e propagandës.

Të gjitha televizionet, të gjitha gazetat, të gjitha portalet me përjashtim të një pakice heroike, të sponsorizuara drejtpërdrejtë nga z. Rama, i janë vërsulur pabesisht dhe në mënyrë të sinkronizuar z. Basha, duke shkelur mbi nderin dhe parimet e gazetarisë dhe duke gënjyer dhe mashtruar hapur dhe me vetëdije opinionin publik. Por, jo vetëm që kanë dështuar, por i ka dhënë një ndihmë shumë të madhe PD-së, duke ndihmuar në forcimin e rradhëve të saj dhe më e rëndësishmja në pastrimin e saj.

E ka nisur që herët sulmin ndaj tij, që në momentin që z. Basha u evidentua si figura më prominente e KOP-it dhe u konfigurua si e ardhmja e PD-së, pa asnjë rival. Plaku Mero e pikasi menjëherë yllin e PD-së dhe filloi menjëherë një sulm brutal ndaj tij si nga jashtë PD-së ashtu edhe nga brenda PD-së, duke shfrytëzuar zilinë dhe urrejtjen e një pjese të PD-së, që ashtu si Mero, e shikonin z. Basha si të pakonkurrueshëm.

Dhe koha në fakt i dha shumë të drejtë. Sot , z. Basha është njeriu që drejton Partinë Demokratike dhe gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme. Sulmet e z. Rama, jo vetëm nuk e kanë dëmtuar, por kanë vërtetuar që z. Basha është i vetmi rrezik potencial për pushtetin e z. Rama.

Sulmet kundër tij u intensifikuan më pas në vitin 2011-të , vit kur Basha u përzgjodh kandidat i PD-së për Tiranën. Prej 2011-ës sulmet ndaj tij nuk kanë reshtur. Ai u kthye në njeriun më të sulmuar të propagandës së rilindjes. Sigurisht, edhe me ndihmën e pakursyer që i dhanë disa eksponentë të lartë të PD-së, që në fakt përfaqësonin një establishment të kalbur dhe të korruptuar brenda PD-së , të cilët e shikonin PD-në dhe postet e tyre si çiflig personal të tyrin, që pse jo, edhe mund t’ia trashëgonin dhe fëmijëve.

Lufta e këtij establishmenti të korruptuar kundër z. Basha, kulmoi kur PD kaloi në opozitë. Ata u kthyen në njerëzit më kritikë të z. Basha dhe njëkohësisht kundërshtarë të fortë në luftën politike brenda PD-së.

Ata sërish nuk e pranuan opozitën e z. Basha. Prej vitit 2013, ata nuk kanë folur asnjëherë në të njëjtën linjë me vendimet e PD-së . Ata kanë folur gjithmonë si kritikë të PD-së, si kundërshtarë të z. Basha brenda partisë dhe tashmë po shfaqen edhe si alternativë jashtë PD-së.

Në pamje të parë, edhe pse dukej e paskrupullt dhe me qëllime të ulëta , kjo luftë e brendshme dukej sikur i bënte mirë shëndetit të PD-së, sepse gara e brendshme, alternativat e ndryshme i bëjnë shumë mirë një partie. Por, kur kjo luftë filloi të kishte shenja se gatuhej në paradhomën e pushtetit dhe filloi të sinkronizohej me sulmet e z. Rama për z. Basha, ajo u diskretitua dhe e humbi legjitimitetin në sytë e demokratëve.

Pasi PD kaloi në opozitë, kjo ‘linjë e ashpër’ brenda PD-së ,shfaqej shumë e rreptë kundër qeverisë. Ata vazhdimisht kërkonin bojkot parlamentar, madje dhe djegje mandatesh. Sigurisht, që atëherë të ngjallnin një lloj admirimi, sepse atëherë të gjithë mendonin, se e bënin këtë për shkak të parimeve dhe në interes të demokratëve .

Por, në fakt, koha tregoi të kundërtën. Ata e bënin këtë vetëm me një qëllim : duke sfiduar linjën zyrtare të PD-së, ata në fakt bënin opozitën e opozitës, duke dëmtuar kështu klimën brenda opozitës, dhe duke dhënë përshtypjen e një partie të ndarë në dysh. Axhenda e tyre ishte tërësisht një axhendë e dyshimtë dhe e sponsorizuar, që nuk reflektonte interesin e demokratëve, por reflektonte interesat personale të gjithësecilit.

Rasti më ilustrues i kësaj është koha kur demokratët ndodheshin në çadër . Përfaqësuesit e linjës së ashpër brenda PD-së, papritur u moderuan dhe u zbutën si dele. Ata dolën sërish kundër linjës zyrtare të PD-së dhe kërkonin të ktheheshin në parlament dhe të hynin në zgjedhje .

Ishin pikërisht këta që e vunë PD-në në vështirësi me vendimin e tyre për të braktisur çadrën dhe për të hyrë në zgjedhje , atëherë kur e gjithë PD ndodhej e vendosur për të mos hyrë, dhe për këtë gjest, këta mercenarë Rama i shpërbleu me poste dhe privilegje të tjera.

