Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot për Valdrin Pjetrin, të zgjedhurin e tij për bashkinë e Shkodrës. Rama ka nënvizuar në një mesazh në Twitter se “Valdrin Pjetri nuk është kriminel”, por fshehjen e së kaluarës së tij e ka konsideruar të patolerueshme dhe me pasoja të pajustifikuara për Shkodrën.
Ndaj, në këtë këndvështrim, Rama, pas një dështimi tjetër të rëndë të kësaj natyre me të zgjedhurit e vet, ka hedhur idenë se në të ardhmen, për kandidatët që gënjejnë, “çdo vetdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.”
MESAZHI I PLOTË I RAMËS NË TWITTER
Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrsesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!
Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga Policia ose prokuroria.
Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!
Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetdeklarimit, s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar.
Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetdeklarimit të rremë.
Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.
Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.