Ishte kjo situata, që e detyroi z . Basha të bënte dhe marrëveshjen e Majit, e cila rezultoi me një faturë të rëndë për PD-në dhe z. Basha personalisht, por mund të ishte fatale, sepse ashtu si Murrizi e Hajdari , establishmenti i korruptuar ishte gati të futej në parlament dhe në zgjedhje. Atëherë kishte akoma demokratë naivë të cilët nuk e kishin kuptuar lojën e tyre dhe PD rrezikonte seriozisht një çarje të madhe. Kjo ishte prova finale në sytë e demokratëve, që këta ‘ujqërit’ e domestikuar në cirkun e z. Rama, i rakordonin sulmet e tyre me armikun më të madh të demokracisë dhe PD-së. Ky bashkëpunim me z. Rama , sipas meje, ishte dhe arsyeja kryesore pse këta mercenarë të pushtetit nuk u përfshinë në listat e 2017-ës.

Pikërisht, në momente të tilla me temperatura të larta , shkrijnë maskat dhe tregojnë fytyrën e vërtetë të gjithësecilit. Kjo është edhe arsyeja pse sulmet e tyre joparimore dështojnë, që pa nisur. Kjo është edhe arsyeja që lëvizje të tilla kanë gjetur gjithmonë e më pak mbështetje.

Prej atëherë, sa herë që ka nevojë kapterri Baze, i thërret siç thirren zagarët për gjueti, dhe në fund të aksionit u hedh nga një kockë. Kjo orkestër e vjetër dhe e lodhur e cila luan muzikën e preferuar të Ramës, atë të shkatërrimit të PD-së, jep shfaqjen e radhës sa herë që i kërkohet, por muzika e tyre sa vjen e injorohet.

Janë bërë aq të parashikueshëm sa kanë filluar të bëhen qesharakë. Nis me violinën çakorduar të Meros dhe mbaron me gajden e çarë të Jozefin-Patozit. Një melodi që ngashëren vetëm idhtarët e rilindjes, sepse përgjimet e BILD, jo vetëm i kanë dhënë të drejtë vendimeve të marra nga PD, por kanë varrosur përfundimisht edhe alibitë e z. Rama dhe të mercenarëve të tij.

Këta, jo vetëm nuk ia kanë dalë me këto Bol(e)ino-strategjitë, por sa herë e kanë provuar kanë dështuar me turp. Gjithsesi ata e kanë një meritë. Falë tyre, mbështetja për z. Basha është rritur pa masë.

Nuk ka më dyshim , edhe për më naivin, se të gjitha këto përpjekje bëhen për të ndihmuar Ramën, sa herë që ai është në vështirësi . Mercenarët e Ramës në PD, prej vitit 2009 kanë qenë në sinkron të plotë me planin që gatuhet në paradhomën e z. Rama. Koha pa tregon që këta mercenarë kanë bashkëpunuar me Ramën edhe më parë, bile dhe për të dëmtuar individë apo për t’i nënshtruar ata në funksion të llogarive kundër opozitës.

Sot të gjithë demokratët e kanë të qartë se çfarë përfaqësojnë ata në të vërtetë. Më i sinqerti në atë betejë, kaloi direkt në shërbim të PS-së. Disa të tjerë, ata me pak namuz , thjesht morën nga një kockë që u hodhi Rama, kurse disa të tjerë janë n? pritje të kockës në shtator.

Por, ata duhet të kuptojnë, që arsyeja pse nuk gjejnë mbështetje nuk qëndron tek fakti se njerëzit kanë frikë Bashën, por tek fakti se nuk besojnë më tek pastërtia e qëllimeve të tyre.

Edhe kësaj here, projekti i rradhës për rrëzimin e z. Basha nisi sërish me bandën e lodhur dhe diskretituar të Meros dhe Sokolit . Asaj iu shtua rrugës me urdhër të shefit edhe plaku i ri Bollino. Ndërkohë mercenarët e fundit , mjaft të lodhur dhe të rrudhur në numër, kanë marrë prej Ramës premtimin për një kockë tjetër. Ata kanë dalë nëpër qytete dhe po marrin në lule të ballit injorimin dhe përbuzjen e demokratëve.

Qëllimi i Ramës është pikërisht marrja seriozisht e kritikëve të z. Basha brenda partisë, me qëllim që ta rikthejë shtatorin në një estradë të PD, ku njerëzit , në vend që të merren me dështimin spektakolar të qeverisë dhe paligjshmërinë totale të Ramës, të merren me radiografinë e ‘një krize të supozuar’ të drejtimit të PD-së.

Për këtë arsye, demokratët nuk duhet të bien prè e skenarit të Ramës. I vetmi qëndrim, që demokratët duhet të mbajnë është vetëm injorimi dhe përbuzja ndaj këtyre të telekomanduarve. Çdo reagim ose përgjigje ndaj tyre i faktorizon dhe i jep vlerë. PD duhet të pranojë çmimin e vendimeve të saj për t’i mbajtur larg këta mercenarë. Lërini mercenarët të flasin dhe të provojnë deri ku shkon pafytyrësia. Lërini ta marrin kockën e premtuar! Sa keq, kur të del boja. Sidomos në politikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here